Faik Konica – liberatori i kulturës shqiptare

Qani Osmani

Për Faik Konicën që në fillim lirisht mund të themi se është njëri prej shqiptarëve më mendjendritur i të gjitha kohërave, biri më eminent i Shqipërisë, pionieri i pavarësisë, mbrojtësi i indipendencës kombëtare dhe drejtues i revistës Albania – kësaj enciklopedie monumenti e akademie të kohës.
I formuar në qendrat më të njohura të Evropës, i paprekur nga hatri i rremë dhe konformizmi ballkanik, Faik Konica pati guximin të shkruajë mbi temat e nxehta të kohës së tij, duke sfiduar prapavitë e pushtuesve dhe mendësinë delikate të parisë të atdheut dhe të disa krijuesve bashkëkohas. Guximi dhe stili i të shprehurit të gjërave, ironitë e holla dhe sarkazmat therrëse e bënë për një kategori njerëzish shumë të dashur, kurse për disa të tjerë të urryer e të kontestueshëm. Ata që e gjenin veten në ato shkrime ia denigronin personalitetin, ndërkaq pushtetarët e dënonin me vdekje. Jo të gjithë e dinë se Faik Konica është i dënuari i shumëfishtë i mendimit të lirë. Për shkak të shkrimeve të tij, qeveria turke e asaj kohe e ka dënuar dy herë me vdekje, kurse Austria pas pajtimit me projektin gjerman për ndarjen e tokave shqiptare mes Serbisë dhe Greqisë në vitin 1915, e shpalli persona non grata. Për paradoks, një dënim i rreptë për të në vitin 1922 u kërkua madje edhe në Parlamentin shqiptar.
Faik Konica i ka nxjerrë në pah më fort se çdo krijues tjetër shqiptar të metat e kombit të vet, duke prekur kësisoj përjetësisht në sedër mendjelehtësit, të cilët hiq ca përjashtime të njohura për publikun lexues, janë bërë kritikë jo të veprave letrare, por “të metave” njerëzore të tij. Dhe për të dëshmuar tendencën e pashpjegueshme dhe energjinë negative ndaj tij, nuk mungojnë madje as “studiuesit” që,para se ta thonë një fjalë të mençur për veprën unikate, merren zhurmshëm, madje dhe me përcaktimin fetar dhe shtratin e Konicës, duke tentuar me ankth që edhe në këtë plan të sajojnë dëshmi diskredituese për ta nxjerrë në total të dështuar njeriun më të ditur e më të kompletuar që ka pasur ndonjëherë bota shqiptare.
Mjeti që zgjodhi Konica ta thotë çiltas atë që kishte në mendje e në shpirt ishte shkrimi, ishte vepra e veçantë që u përket llojeve të ndryshme letrare, tharmin e të cilave e përbën eseja – zhanri që ia mundësoi të mbetet përjetësisht, jo vetëm në historinë e kulturës dhe letërsisë shqipe e ballkanike. Formimi në shkollat më të mira franceze e kishte bërë të kuptojë në moshë fare të re se qenë eseistët e kalibrit të Montenjit e Volterit ata që hapën dyert e arsyes njerëzore, që propaguan qëndrimin kritik ndaj fenomeneve dhe ngjarjeve shoqërore, që nxitën frymën antifanatike dhe shkundën nga themelet mendësinë mesjetare të Evropës. Po këtë Konica u përpoq ta arrijë në një kontekst tjetër kohor e hapësinor, duke e shfrytëzuar shkrimin si mjet me të cilin iu fut gati i vetmuar lëvrimit të shkëmbit, ndriçimit të mendjes së kombit dhe gjetjes së kodit të humbur evropian të shqiptarëve, që sakaq u bë motoja e jetës së tij dhe e Rilindjes Kombëtare. Përvoja i thoshte se vetëm forca e esesë mund ta xigëlojë ndërgjegjen e fjetur shqiptare dhe ta çlirojë atë nga kllapia e kultivuar me sistem prej armiqëve të vjetër e të rinj, të cilët krahas planeve për shpëtimin e vendeve të tyre nga kthetrat otomane, kishin përgaditur dhe planet për copëtimin e Shqipërisë së katandisur nga luftërat e pareshtura dhe prapambetja me përmasa titanike.
Përveç pragmatizmit dhe interesit kombëtar ishte edhe natyra e trazuar ajo që e bëri Konicën të jetë eseist në të gjitha shkrimet: edhe në skica e tregime, edhe në romanin e tij të vetëm, edhe në publicistikë, edhe në letërkëmbim, edhe në polemikat e zjarrta, edhe në shkrimet e karakterit historik, politik, gjuhësor e religjioz…, madje një eseist shumë të parakohshëm në kulturën dhe letërsinë shqiptare – një eseist që i bën nder edhe kulturës e letërsisë evropiane, duke qenë se e gjejmë të inkuadruar me vepër konkrete në mendimin dhe idetë më përparimtare perendimore, të cilat i përkapi më mirë se cilido krijues bashkëkohas nga Ballkani.
