Tuz – Zgjedhjet lokale në Komunën e Tuzit do të mbahen më 5 mars 2023, kështu solli vendimin për shpalljen e zgjedhjeve presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq në fund të dhjetorit.
Nga të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, numri i votuesve në listat zgjedhore për zgjedhjet lokale në Komunën e Tuzit në ditën e 28 dhjetorit 2022 është 12 mijë e 290, derisa në zgjedhjet e 30 gushtit 2020 ky numër ka qenë 12 mijë e 151.
Ndërkohë numri i votuesve të saporegjistruar është 618, nga të cilët 565 e kanë fituar të drejtën e votës me arritjen e moshës madhore, 33 në bazë të regjistrimit të vendbanimit dhe 20 me marrjen e shtetësisë malazeze.
Ndërkaq në bazë të të dhënave nga MPB-ja, numri i votuesve për të cilët është kryer ndryshimi i regjistrit në bazë të aplikimit, përkatësisht çregjistrimit të vendbanimit në Mal të Zi është 617, ndërsa nga lista e votuesve janë fshirë 343 votues.
“Për shkak të vdekjes 342 dhe 1 për shkak të çrregjistrimit të vendbanimit jashtë Malit të Zi. Numri i votuesve të cilët e kanë ndryshuar emrin personal është 245, derisa 89 votues që u është ndryshuar data e lajmërimit të vendbanimit të fundit. Numri i votuesve të cilëve u është ndryshuar vendvotimi është 155”.
Më tutje në këtë njoftim të MPB-së thuhet se qasjen në listën zgjedhore votuesi mund ta realizojë personalisht në sportel të filialit për çështje administrative, shtetësisë dhe të huajve në Tuz, çdo ditë pune nga e hëna në të premte nga ora 8 deri në orën 14 me kartë të vlefshme të identitetit ose pasaportë.
“Me rastin e aksesimit të drejtëpërdrejtë votuesi mund të kërkojë ndryshimin e të dhënave të regjistruara në listën zgjedhore. Votuesi mund të ketë qasje në listën e votuesve direkt ose përmes ueb portalit www.biraci.me, ku duke shënuar numrin e kartës së identetit ose të pasaportës, mund të verifikojë nëse është në listën e votuesve dhe në cilin vendvotim. Votuesit të cilët posedojnë kartë elektronike të identitetit të lëshuar pas 30 marsit 2020, qasjen në listë mund ta kryejnë drejtpërdrejt përmes portalit https://e.servis.mup.gov.me, me përdorimin e çertifikatës për përdorim elektronik. Në këtë mënyrë mund ta ndryshojnë edhe adresën”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Kujtojmë që zgjedhjet e fundit lokale në Tuz janë mbajtur më 3 mars 2019 ku garuan pesë lista zgjedhore të pavarura dhe një koalicion: Forumi Shqiptar (ASH – LDSH – UDSH), Partia Demokratike e Socialistëve, Partia Socialiste Popullore, Demokratët, Partia Boshnjake dhe Partia Socialdemokrate.
t. u.
