Ulqin – Kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari, e ka cilësuar vitin 2022 si një vit të suksesshëm, që sipas tij riktheu vetëbesimin e lëkundur dhe dëshmoi se udhëheqja e re din të marrë vendime dhe të menaxhojë në mënyrë të pavarur këtë komunë.
Ai i ka bërë këto deklarata në koktejin dhe mbrëmjen gala të organizuar në prag të Vitit të Ri (29 dhjetor 2022), në Qendrën e Kulturës – Ulqin.
“Ky ishte viti kur në një kohë rekord stabilizuam financat publike, treguam se si menaxhohen paratë e qytetarëve dhe miratuam buxhetin më të madh në historinë e qytetit për vitin e ardhshëm 2023 prej gati 18 milionë euro”, ka theksuar ai.
Bajraktari ka thënë se gjatë këtyre 200 ditëve në drejtim të Komunës së Ulqinit e kanë konfirmuar se “kur menaxhohet mirë, ka para për të gjithë – nga studentët dhe sportistët, përmes fermerëve dhe organizatave të shoqërisë civile e deri te punonjësit në administratën komunale dhe ndërmarrjet publike, themeluesit e të cilave jemi ne”.
Në fjalën e tij përshëndetëse, ai ka bërë një përmbledhje të punëve dhe rezultateve të arritura gjatë vitit 2022 dhe parashikimet për vitin 2023.
“Po shtrojmë rrugët tona, jemi një hap më afër ndërtimit të bulevardit të ri në Fushën e Ulqinit, si dhe të një stadiumi të ri në Plazhin e Madh. Po bëhet rinovimi i Molit të Madh, në fillim të vitit do të nisë faza e dytë e rikonstruksionit të rrugëve në Kala dhe shpresojmë të ndërtohet porti i peshkimit. Ne kemi zhbllokuar projektin e ujësjellësit dhe ujërave të zeza me Bankën Gjermane për Zhvillim – KFW, vlera e të cilit është vetëm faza e parë prej rreth 20 milionë euro. Puna më e madhe na pret në ngritjen e cilësisë së ofertës sonë turistike, mbi të gjitha në rinovimin dhe ndërtimin e hoteleve të reja”, ka theksuar Bajraktari.
Për të gjitha këto, kryetari i Komunës së Ulqinit ka falënderuar partnerët e koalicionit qeverisës, opozitën e përgjegjshme në Kuvendin e Komunës së Ulqinit, Qeverinë e Malit të Zi, diasporën nga Ulqini në ShBA dhe vende të tjera.
“Këtë nuk do të kishim arritur pa një bashkëpunim të jashtëzakonshëm me Qeverinë e Malit të Zi dhe kryeministrin Dritan Abazoviq. Dua ta falënderoj përzemërsisht për përkushtimin dhe vizionin e tij për këtë qytet”, ka deklaruar Bajraktari.
Ai ka thënë se është i bindur se dekada e ardhshme është dekada e Ulqinit dhe se tashmë ajo ka filluar.
“Ky qytet dhe banorët e tij e merituan këtë pas një vonese të gjatë, që është vërtet mëkat nëse dimë se çfarë potencialesh dhe resursesh kemi ne”, ka thënë kryetari i Komunës së Ulqinit.
Bajraktari u zgjodh kryetar i Komunës së Ulqinit në seancën e Kuvendit, të mbajtur më 3 qershor 2022, si kandidat i koalicionit qeverisës të formuar nga koalicioni “Fillimi i Ri” dhe Forca e Re Demokratike. Në zgjedhjet lokale të mbajtura më 27 mars 2022, koalicioni “Fillimi i Ri” (Lëvizja Qytetare URA, Partia Demokratike, Socialdemokratët, Partia Socialdemokrate dhe Alternativa Shqiptare) të cilit i printe Bajraktari fitoi më së shumti – 14 këshilltarë nga 33 sa ka gjithsej Kuvendi i Komunës së Ulqinit.
i. k.