Dyzet e shtatë vjet zgjati beteja e Faik Konicës për realizimin e planit për të stërvitur shpirtin dhe karakterin e popullit dhe për të lëvruar shkëmbin. Për këtë qëllim, përveç revistës së famshme ALBANIA (Bruksel-Londër, 1897-1909), kësaj enciklopedie të madhe me mbi 2.500 faqe; kësaj shkolle që kultivoi frymën e munguar kritike në shumë fusha të jetës, Konica themeloi e drejtoi edhe dhjetra gazeta e revista të tjera në gjuhën shqipe, si ALBANIA E VOGËL (Bruksel, 1899-1903), DIELLI (Boston, 1909-1913), TRUMBETA E KRUJËS (Sent Luis, 1911), USHTIMI I KRUJËS (Durrës, 1913-1914), FLAMURI (Boston, 1910), SHQIPTARI I AMERIKËS (Korçë 1922-1924), BOTA E RE (Boston, 1922-1923), PURTEKA (Boston, 1922-1923) dhe KOMBI NË RREZIK (Boston, 1923). Nëpër faqet e tyre ai na ka lënë një trashëgimi të rrallë prej më se 1.500 artikujsh, pa llogaritur epistolarin, përkthimet, fjalimet, konferencat, ligjeratat, intervistat…, pa llogaritur punën që bënte në shkrimet të cilat i punonte e redaktonte me javë të tëra dhe gjithsesi pa llogaritur shkrimet në gjuhë të huaja, disa prej të cilave akoma janë të panjohura.
Përveç mediave të lartpërmendura, janë dhe mbi 50 gazeta e revista të tjera shqipe të kohës, në të cilat botoi të paktën nga një artikull dhe mbi 20 gazeta e revista të huaja, në gjuhën frënge, angleze, gjermane, greke..etj, në faqet e të cilave gjithashtu përçoi zërin e rezistencës shqiptare. Nëpër këto të përkohshme, sidomos në faqet e gazetës ALBANIA, gjejmë të skalitur mendimin shqiptar dhe mendimin e madh të Konicës, përkatësisht zhvillimin e atij mendimi ndër vite shumë të turbullta.
Kur flasim për meritat e Faik Konicës nuk kemi parasysh vetëm shkrimtarin, publicistin, kritikun letrar, eseistin, përkthyesin, por vështruar më gjërë një nga etërit e artit dhe dhe kulturës sonë moderne, intelektualin e krijuesin e hershëm shqiptar të afiniteteve dhe dimensioneve evropiane. Është fakt se megjithë kundërthëniet dhe zigzaget e jetës së tij politike, emancipimi ynë kombëtar do t’i detyrohet në një shkallë të ndjeshme dhe rolit të veprës së Konicës. Ky emancipim do të ketë të bëjë së pari me letërsinë, me fjalën shqipe por edhe me kulturën, me mendimin shqiptar, me ato ura komunikimi që ai hodhi në mes Shqipërisë dhe botës.
Konica synoi dhe punoi tërë jetën që atdheu i tij duke qenë gjeografikisht pjesë e pandarë e Evropës, të ndjehej e të mendonte si Evropa, të punonte e të krijonte si ajo. Për këtë, ai ishte i bindur dhe i vendosur, sado që realiteti bashkëkohor shqiptar shpesh nuk i jepte shkas për optimizëm. Kjo shpjegon pakënaqësinë e tij të vazhdueshme, zemërimin e hidhur që i zgjonin dukuritë negative në jetën shoqërore e shpirtërore të bashkatdhetarëve, kjo përligj në të shumtën e rasteve edhe satirën e sarkazmën e pamëshirshme të cilat ua kundërvuri mendimeve, mendësive dhe praktikave të mbrapshta që pengonin progresin dhe emancipimin e kombit. Lartësia nga e cila vështronte dhe aspironte Konica, kur qe fjala për Shqipërinë dhe shqiptarët ishte e një kuote evropiane. Prandaj, në këto kërkesa dhe qëndrime të rrepta, ai nuk u vu në rolin e mësuesit dhe edukatorit të kombit siç ndodhi me Naimin e rilindës të tjerë, por të kritikuesit e të kërkuesit.
Sigurisht, kjo pozitë e veçantë e Konicës, si dhe natyra e tij e vështirë për të bashkëpunuar me të tjerët, temperamenti egocentrik, sado vërshtërsi që i sollën personalitetit të tij nuk ia errësuan kurrsesi figurën në historinë e kulturës shqiptare. Ai mbeti një individualitet i spikatur si mendimtar, krijues e njeri, që e begatoi dhe e larmoi universin tonë kombëtar. Mendimet dhe gjykimet për Faik Konicën sado kontradiktore qofshin, vijnë në përfundime pak a shumë të përbashkëta kur bashkojmë në figurën e tij, sipas përcaktimit të Nolit, stilistin e përkryer, eruditin e shkëlqyer dhe atdhetarin e madh. Janë këto, tre dimensionet e personalitetit të Konicës, të cilat nuk mund të kuptohen pa kohën dhe mjedisin nga doli e u formua, pa rrethanat shqiptare dhe lidhjet me botën, pa dhuntitë e aftësitë e tij krijuese.
Dhe më në fund, po ta marrim veprimtarinë e Konicës, ai si në fusha të tjera, edhe në të kuptuarit e drejtë të lojrave politike ishte një shekull para bashkatdhetarëve të tij, i vetmi faj i Faik Konicës, për mendimin tim, është fakti se erdhi shumë para kohe në letërsinë dhe kulturën shqiptare e dhëna se ishte më inteligjent dhe më largpamësi në mesin e rilindasve të kohës së tij.
Merre nga ta marrësh, Faik Konica ishte dhe mbeti një vigan liberator i kulturës shqiptare që bëri shumë për Shqipërinë dhe për kombin tonë. Atë ne mund ta akuzojmë vetëm për një gjë: “pse nuk shkruajti më shumë”.
(Lexuar me rastin e shënimit të 80 – vjetorit të vdekjes së F. Konicës në Ulqin, më 22 dhjetor 2022)

Të fundit

më të lexuarat