
Gazetari dhe publicisti i mirënjohur shqiptar, Orest Çipa gjatë qëndrimit në Nju Jork të SHBA-së vizitoi të burgosurin politik, pilotin e parë shqiptar, lahutarin dhe vizionarin e shquar shumëdimensional shqiptar, Rexhep Galin Balidemaj nga fshati Martinaj i Komunës së Gucisë me rastin e shënimit të përvjetorit jubilar – 100-vjetorit të lindjes së tij, me të cilin zhvilloi një bisedë të përzemërt e miqësore, me peshë dhe vlerë vërtetë të madhe, të cilën e publikoi në gazetën “Tema” të Tiranës.
“Barra e rëndë e viteve iaa ka ngadalësuar pak hapin, deri në çapitje, ia ka tkurrur krahërorin e tij prej malësori, ia ka zbardhur flokët, por s’ka mundur dot t’ia shuajë zjarrin e shkëlqimit të syve, mprehtësinë e mendimit dhe hijen e kësaj ‘race’ të rrallë burri”, është kjo shprehje vigjilente e hyrjes në bisedë të gazetarit Orest Çipa me bashkëbiseduesin e vet të nderuar njëqind-vjeçarin Rexhep Galin Balidemaj.
Edhe pse ai sot është 100-vjeç, bac Rexhep Gali Balidemaj e ruan me kokëfortësi vitalitetin dhe fisnikërinë e kreshnikëve shqiptarë. Udhëjeta e tij njëshekullore është dëshmia më e gjallë e plagëve të cilat ende lengojnë nën lëkurën e drobitur të kombit tonë. Kjo frymë e zjarrtë shqiptari, na jep dritë nga errësira e gjakosur e së shkuarës, që ende vardiset në dhimbjen e mijëra dhimbjeve të trashëguara brez pas brezi, deri në ditën që do të kryhet amaneti, shkruan në shënimin e bisedës së vet gazetari Çipa dhe shton: Ai na priti ashtu siç e do zakoni!
“Burri e pret mikun dhe hasmin tek pragu i derës dhe e fton në vatrën e tij, apo e kam gabim burra?!”, thotë i buzëqeshur mikpritësi baca Rexhep. “Për atë nderë burri, ashtu është Baca Rexhë!”- ia ktheu miku im Qazim Doda, thekson në shkrimin e vet gazetari Çipa dhe shton:
Pasi shtrënguam duart dhe hymë në derën e këtij “martiri” të gjallë vuajtjesh, sytë më shkuan tek Kanuni i Lekë Dukagjinit. Çfarë kontrasti i bukur! Ky plak virtuoz 100-vjeçar, i cili jeton prej 30-vitesh në Nju Jork, ende e do pranë këtë libër të “shenjtë” të malësorëve shqiptarë.
Baca Rexhë u ul në divan. Pas supeve të tij ishte e hedhur një lëkurë e regjur bagëtie (zakon i trashëguar në breza), në krahun e majtë ishte një skulpturë e heroit legjendar Adem Jashari. Për më afër, në të djathtën e tij ishte një lahutë e gdhendur bukur. Pasi mori frymë thellë, e rrëmbeu lahutën dhe nisi të na këndojë një këngë mikpritjeje.
O mirë se ardhe o burr i Labërisë / ma ke gëzue shpirtin e konakun/ e gjithmonë i gëzoftun kiofsh/ si shkipja me flamurgjakun/ o burr i Labërisë, o shqiptari burr/ Kiofsh në jet e mot, i fort si i y’ni gur/.
