
Në hotelin “Olympic” të Ulqinit, që gjendet një bërçik buzë plazhit, vinin plot mysafirë të huaj. Hansi qe gati i përhershëm, saqë kamerierët e pagëzuan “Hamz”. Kaq “shqiptar” u bë Hansi sa filloi të mësojë edhe ca fjalë shqipe. U bë shumë i afërt me kamerierët, natyrisht u jepte edhe bakshish të mirë, si të ishte shkodran. Prandaj të gjithë kishin dëshirë t’i shërbenin Hamzit, siç i thonin ata, edhe pse qëndronte pak si gjatë në tavolinë mbi ca libra të vjetër.
Të premten, mysafiri vizitoi tregun, fotografoi shitëset me kostume popullore. Pasi e kreu punën, nxitoi në Ranë, buzë detit. U ul në kënd të kafenesë. Kundronte detin dhe Kalanë e lashtë. Dhe mandej humbte në leximin e librave që merrte me vete kudo. Leximin e shtynte me një shishe verë që porosiste. Por atë ditë, leximin ia prishën ca kalimtarë që e njihnin. Ata e përshëndetën, e meqë dinin gjermanisht sa për t’u marrë vesh dhe e kishin që në hotel urën e miqësisë, ai i ftoi në tavolinë dhe për nder të tyre mbylli librin, e futi në trastë të cilën e vari në shpinë të karriges. Cakërronin gotat. Pinë mirë e mirë. Gjermani ishte i kënaqur për mirësjelljen dhe respektin që tregonin për të e ndryshe nga shumë e shumë të huaj, porosiste për miqtë e tavolinës së tij.
Koha i kishte fluturuar më shpejt se dallëndyshet e detit që silleshin vërdallë. Pa orën dhe me habi vërejti se akrepat po i afroheshin orës 14. U ngrit me nxitim nga karriga kur pa një taksi dhe i bëri shenjë shoferit të ndalonte. Pagoi gjithçka kishte porositur, u dha dorën pijetarëve dhe me taksi nxitoi në hotel. Posa ra në shtrat, gjumi i erdhi plumb i rëndë. Vetëm kur maestrali po qetësohej dhe dielli ikte pas Gjeranave, i hapi sytë. Porsa erdhi në vete, u mbush në djersë nga sikleti. “O Zot”, – tha me vete, – “i harrova librat! I humba?! Sa keq! Me siguri m’i kanë vjedhur”.
Dhe mezi e priste taksinë për të mbërritur sa më parë në kafenenë ku kishte pirë verë. U dridh i tëri nga frika se ia kishin marrë librat. Përshëndeti me sy, pa i thënë kamerierit as mirëdita. E duke bëlbëzuar, pyeti:
- Mos…mos vallë i keni gjetur…ca libra…se i harrova kur piva te ju sot…
Kamerieri i foli butë e miqësisht gjermanit: - Oh, s’ka pse të shqetësoheni kaq shumë për ca libra, zotëri…
- Si të mos shqetësohem?! Njëri prej tyre është unik…Nuk e di a më kuptoni?! S’e ka askush…
- O zotëri Hans (nuk i tha Hamz ngase qe i bërë dyll në fytyrë), i le në shpinë të karriges, i mora, ia dhashë banakierit dhe tek i ke…Ka pesë orë që s’i ka prekur askush…
Ai s’po u besonte syve. Të gjitha librat e fletoret ishin aty. - Ju faleminderit! Ju faleminderit! Po gëzohem sa s’ka…I luti të pranishmit t’i qeraste me pije, ndërsa për kamerierin nxori një kartmonedhë nga portofoli i tij i mufatur me euro.
Kamerieri mbushi tabakanë me pije dhe nisi t’i shpërndajë në tavolinat e klientëve që ndodheshin në lokal, sipas porosisë së “Hamzit”.
Gotat cingërronin. Hansi ishte i lumtur. Dhe dikur plot besim tha: - Ju qenkeni popull i ndershëm, nuk m’i vodhët librat. Çfarë kombësie jeton këtu?
- Kryesisht shqiptarë – sqaroi kamerieri elegant e me një gjermanishte të rrjedhshme.
- Të ndershëm (erliche, erliche)…
Një plak që po e përcillte gjermanin e gëzuar, qeshte më shumë se të tjerët. - Shyqyr Zotit që s’ka harruar diçka tjetër, se s’i kishte pa me sy. Librat edhe një javë i kishte gjetur këtu. Mos ia përkthe këtë që thashë – fliste plaku duke buzëqeshur me kamerierin.
Kamerieri i qëndroi besnik lutjes së plakut, por posa gjermani iku me trastën e librave në shpinë, gjithë sa qenë në lokal qeshën me atë që tha plaku detar e qysh atë ditë lokali e tjetërsoi emrin dhe të gjithë thonin: “Po shkoj të pi një kafe te librat e gjermanit”.
(Nga libri në dorëshkrim “Ndodhitë e Ditit”)
