Guci – Në seancën e katërt të rregullt të Kuvendit të Komunës së Gucisë, të mbajtur më 29 dhjetor 2022, në sallën e komunës në te cilën ishin të pranishëm 26 këshilltarë prej gjithsej 30 sa numëron Kuvendi, u shqyrtuan dhe u miratuan një vistër propozim-vendimesh, programesh e konkluzionesh të punës së organeve të qeverisjes lokale, të institucioneve publike dhe të organizatave që punojnë dhe veprojnë në kuadër të Komunës së Gucisë, ndër të cilat qendrore ishin propozim-vendimi për buxhetin dhe ai për planin e investimeve të Komunës së Gucisë për vitin 2023.
Seanca të cilën e hapi kryetari i Kuvendit, Bujar Hasangjekaj e cila me propozimin e tij filloi me një minutë heshtje në shenjë respekti dhe nderimi sekretarit tani të ndjerë të Kuvendit të Komunës së Gucisë, Enver Dedushaj i cili papritmas nga sulmi kardiak ndërroi jetë më 7 nëntor 2022, dhe se në detyrën e postit të sekretarit të Kuvendit të Komunës e kreu prej kthimit të statusit të komunës së pavarur të Gucisë në vitin 2014 e deri në vdekje. Të njëjtën detyrë gjashtë vite me radhë e ushtroi edhe në Kuvendin e Komunës së Plavës.
Puna e seancës filloi me miratimin njëzëri të procesverbalit nga seanca e tretë e rregullt e kuvendit, e mbajtur më 13 tetor 2022, dhe vazhdoi me shqyrtimin dhe miratimin e rendit të ditës të propozuar prej 18 pikash i cili pësoi ndryshim, sepse nga seanca u tërhoq pika e 12-të e radhës, propozim-vendimi për shitjen e patundshmërisë me marrëveshje të drejtpërdrejtë, ndërsa propozim-vendimi për buxhetin dhe ai për planin e investimeve të komunës për vitin 2023 të shqyrtohen në pako (së bashku), të cilat ishin dy pikat e parafundit të rendit të ditës, i cili nga këshilltarët e pranishëm u miratua njëzëri.
Propozim-vendimin e buxhetit të komunës për vitin 2023, në mënyrë koncize dhe analitike e prezantoi dhe e argumentoi sekretari për ekonomi, zhvillim dhe financa, Mirallem Bektesheviq, i cili ndër të tjera theksoi se buxheti është zhvillimor i projektuar në shumën 2.647.000,00 euro dhe i ndarë në buxhet operativ në shumën 1.758.700,00 euro, në buxhet kapital në shumën 858.300,00 euro, në rezervë rrjedhëse të buxhetit në shumën 20.000,00 euro dhe në rezervë të përhershme buxhetore në shumën 10.000,00 euro. Propozimin e planit të investimeve të komunës për vitin 2023 në mënyrë koncize dhe kronologjike e prezantoi drejtori i Drejtorisë për investime dhe rregullim hapësinor, Shemso Jaroviq i cili theksoi se shuma decide e projekt-planit në fjalë i cili financohet nga buxheti kapital i komunës, nuk është e definuar.
Përkitazi me buxhetin dhe planin e investimeve për vitin 2023, diskutuan ca këshilltarë të pozitës dhe opozitës të cilët në mënyrë koncize shprehën qëndrimet dhe shikimet e veta përmes vërejtjeve dhe sugjerimeve.
Buxhetin dhe planin e investimeve të Komunës së Gucisë për vitin 2023, këshilltarët e pranishëm me votim të hapur e miratuan me 19 vota “për”, 1 “kundër dhe 1 “të përmbajtur”.
Gjatë punës rreth dy orëshe të seancës, këshilltarët me dhe pa pjesëmarrje në diskutim, njëzëri ose me shumicë votash “për” shqyrtuan dhe miratuan edhe propozim-vendimet, konkluzionet dhe programet e përfshira në rendin e ditës të cilat i prezantuan dhe i argumentuan përpunuesit e tyre, ndër të cilat veçojmë: propozim-vendimin mbi dhënien e pëlqimit të vendimit për miratimin e çmimeve të furnizimit publik me ujë dhe menaxhimin me ujëra të zeza komunale për personat juridikë dhe fizikë për vitin 2023 të SHKP “Veprimtaritë komunale” në Guci, mbi financimin e partive politike, mbi bashkëfinancimin e ofrimit të shërbimit “ndihma në shtëpi” për personat e rritur dhe të moshuar në Komunën e Gucisë për vitin 2023, mbi përcaktimin e lokacionit me elementet e kushteve urbanistiko-teknike për ndërtimin e objektit lokal të interesit të përgjithshëm, tri propozim-vendime mbi shitjen e patundshmërive me marrëveshje të drejtpërdrejtë, mbi shfuqizimin e vendimit të Kuvendit të Komunës së Gucisë për zgjatjet e vlefshmërisë së vendimit për planet në rajonin e Komunës së Gucisë, mbi shkarkimin dhe emërimin e anëtarit të këshillit për bashkëpunim të vetëqeverisjes lokale dhe të organizatave joqeveritare, mbi shkarkimin dhe emërimin e anëtarit të këshillit për monitorimin e realizimit të kushtetutës dhe statutit dhe mbi shkarkimin dhe emërimin e anëtarit të këshillit për dispozita. Po ashtu këshilltarët shqyrtuan dhe miratuan edhe konkluzionet mbi dhënien e pëlqimit për programin e punës dhe planin financiar të SHPK “Veprimtaritë komunale” në Guci për vitin 2023, mbi dhënien e pëlqimit për programin e punës dhe planin financiar të Qendrës për Kulturë në Guci për vitin 2023, si dhe mbi programin e punës së Komunës së Gucisë për vitin 2023.
Në pikën e fundit të rendit të ditës së seancës, pyetjet dhe përgjigjet e këshilltarëve u paraqitën tre sish, të cilët në pyetjet e parashtruara kërkuan përgjigjet me shkrim.
Shaban Hasangjekaj
