Miratohet buxheti dhe plani i investimeve për vitin 2023

Plavë – Në seancën e dytë të rregullt të Kuvendit të Komunës së Plavës, të mbajtur më 22 dhjetor 2022, në sallën e vogël të Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq”, në të cilën ishin të pranishëm 25 këshilltarë, prej gjithsej 31 sa numëron kuvendi, u shqyrtuan dhe u miratuan ca propozim-vendime të cilat temë shqyrtimi kishin aktivitetet dhe veprimtaritë e punës së organeve dhe institucioneve të administratës lokale, ndër të cilat qendrore ishin propozim-vendimi për buxhetin dhe për planin e investimeve të Komunës së Plavës për vitin 2023.
Theksojmë se seanca u thirr dhe u mbajt në përbërje të kuvendit të mandatit të kaluar, pasi që ende nuk është bërë konstituimi i përbërjes së re të kuvendit nga zgjedhjet lokale të mbajtura më 23 tetor të këtij viti, në të cilat shumicën e mandateve (16 sish) i fitoi koalicioni parazgjedhor (PDS,PSD, SD) për shkak të ankesës nga ana e degës në Plavë të Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve dërguar Gjykatës Kushtetuese e cila është e bllokuar, për moslejim pjesëmarrjeje në zgjedhjet lokale në fjalë nga Këshilli Komunal Zgjedhor i Plavës, i mbështetur edhe nga ai shtetëror për shkak të mosplotësimit të kritereve të parapara me ligj.
Pas hapjes së seancës nga kryetarja e Kuvendit në mandatin e kaluar, Jasmina Cikotiq, njëzëri nga këshilltarët pa vërejtje u miratuan procesverbalet nga seanca e parë e rregullt e mbajtur më 31 mars 2022 dhe seanca e parë e jashtëzakonshme e mbajtur më 21 tetor 2022.
Rendi i propozuar i ditës prej pesë pikash, i prezantuar nga kryetarja e Kuvendit, po ashtu u miratua njëzëri nga këshilltarët e pranishëm pa plotësime dhe ndryshime.
Seanca filloi punën sipas rendit të ditës me shqyrtimin e propozim-vendimit mbi buxhetin e Komunës së Plavës për vitin 2023, që ishte njëri ndër tri propozim-vendimet e rendit të ditës, e njëherazi edhe temë qendrore e trajtimit të tij, të cilin e parashtroi dhe në mënyrë koncize dhe analitike e argumentoi ndihmësi i sekretarit të Sekretariatit për ekonomi, zhvillim dhe financa, Sullejman Deshiq, i cili ndër të tjera theksoi se buxheti është zhvillimor i projektuar në shumën 3.680.000,00 eurosh, i ndarë në shpenzimet rrjedhëse 2.512.700,00 euro, në shpenzimet kapitale 637.550,00 euro, në pagesat e borxhit 489.750,00 euro dhe në rezervat 40.000,00 euro. Pas trajtimit dhe shqyrtimit konciz e analitik, ku me diskutimet e veta morën pjesë katër këshilltarë të opozitës dhe sekretari i Komunës, Hasim Radonçiq, të cilët dhanë lëvdatat, vërejtjet dhe sugjerimet lidhur me koncipimin e buxhetit, atë me votim të hapur e miratuan njëzëri këshilltarët e pranishëm.
Propozimin e planit të investimeve të Komunës së Plavës për vitin 2023 në shumë prej 557.500.00 eurosh, të cilat financohen nga mjetet e buxhetit kapital, të cilin në mënyre koncize dhe kronologjike e parashtroi dhe me shifra e fjalë e argumentoi drejtori i Investimeve dhe mjedisit hapësinor, Fuad Feratoviq, pas ca vërejtjesh dhe sugjerimesh që i dhanë këshilltarët pjesëmarrës në diskutim, u miratua njëzëri. Gjatë punës së seancës së Kuvendit që zgjati një orë e gjysmë, këshilltarët njëzëri miratuan propozim-vendimin mbi dhënien në menaxhim të përkohshëm dhe shfrytëzim të hapësirës afariste e cila gjendet në objektin e Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq” në Plavë, Ministrisë së Sportit dhe të Rinjve të Malit të Zi.
Ndërkaq, propozim-vendimin mbi verifikimin e vendimit për emërimin e anëtarëve të këshillit të drejtorive të SHPK “Veprimtaritë Komunale” në Plavë, e kundërshtuan këshilltarët e pranishëm të Partisë Boshnjake në opozitë, andaj propozim-vendimi në fjalë u miratua me 16 vota “për” dhe 4 “kundër”.
Në pikën e fundit të rendit të ditës – pyetjet dhe përgjigjet e këshilltarëve, nuk pati të paraqitur.

Shaban Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat