Gjest i këndshëm dhe human i Mark Gjolajt

Me këtë gjest të këndshëm dhe human bamirësi i njohur Mark Gjolaj u tregoi me vepër nxënësve të kësaj shkolle me traditë më se një shekullore, ku edhe unë i mora mësimet e para dhe dhashë kontributin tim modest në mësimin e gjuhës shqipe, se nuk janë të harruar dhe se mund të llogarisin në mbështetjen e tij.

Falë humanistit të dëshmuar trieshjan Mark Gjolaj, nxënësve të Shkollës Fillore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” të Trieshit iu ndanë 55 pako, një laptop dhe disa topa në prag të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri. Kjo ditë ishte e gëzueshme për fëmijët trieshjanë, sepse ishte hera e dytë që ky bashkëvendës i tyre, i cili jeton në Tuz u jep dhurata. Gjolaj thotë se dhurata është mënyra më e bukur për të treguar “atë që ndjejmë, për të treguar atë që mendojmë, për t’u bërë miq me dikë” dhe shton se “është përpjekur që t’u bëjë më të gëzuara festat e ardhshme të fundvitit – Krishtlindjen dhe Vitin e Ri”.
Me këtë gjest të këndshëm dhe human bamirësi i njohur Mark Gjolaj u tregoi me vepër nxënësve të kësaj shkolle me traditë më se një shekullore, ku edhe unë i mora mësimet e para dhe dhashë kontributin tim modest në mësimin e gjuhës shqipe, se nuk janë të harruar dhe se mund të llogarisin në mbështetjen e tij. Këto dhurata për filloristët e Trieshit gjithsesi janë edhe një nxitje për të mësuar dhe punuar më shumë.
Të pranishëm në këtë ceremoni festive përveç nxënësve ishin edhe mësimdhënësit, prindërit e mysafirët nga Tuzi e Podgorica, ndër ta edhe meshtari i Kishës Katolike në Konik. Të gjithë së bashku u dëfryen, u kënaqën dhe u gëzuan. Nxënësit që ndoshta më së paku e prisnin me këtë rast, gjatë këtyre festave të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, kishin edhe babagjyshin e tyre të shumëpritur i cili u ndau dhurata, ndërsa ai për këmbim mori buzëqeshjet e fëmijëve.
Të buzëqeshur e të kënaqur atë ditë nuk ishin vetëm fëmijët, mësimdhënësit e prindërit, por edhe anëtarët e Shoqërisë Kulturore – Artistike “ Besa” nga Trieshi, të cilët argëtuan publikun me këngë e melodi të bukura muzikore bashkë me nxënësit e shkollës.

Ky gëzim i madh me rastin e ndarjes së dhuratave nxënësve të kësaj shkolle përfundoi me një koktej me bollëk të përgatitur nga donatori i këtij aktiviteti, afaristi i suksesshëm Mark Gjolaj, me zemër të gjerë dhe të madhe të cilin shkolla e falënderoi për veprimin e tij solidar e njerëzor, për shkak se ai solli gëzim dhe lumturi në zemrat e këtyre vogëlushëve shqiptarë, pranë kufirit me shtetin amë – Shqipërinë.

Gjekë Gjonaj

Të fundit

më të lexuarat