Në vizitë zyrtare komunave të Plavës dhe Gucisë

Plavë/Guci – Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Mal të Zi, Rami Rexhepi, të martën më 27 dhjetor 2022 qëndroi në vizitë zyrtare komunave të Plavës dhe Gucisë, me ç’rast u takua me stafet punëdrejtuese të vetëqeverisjeve lokale të tyre.
Mysafirin e lartë nga Republika e Maqedonisë së Veriut, ambasadorin në Mal të Zi Rami Rexhepin në rezidencën e Komunës së Plavës e pritën dhe i dëshiruan mirëseardhje kryetari i Komunës, Nihad Canoviq, dhe kryetarja e Kuvendit të Komunës, Jasmina Cikotiq.
Duke i shprehur falënderim për vizitë, kryetari i komunës Nihad Canoviq, ambasadorin Rexhepi e ka njoftuar me potencialet e Plavës dhe ka theksuar interesimin e Komunës së Plavës për binjakëzim me ndonjë nga komunat e Republikës së Maqedonisë së Veriut, për të nxitur dhe avancuar bashkëpunimin në të gjitha fushat në interes të dyanshëm.
Bashkëbiseduesit në takimin miqësor kanë konstatuar se përmes komunikimeve të vetëqeverisjeve lokale përfitohet pasqyrëza më e mirë mbi gjendjen reale të bashkësisë dhe të nevojave konkrete të banorëve, dhe se në periudhën e kaluar kultura ka qenë pika më e mirë e lidhjes së Plavës me komunat e Maqedonisë së Veriut.
Në Komunën e Gucisë ambasadori Rami Rexheni, u prit me respektin më të lartë në kabinetin e kryetares së Komunës, të cilit mirëseardhje në takim i dëshiroi kryetarja e Komunës së Gucisë, Anella Çekiq e shoqëruar nga kryetari i Kuvendit të Komunës, Bujar Hasangjekaj dhe nënkryetarët e Komunës, Huso Brdakiq dhe Edon Balidemaj.
Gjatë takimit dypalësh miqësor është folur mbi bashkëpunimin e Komunës se Gucisë me Ambasadën e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Mal të Zi.
Kryetarja e Komunës, Anella Çekiq në fjalën e rastit ka falënderuar ambasadorin Rexhepi për ardhjen në vizitë zyrtare Komunës së Gucisë dhe e ka njoftuar me resurset, potencialet dhe planet zhvillimore të komunës. Po ashtu është folur edhe mbi bashkëpunimin në nivel të binjakëzimit me ndonjë komunë nga Republika e Maqedonisë së Veriut dhe në këtë drejtim janë përmendur komuna e qytetit të Shkupit – Gjorçe Petrov dhe të tjera, si Krusheva e Ohri, ku përmes binjakëzimit të Komunës së Gucisë dhe të komunës nga Maqedonia e Veriut, do të avancohej bashkëpunimi përkitazi me prezantimin e kulturës, traditës, adetit e zakonit, zbatimit të projekteve, shkëmbimit të përvojave.
Kryetarja Çekiq, ndër të tjera ka përmendur se në Shkup dhe në qytetet në rrethinë jeton numër i caktuar bashkëqytetarësh gucianë, andaj do të paraqiste kënaqësi që të avancohen lidhjet e ndërsjella të qytetarëve, shteteve dhe popujve.

Shaban Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat