
Legjenda e Shpellës së Qelbët
Plazhi i grave / ose Shpella e Qelbët / gjendet ndërmjet hoteleve “Albatros “ dhe “Galeb” në lokalitetin e Pyllit të Pishave. Është e mbrojtur prej pamjes nga jashtësia dhe ofron kushte shumë të mira për rrezitje, larje në det, mjekim me faktorë natyrorë / uji mineral i sulfurit i cili buron në breg të detit/.
Gjatësia e plazhit është 100 m, një pjesë e saj është me zhavor, kurse në të dy anët është shkëmbore…
Këtu munden të lahen edhe notuesit e dobët sepse një pjesë është e cekët.
Në këtë vend gjithmonë kanë ardhur gra prej vendit si edhe prej vendeve tjera, duke kërkuar mjekim dhe ilaç që të mund të lindin si edhe shërim nga sëmundjet e tjera gjinekologjike.
Këtu mundën të shërohen me faktorë natyrorë edhe astma bronkiale tek fëmijët, si edhe sëmundjet e tjera kronike siç janë: reumatizmi, gjendjet post-traumatike neurologjike, disa sëmundje të lëkurës.
Legjenda për Shpellën e Qelbët
Në skaj të Plazhit të grave, pak e fshehur gjendet Shpella e Qelbët. Këtu herët në mëngjes gati çdo ditë para lindjes së diellit vijnë gratë të cilat kërkojnë të lindin me një grua tjetër si udhëheqëse dhe bëjnë një ritual të posaçëm i cili është i vjetër disa qindra vite. Gruja hyn në ujë të detit dhe i afrohet shpellës. Vendosë një pjesë të rrobave të saj në shkëmbin i cili gjendet në mesin e shpellës. Sillet tri herë rreth këtij shkëmbi në ujë. Pastaj del jashtë në bregun e detit në afërsi dhe merr ushqimin e përgatitur për mëngjes.
Legjenda thotë se ky ritual ndihmon.
(Nga libri “Mjekimi me faktorë natyrorë në regjionin e Ulqinit”)
Legjenda për Xhemilen
Para treqind vjetësh në këtë luginë e mbytën në mënyrë brutale nusen e re, Xhemilen me bukuri të rrallë. Gazetari dhe shkrimtari ulqinak Ali Llunji në bazë të kësaj legjende e botoi librin ”Lugu i Xhemiles” (dramë). Po i përshkruajmë disa fragmente nga kjo vepër…
Këtu e treqind vjetë më parë, në Ulqin jetonte një vajzë shumë e bukur. Emrin e kishte Xhemile. Ishte aq e pashme, saqë e lakmonin shumë djem konaqesh. Xhemilja e re si vera, e njomë si thëllëza, qendiste në gjergjef. Bëhej gati për nusëri… Pëlqente një djalë të varfër, por babai i saj – kapidan anije, e martoi për një detar. Pak kohë bëri me te dhe e la të vetmuar. Lundronte deteve për të siguruar jetesën. Detari i ri e la gruan në amanet. Dorëzanët – lugëtarët – bënë hatanë. Medet, medet…
Atë natë vrau rrëfeja. Ishte kohë e ligë. Bubullonte, vetonte. Dy gra vinin rrugicave të kalldrëmeve të ullishtës… dy hijeve nën qyrqe, ua dorzon nusen e re… Ajo dridhej si shelgu… këputën rrugën nën hijen e Mendrës dhe u futën thellë në pyll… që andej lugu u bë me gjak… çdokund fluturon shpirti i saj. Sa në tokë, sa në det, sa herë që ndëgjoni ushtimë deti – gjëmon zërin e saj, sa herë dëgjohen klithma pulëbardhash janë thirrjet e saj, këtu ditë e natë dëgjohen gjëmë, klithma.
( Nga libri “Mjekimi me faktorë natyrorë në regjionin e Ulqinit”)
Legjenda te Fusha e Qehajës
Miliha Karamanaga – Hidri rrëfen:
“Kam qenë nxënëse shkolle, ishte natë duke u kthyer nga shkolla. Në bedenin te Fusha e Qehajës janë disa penxhere të rrumbullakëta të drejtuara prej detit. Ndërmjet dy penxhereve të fundit janë tri hapësira të vogla.. Duke ecur menjëherë prej këtyre hapësirave të vogla doli flakë e kuqe…u frigova, shpejtova dhe mbërrita deri te shpja jonë.. Për këtë gjë nuk i fola askuj. Kaluan disa ditë, te na erdhi Hatmane Hoxha, vajza e kushërinit Musa Nagës. E shoqërova Hatmanen deri te Porta e Jallisë. I tregova se çka më ka ndodhur para disa netëve duke kaluar nëpër Fushë të Qehajës”.
Hatmanja u ndal dhe më tha:
“Kam dëgjua prej të moçëmve:
Para njëqind vjetëve, nuset janë marrë natën të hypura në kalë. Një herë duke kaluar kali me nuse te ato penxheret e vogla para bedenit te Fusha e Qehajës prej detit e gjuajnë me top Kalanë dhe vetëm nusja atëherë ka mbetur e vdekur…
Ti nuk je vetmja që e ke pa flakën e cila del prej këtyre penxhereve…”
(Nga libri në dorëshkrim “Mërgimtar”)
Legjenda për Bedenin e Kanunes
Prej Ali Peshkut dëgjova edhe këtë tregim për Bedenin i Kanunes.
Bedeni i Kanunes është sipër jallije i drejtuar nga plazhi i qytetit dhe gadishullit “Suka”. Aty gjithmonë kanë dalur dhe ulur më tepër gratë dhe të moshuarit për të shikuar Ranën, ardhjen dhe largimin e barkave prej Molit të Ulqinit. Aliu rrëfen:
“Kjo pjesë e Kalasë emrin e mori prej plakës Kanune e cila jetonte fillimisht në brendësi të Kalasë.
Para shumë viteve në një lundrim të gjatë deri në Skenderie (Aleksandria në Egjipt) ishin edhe kapidan Ismail Kalamishi me djalin Osmanin.
Nëpër detin Adriatik deri në dalje të Otrantos i përcjelli kohë e mirë me erëra të lehta.
Anija “Muradije” lundronte.. por pasi e lanë Detin Jon filloi tramuntana, valët ishin aq të mëdhaja sa e mbulonin tërë kuvertën e barkës.
Kapidani nuk u frikësua, çdo kush bënte punën e vet .
Kapidani i dha urdhër Hyseinit për të thirrur sallën (lajmërim për të vdekurit)
Hyseini i lidhur për dyrekun e parë më përmallim e thirri sallën – Enzanin.
Prej shtatë detarëve të “Muradijes” të cilën të thyer në disa copa e qiti deti në brigjet e Sicilisë , shpëtuan vetëm dy.
Kapidani, djali i tij Osmani kurse detarët Hyseini, Selimi dhe Hajdari u mbytën…
Pas disa ditëve detarët që vinin nga lundrimi e përhapën lajmin për mbytjen e anijes “Muradije”..
…
Kanunja , gruja e kapidan Ismailit kështu humbi djalin edhe burrin..
Ajo çdo ditë ishte në skaj të Kalasë, te bedeni mbi Jalli..
Nuk besonte se djali edhe burri nuk do të kthehen më nga lundrimi..
Kanunja shiti bylykun e ullinjve në Bishtë dhe ndërtji shtëpi të vogël në buzë të bedenit..
Dhe aty qëndronte ditë e natë duke pritur ardhjen e djalit dhe të burrit…
Këtë tregim ma tregoi babai im Sulejman ef. Peshku . Unë isha 5 vjeçar, kurse Brahim dhe Nail Karamanaga, Mustafë Ismajlaga, Xhemal Idrizaga ishin më të rritur”. Kështu e përfundoi Aliu këtë bisedë.
(Nga romani “Mullini i Erës”)
