Në një atmosferë tejet të këndshme dhe festive në praninë e prindërve, banorëve vendas, bashkëpunëtorëve dhe donatorëve, nxënësit dhe arsimtarët e Shkollës Fillore “Gjergj Kastrioti –Skënderbeu” në Triesh, shënuan Ditën e afarizmit duke zhvilluar edhe një varg aktivitetesh të larmishme që u përkojnë festave të fundvitit.
Duke përshëndetur të pranishmit, drejtori i shkollës Leon Gjuravçaj fillimisht iu drejtua nxënësve duke theksuar se festat e dhjetorit gjithherë janë të bukura, andaj si të tilla janë pjesë e pandarë e jetës shkollore, janë festa të gëzueshme dhe kanë karakter solemn, sepse dhjetori është muaji i dritave shumëngjyrëshe, muaji i urimeve, muaji i shpresave, muaji i buzëqeshjeve në veçanti në fytyrat e fëmijëve, muaji i magjisë së babagjyshit, muaji i dashurisë së përbashkët në prag të ndërrimit të moteve tek të gjitha grupmoshat shkollore. Duke iu drejtuar prindërve, bashkëpunëtorëve e donatorëve, ai nënvizoi se në saje të punës organizative të stafit drejtues, angazhimit të gjithë stafit pedagogjik të Shkollës Fillore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” si institucion edukativo-arsimor me kohë është e njohur si vatër e një mësimdhënie frymëzuese e në të njëjtën kohë edhe sfiduese. Por jo vetëm, ajo është edhe vatër e talenteve të rinj duke i qëndruar besnikë parimit se dija është investimi më fitimprurës i jetës. Andaj, vazhdoi Gjuravçaj, sot ky institucion i ka hapur dyert e saj, zemrat e të gjithë nxënësve me moton “Gjithçka për fëmijët dhe për të ardhmen e tyre”, duke u paraqitur para jush me performanca përmes këngëve, melodive, recitimeve, grimcave teatrale me dëshirë për t’u shprehur urimet e tyre juve të nderuar të pranishëm për këto festa të fundvitit, por edhe të demonstrimit të aftësisë e prirjes për finalizimin e punimeve artizanale, panairit të gatimit të produkteve ushqimore të cilat nxënësit me shumë kujdes e përkushtim, të ndihmuar nga arsimtarët entuziastë e kreativë e prindërit e zellshëm i kanë përgatitur me aq shumë dashuri e mjeshtëri.
Pjesë e pandarë e këtij aktiviteti ishte edhe ekspozita e punimeve të nxënësve të talentuar nga kultura e artit figurativ.

Drejtori Gjuravçaj përshëndeti e falënderoi zotëri Mark Rrok Gjolaj, bashkëvendësin nga fshati Muzheçk i Trieshit, pronarin e Kompanisë ‘’Art keramik’’ i cili për të dytën herë siguroi dhuratat për festat e fundvitit – Krishtlindje dhe Vit të Ri për të gjithë nxënësit në nivel të shkollës amë, paralelet Rudinë dhe Cem i Trieshit. Zotëri Gjolaj, krahas këtyre dhuratave, ahkollës i siguroi një kompjuter me vlerë prej 680 euro, rekuizite sporti për futboll e basketboll si dhe koktej për të gjithë të pranishmit.
Në vazhdim pasoi falënderimi për ‘’Zyrën e Avokaturës Preleviq’’ nga Podgorica, e cila po ashtu siguroi dhuratat për Vit të Ri për të gjithë nxënësit në nivel të shkollës.
Falënderim të veçantë drejtori shprehi për Kishën Katolike ‘’Zemra e Krishtit’’ nga Podgorica në krye me eprorin Don Janez Mirtek, që shkollës i dhuroi ngrohëset me gaz me vlerë afro 2.000 euro.
Fjalë falënderuese e mirësie pati për Shtjefën Ujkaj, udhëheqësin artistik të SHKA ‘’Besa’’, TV Boin në krye me drejtoreshën Sandra Bojaj dhe bashkëvendasin Gjokë Asanaj me banim në Podgoricë.
I gjithë ky aktivitet u zhvillua e u mbyll në një atmosferë festive madhështore me plot ovacione, shoqërim spontan dhe koktej të begatë përgatitur nga nxënësit, mësimdhënësit dhe donatori Gjolaj duke këmbyer urimet më të bukura në ndërrimin e moteve.
Donika Lulgjuraj