Unë u përhumba në një botë tjetër…shprehet gazetari Çipa në shkrimin e shënimit të bisedës dhe shton: më ishte kënduar qysh në djep vëndçja shqiptare (polifonia), e sot që jam 34-vjeç më këndohej me lahutë. Tingujt e lahutës të cilat përfitoheshin duke i rënë kordhës me hark, më drithëronin lëkurën. Qazimi më kallëzoi se baca Rexhë e dinte përmendësh të gjithë Lahutën e Malcis së Atë Gjergj Fishtës, po ashtu herë pas here ai këndonte me lahutë dhe e kishte si ilaç për të mos humbur në meditimin e moshës. Ky plak fisnik nuk ditka vetëm të durojë rropatjet dhe torturat e shkjaut, por ditka të ngrejë lart traditën, kultin e të parëve, historinë dhe ngjarjet e lavdishme të eposit tonë. Pasi përfundoi këngën e përqafova me dashuri të madhe dhe nisa ta pyes – shkruan gazetari Çipa në tekstin e shënimit të bisedës.
Sa vite mban mbi supe bac?
“Kam lind më 19 dhjetor të vitit 1922 në fshatin Martinaj të Gucisë. Aty kreva edhe shkollën fillore, ndërsa gjimnazin siç quhej atëherë e bëra në Plavë në gjuhën serbe, pasi asokohe nuk kishte asnjë shkollë që jepte mësim në gjuhën shqipe”.
Në pyetjen e radhës të gazetarit Çipa, si mësove ta shkruash shqipen, baca Rexhë i jep përgjigjen: “Ishte rastësi e bukur e cila më ndryshoi komplet rrjedhën e jetës. Në vitin 1941 vendlindjen time e vizitoi ministri i shtetit Qazim Koculi (atëherë ishte qeveria kolaboracioniste shqiptare). Me sa duket në atë periudhë, patriotët shqiptarë kanë dashur të arsimojnë individë të veçantë nga trojet e mbetura jashtë kufijve të Shqipërisë. Më kujtohet se Ernest Koliqi ka qenë përgjegjës i 200 mësonjësve të këndimit të shqipes. Me një letër të posaçme që ministri më dha, unë shkova në Tiranë dhe u regjistrova në gjimnaz. Në këtë periudhë u njoha me Qemal Stafën e patriotë të tjerë, ku së bashku morëm pjesë në disa aksione antifashiste. Më pas, në verën e 43-shit u ktheva në vendlindje, ku u angazhova në lëvizjen rinore të Plavës e të Gucisë. Në vjeshtën e po atij viti, u regjistrova në aradhat partizane me të cilat luftova deri në Trieste të Sllovenisë.
Gazetari Orest Çipa në shënimin e vet të bisedës shkruan se në pyetjen vijuese ç’ndodhi në jetën tënde pas çlirimit, baca Rexhë me përkushtim i përgjigjet: “Isha i etur për dije, mu krijua mundësia të shkoja në Beograd, aty bëra kursin për shifrant. Punova për pak vite në Gardën e Titos, por isha i lodhur duke mbajtur pushkën mbi supe, doja diçka më shumë, doja dije. Nga vitin 1946 së bashku me një grup kolegësh, fituam të drejtën për të studiuar në Kiev të Bashkimit Sovjetik (në atë periudhë). Ne ishim klasa e parë nga ish-Jugosllavia që do të trajnoheshim për t’u bërë pilotë. Aty qëndrova 2 vite. Kishte studentë nga e gjithë bota. U njoha me shumë shqiptarë të cilët i ndihmova dhe u gjetëm pranë njëri-tjetrit. Në vitin 1948, pasi përfundova kursin, u punësova si pilot ushtarak – i parë shqiptar, në Zemun, një qytet afër Beogradit”.
Në pyetjen vijuese të bisedës vërtetë të këndshme miqësore – ç’ndodhi më pas, gazetari Çipa shkruan se nga baca Rexhë kishte marrë përgjigje decide: “Këtu nisi një kapitull tjetër i jetës time. Në një poezi që kam shkruajtur dikur, po ju kujtoj vetëm esencën e saj me një fjalë: “Në këtë udhë që kisha hekun / u degëzue në dy rrugë t’jera / njëra ishte me lule, tjetra ishte me therra/”. Mu desh të zgjidhja rrugën e dytë! Po në vitin 1948, me prishjen e marrëdhënieve pas Rezolutës së Informbyrosë, kur u prish Titoja me Stalinin, u mbyll hermetikisht edhe kufiri me Shqipërinë dhe për 45 vite nuk kam shkuar më. Këtu u përcaktua për mbrojtjen e çështjes kombëtare shqiptare, sepse në anën e Rezolutës ishte Shqipëria. Kur u mora në pyetje si shqiptar, donin të dinin për bindjet e mia pas prishjes së Jugosllavisë me Rusinë. Unë isha i brumosur me ndjenja patriotike. Ne të ‘trojeve’ e donim Shqipërinë deri në vdekje. Ju thashë me bindje të fortë se me kë ishte Shqipëria, isha edhe unë. Pas kësaj përgjigjeje u arrestova si informbiro-ist dhe u dënova me 6 vite burg. Dënimin e vuajta në burgun më famëkeq të ish-Jugosllavisë, në Goli Otok. Burgu ishte një tmerr i vërtetë! Kurr s’kam për ta harruar.
Në pyetjen e radhës, çka të kujtohet nga burgu, gazetari Çipa shkruan se përgjigja e bacit Rexhë ka qenë decide dhe e shkurtër: “Më mirë pyet këtë lëkurë e këto kocka”.
Në dy pyetjet tjera vijuese, cilat kanë qenë torturat më të vështira që keni ndier dhe dhimbja më e madhe, a ka qenë dhimbje fizike apo dhimbje shpirtërore, gazetari Orest Çipa shkruan se përgjigjja e baca Rexhës ka qenë shumë përfshirëse dhe koncize. “Çdo i burgosur politik në burgjet e regjimit serb ka përjetuar tortura të tmerrshme dhe në fund shumë nga ne kanë vdekur nga ato tortura mizore. Presioni psikologjik ka qenë i tmerrshëm, dhunimi ynë ka qenë nga më brutali. Rrahjet ishin të shpeshta, një apo disa herë në ditë. Kishte mungesa ushqimi e uji dhe ka qenë një i ftohtë i madh, që të bënte ta humbisje shpeshherë vetëdijen. Kur gardianët lodheshin duka na rrahur, na detyronin të bartnim gurë të rëndë tërë ditën, e ne shqiptarët kemi lindur për vuajtje. Nuk dua të zgjatem tek torturat sepse janë të shumta. Shumë shqiptarë kanë dhënë shpirt për së gjalli në ato burgje! Sot këta politikanët tanë po e shesin vendin për pushtet (shpreh dhimbje të thellë bashkëbiseduesi). Në hetuesi më së shumti jam maltretuar nga UDB-ashët shqiptarë. Edhe serbët më mundonin shumë, ndërsa malazezët ishin pak më të përmbajtur. UDB-ashët shqiptarë më urrenin se e doja Shqipërinë dhe flisja edhe para tyre kundër Jugosllavisë. Ata ishin të betuar për atë shtet, dhe e merrnin shumë personale.
Shumë prekëse ishte përgjigjja e baca Rexhës në pyetjen – po pas burgut ç’ndodhi, shkruan gazetari Çipa në shënimin e bisedës. “Burg pas burgut e burg pas burgut (qesh me ironi ai). Kam qenë gjithsej në 13 burgje në vende të ndryshme në ish-Jugosllavi. Pas vuajtjes së dënimit, në vitin 1956 u ktheva në vendlindje. Mirëpo, ndonjëherë liria më e zezë se burgu. Tani më ishte qepur nga pas UDB-ja. Një rast i rendomtë në fshatin e lindjes, ku unë dola në mbrojtjen e një fshatarit tim të cilin UDB-ja e kishte nën vëzhgim, u penalizova bashkë me të. Akuzohesha për propagandë armiqësore dhe mu privua liria ime me 3 vite burg, të cilat i vuajta në burgun e Kotorrit. Një rast i tillë më bëri të kuptoja se propaganda serbe kishte arritur të asimilonte pothuajse 80 përqind të popullatës shqiptare. Më kujtohet se kur isha i ri, ngaqë këndoja mirë, prifti ortodoks donte të ma bënte emrin nga Rexhep në Ranko. Por, në rastin që u tregova pak më parë, ishte dakordësimi 100 përqind me votë i fshatarëve të mi që unë të shkoja në burg. Ata u pyetën në atë mbledhje se kush është për ta dënuar Rexhep Balidemajn. Unë disi e kisha një besim të plotë se të paktën do të mbrohesha nga njerëzit e mi, sepse ngrisja zërin për të drejtat e shqiptarëve, por ndodhi e kundërta dhe u habita se si disa prej tyre i kishin ngritur nga dy duar, që të dukeshin se janë më shumë. I joti ta kall datën”!
