Tuz – Në seancën e njëzetepestë të rregullt të Kuvendit të Komunës së Tuzit e cila u mbajt të mërkurën më 21 dhjetor, 2022, ndër njëzetë pika të rendit të ditës për të cilat u diskutua dhe debatua gjatë në këtë seancë, u miratua me shumicë votash të koalicionit qeverisës, dhe me dy vota nga opozita (Partia Demokratike e Socialistëve), ngritja e përmendores së kryeheroit kombëtar Gjergj Kastriotit-Skendërbeut, ndërkaq këshilltarët e Partisë Boshnjake, nuk morën pjesë në votim.
Në lidhje me aprovimin e kësaj pike të rendit të ditës, këshilltari i Alternativës Shqiptare, Smail Çunmulaj u shpreh se do të angazhohen të gjithë së bashku që çdo gjë të sillet në kohë dhe që punimet për ngritjen e permendorës të fillojnë sa më parë.
“Kur dikush nuk e respekton të kalurën, edhe të ardhmen e ka në pikëpyetje. Vendi ynë meriton të zbukurohet me këtë simbol” tha Çunmulaj.
Gjithashtu, në këtë seancë, këshilltarët e kuvendit të Komunës së Tuzit miratuan me votat e Alternativës Shqiptare, Lidhjes Demokratike Shqiptare, Demokratëve, Partisë Boshnjake dhe Partisë Demokratike të Socialistëve buxhetin e Komunës së Tuzit për vitin 2023, në vlerën prej 8.2 milionë eurosh.
Duke folur për këtë pikë të rendit të ditës, kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj theksoi se kjo komunë ka filluar me një buxhet prej 1.6 milionë euro, për të arritur sot në një buxhet me shumën 8.2 milonë.
Ndërkaq, edhe këshilltari i PDS-së, Elvir Kajoshaj u shpreh se është pro këtij buxheti.
Ndërkaq, Nikollë Camaj duke shpalosur programin e SHPK “Komunale” për vitin 2023, të cilën ai e drejton, tha se me subjektet e bashkuara, me komunën e plotë, me Skendërbeun ndër ne dhe me një buxhet të majm, rrubullaksojmë një vit tejet të suksesshëm.
“Për të gjitha arritjet e kësaj administrate për këto katër vite, falënderoj secilin që ka venë, qoftë edhe një guralec në këtë kështjellën tonë të përbashkët, të quajtur, Malësi”, u shpreh Camaj.
Kjo është seanca e fundit e kuvendit të Komunës së Tuzit për vitin 2022.
t. u.