Në pyetjen e mëtejme, po pas lirimit nga ky dënim si i kishe punët, gazetari Çipa shkruan se përgjigjja e baca Rexhës ishte e qartë dhe decide. “Keq e mos më keq. S’kisha ku të shkoja, u ktheva në vendlindje. Ca njerëz të mi më ndihmuan të filloja punë si rojtar pyjesh. Por edhe këtu nuk kisha mundësi të merrja frymë! Sërish kisha nga pas UDB-në. Pas tre vitesh i lirë, më arrestojnë përsëri. Kësaj here më dënuan me dy vite burg, në Ishullin Gërgur. Pasi u lirova ishte e vështirë të gjeja punë, mbeta disa vite pa punë. Pastaj ika në Kosovë. Në këtë periudhë kam qenë i martuar dhe kisha dy fëmijë. Disa dashamirës të familjes, që kishin edhe lidhje gjaku të cilët jetonin dhe punonin në Prishtinë, me punësuan në Ndërmarrjen ‘Ramiz Sadiku’, ku punova deri në vitin 1981. Prej aty, pa kaluar shumë kohë u angazhova në demonstratat e studentëve të po atij viti dhe përsëri u prangosa nga policia serbe. Kësaj here më çuan në burgun e Lipjanit. Ky burg nuk zgjati shumë, gati dy muaj. Aty u njoha me veprimtarët e rinj të çështjes së shqiptarëve të Kosovës dhe u angazhova në të famshmen ‘Lëvizja Treshe’. Isha i madh në moshë, mirëpo vuajtjet e këtyre viteve më kishin bërë më të forte. Ne vitin 1983 u arrestova përsëri dhe u dënova me 5 vite burg. Në këtë periudhë gjërat kishin ndryshuar, unë kisha një emër, isha ‘veteran’ burgjesh! Për fatin tim të mirë, kësaj radhe më mori në mbrojtje avokati i njohur Bajram Kelmendi, dhe pas disa përpjekjeve të tij me ndërkombëtarët, dënimin e zbritën nga 5 në 3 vite burg, të cilat i vuajta në burgun e Prishtinës, Gjurakovcit dhe Gjilanit. Pas këtij burgu, i bëra edhe dy muaj te tjerë brenda se kështu ishte shkruar për mua. Kush e do atdheun, vuan!
Mirëpo isha i nderuar që kisha bashkëpunim të ngushtë me Rexhep Malajn, Nuhi Berishën e Afrim Zhitinë. Të tre kanë rënë heroikisht në luftë kundër pushtuesit serb. Dy të parët në vitin 1984, kurse Afrimi u vra në vitin 1989. Në Kosovë veprohej në sistemin e treshit (siç u tha më parë), dhe në këtë mënyrë i shpëtonin të tjerët edhe nëse ndonjëri arrestohej nga UDB-ja. Unë isha kryefortë për bindjet e mia patriotike, se e doja Shqipërinë. Por nëse je patriot, të rëndonte barra e vuajtjes dhe mbijetesës e cila t’i stërgjatë mundimet dhe të vë në sprovë të madhe dinjitetin. Por nëse je burrë, asgjë nuk ta nënshtronte dot shpirtin”!
