Thesar i vyer i artit poetik, leksikut e frazeologjisë së gjuhës shqipe

(Vlerësime për librin “Balada popullore të shqiptarëve në Malin e Zi” (Përmbledhje) I, Botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, Ulqin, 2022. Redaktor Ismet Kallaba, recensentë Prof. Dr. Agron Xhagolli, Prof. Dr. Alfred Çapaliku, redaktor gjuhësor Dr. Haxhi Shabani, redaktor teknik Qazim Muja)

Gjovalin Shkurtaj

(vijon nga numri i kaluar)
Kur më propozuan për të qenë anëtar i komisionit vlerësues për temën e doktoraturës së tij, natyrisht, unë e prita me qejf dhe kam shprehur me bindje të plotë vlerësime për hulumtimet, prurjet dhe shpjegimet e tij në atë studim. Tema e doktoraturës “Baladat popullore të shqiptarëve në Malin e Zi” (mbrojtur më 22 janar 2015) ishte, pra, një zgjedhje e përshtatshme pikërisht për një mbledhës të dalluar të folklorit si z. Ismail Doda, prandaj, duke parafrazuar një vlerësim të Akademik Dhimitër S. Shuteriqit për raste kësodore, do të thosha se ”tema gjeti njeriun e duhur” dhe natyrisht për këtë ka meritë edhe udhëheqësi i tij shkencor, Prof. Dr. Agron Xhagolli, që e ka ideuar, udhëzuar e drejtuar në këtë nismë studimore e që, ndonëse tashmë në moshë të respektuar, i vjen si kurorëzim i një pune të gjatë e të frytshme mbledhëse e hulumtuese në terren, po edhe mbas një sasie të konsiderueshme artikujsh, kumtesash e ndihmesash në lëmin e folklorit shqiptar.
Vlerat e punës hulumtuese në rastin e këtij autori, i kanë paraprirë studimit të baladave, duke iu përmbajtur idemit dhe parashtrimit të nyjëtuar sipas një shtrati të pranueshëm e të atillë që dalin në pah disa prej dukurive dhe problemeve të rëndësishme lidhur me baladat në përgjithësi e në mënyrë të veçantë me baladat e Krajës e të hapësirave të tjera shqiptare në Mal të Zi.
Mund të thuhet se punën e gjatë, sa të mundimshme, aq edhe të kujdesshme z. Ismail Doda e ka kurorëzuar me hartimin e veprës në dy vëllime: 1. ”Balada popullore të shqiptarëve në Malin e Zi” I (Përmbledhje) dhe 2. Balada popullore të shqiptarëve në Malin e Zi” II (monografi), që pritet të dalë nga shtypi. Vëllimi i parë, të cilin tashmë e kam në duar dhe në raftin e bibliotekës sime përmbledh 129 balada dhe 8.100 vargje të shtrirë në dy kapituj të gjerë: I. Balada legjendare II. Balada realiste dhe me nënndarjet në sythëzime të titulluara e që jepen në Pasqyrën e lëndës.
Vëllimi nis me Parathënien, ku autori tregon se lëndën e ka mbledhur ndër shqiptarët në Malin e Zi: në Ulqin, në Anë të Malit; në Krajë dhe Shestan – anën e sipërme të saj; në Tivar me rrethinë; në Malësi të Madhe me qendër në Tuz (nga viti 2018 komunë e plotë); në krahinën e Plavës dhe Gucisë (kohëve të fundit dy komuna) dhe në Rozhajë e Malësi të saj. Këngën numër 64 e ka vjelë në Voksh të Deçanit (Republika e Kosovës). Me përkushtimin e kujdesin e madh që e karakterizon, Dr. Doda rrëfen se “pjesën më të madhe e inçizuam me magnetofonin tonë ‘UHER’ nga viti 1989 dhe në vijim. Bobinat janë në gjendje të mirë edhe në dhjetor të vitit 2021, kur përmbledhja dorëzohet për t’u shtypur. Në përmbledhje ngërthehen vlera folklorike, etnografike, letrare, estetike, antologjike, etike, me përmasa kombëtare, të shprehura në të folmet karakteristike të popullatës, me një stil të rrjedhshëm bisedimor dhe të kuptueshëm, duke pasqyruar dhe pasuruar njëkohësisht edhe dialektologjinë shqiptare. Për ta bërë këtë vepër sa më të suksesshme e pajisëm me fjalor të ngjeshur me fjalë e shprehje të rralla (krahinore dhe të huaja); me indekset e emrave të vendeve; të personazheve; shënime për këngëtarët dhe të dhëna të tjera të domosdoshme”.
“Në përmbledhje – shënon autori- gjenden balada me rëndësi të madhe, si pjesë e traditës së pasur etnokulturore shqiptare, njëra prej hallkave kryesore të identitetit kombëtar që u ruajt shekuj me radhë. Nga 129 balada sa përmban përmbledhja, 24 ose 18.60 përqind i botuam më herët, ndërsa 105 ose 81.40 përqind, kësaj radhe për herë të parë. Në rrafshin teorik qëmtuam mjaft mendime të studiuesve rreth përcaktimit të baladës. Me gjithë arritjet e shkencës folklorike s’mund t’i vihet pikë kësaj çështjeje të ndërlikuar. Për të qenë sa më i qëndrueshëm shpjegimi i përmbledhur, ai duhet të bëhet mbi bazën e shembujve praktikë. Deri në fillim të viteve ’70 të shekullit XX në baladat popullore shqiptare njiheshin tre lloje rinjohjesh: a) ajo e burrit me gruan; b) e motrës me vëllanë; c) e vëllait me vëlla – vëllavrasja. Falë baladës ‘Mark-e Syl-e Mark-u’, të cilën e shënuam më 22.2.1968 nga Nika i Malos Pepgjonaj në Ftjan të Krajës që e përcolli me lahutë, zbuluam motivin e katërt: ç) rinjohjen e nipit me dajë, unikat në folklorin shqiptar, një bazë shkencore për të shpjeguar nocionin ‘baladë’ dhe dëshmuar praktikisht klasifikimin e saj, siç vepruam kësaj radhe”. (Parathënie, fq. 7)
Autori e përmbyll duke shprehur kënaqësinë tij me fjalët: ”Qëllimi ynë përmbushet me daljen në dritë të përmbledhjes me vlera të dëshmuara. Ajo iu bëhet ndihmë dhe iu hyn në punë nxënësve, studentëve dhe studiuesve për t’i thelluar dhe zgjeruar njohuritë për baladat dhe folklorin shqiptar, duke i tërhequr dhe bërë për vete lexuesit që do ta kenë në dorë këtë xhevahir folklorik. Na këndell shpresa se ajo njëkohësisht do të shërbejë si literaturë dhe do të plotësojë kërkesat duke i pasuruar bibliotekat nga shkollat fillore e të mesme deri te katedrat në shkolla të larta e fakultete në universitete, nga institutet kërkimore deri tek akademitë shkencore; nga bibliotekat vendore deri tek ato qendrore”. (fq. 9)
Punimi i z. Ismail Doda “Baladat popullore të shqiptarëve në Malin e Zi”, krahas (e përtej) vlerave mirëfilli etnofolklorike, ka interes edhe për disiplinat e tjera të përafërta, sidomos për dialektologjinë dhe onomastikën. Theksojmë me këtë rast, rrethanën se Arbneshi i Krajës, sikundër e kemi përmendur, ka qenë edhe njëra nga pikat e Atlasit Dialektologjik të Gjuhës Shqipe (ADGJSH), madje, në qershor të vitit 1980, atje kemi zhvilluar edhe anketimin e plotë sipas Pyetësorit të Atlasit, duke pasur si informatore nënën e Ismail Dodës, zonjën (tashmë të ndjerë) Emine Doda, një nga subjektet më të përshtatshme e mbresëlënëse të ADGJSH-së.
Si pjesë përmbyllëse e librit “Balada popullore të shqiptarëve në Malin e Zi” është edhe pjesa me titull “Fjalor i fjalëve të rralla” (krahinore dhe të huaja) të përdorura në baladat e përmbledhjes së pranishme, të cilat, në pjesën më të madhe të tyre, janë nga të folmet e Arbneshit të Krajës e të Ulqinit me rrethinë, po edhe të një areali më të gjerë, por kryesisht veriperëndimor, ku janë mbledhur balada popullore në motërzime të ndryshme e që, në tërësinë e tyre, përveç vlerave etnofolklorike e mirëfilli artistike, japin edhe një pasqyrë interesante të pasurisë dhe larmisë leksikore e frazeologjike të të folmeve shqipe të krahinave përkatëse ku janë regjistruar baladat. Për shpjegimin e tyre autori është mbështetur jo vetëm në njohjen e fituar si mbledhës e si folës i atyre anëve, po edhe ka pasur si mbështetje shpjegimet e veprave leksikologjike të njohura, si Fjalor i gjuhës shqipe (1954), Fjalor i shqipes së sotme (1984), Fjalor i orientalizmave në gjuhën shqipe (T. Dizdari, 2005), si dhe Fjalor shqip-turqisht (H. Voci, 2003), Fjalor latinisht-shqip (H. Lacaj – F. Fishta,1963) dhe Fjalor i të folmeve shqiptare në Mal të Zi (M. Ahmetaj,1996). Ndërkaq, për të pasur një ide sa më të nyjëtuar të vlerës që kanë ato fjalë e frazeologjizma krahinore të përdorura në baladat e këtij vëllimi, po lejohem të bëj kundrimin e krahishtimin e tyre sipas një ndarjeje në tre boshte tashmë të ditura se na ndihmojnë për të përcaktuar vendin e fjalëve dialektore në tërësinë e fjalëve të shqipes. Sikundër e kam pohuar e argumentuar edhe në raste të tjera, kur vlerësojmë leksikun e shqipes që vjen prej krahinave të ndryshme, parashtrimi më i qartë, i cili na lejon të shohim pa u ngatërruar njësinë (unitetin) dhe larminë dialektore të shqipes në hapësirat dhe trevat e ndryshme shqiptare, qoftë brenda kuadrit të trojeve shqiptare me vijimësi të pandërprerë tokësore, qoftë edhe me ato të diasporave historike dhe më të reja shqiptare në Evropë e në botë, mund të bëhet po të ndjekim këtë vijë krahishtimi:

  1. Fjalë që kanë kudo të njëjtën formë fonetike dhe të njëjtin kuptim. Këto, sikundër dihet, përbëjnë sasinë më të madhe të fjalëve të shqipes së sotme dhe të shqipes së moçme, gjë që ka siguruar qëmoti, po edhe vijon të shquajë edhe sot e gjithë ditën njësinë gjuhësore të shqiptarëve. 2. Fjalë që dalin kudo në trevat shqiptare me të njëjtin kuptim, por me forma fonetike të ndryshme, që kanë rrjedhur nga e njëjta paraformë e shqipes së moçme. Këtu, në fakt, mund të përfshihen edhe të gjitha ato forma morfologjike dhe sintaksore, bashkë me mjetet fjalëformuese që kanë përbërë dhe përbëjnë edhe sot pikat më kryesore të dallimit ndërmjet dy dialekteve të shqipes, si dhe të degëzimeve më të vogla brendapërbrenda tyre. 3. Fjalë ose leksema të ndryshme për të emërtuar objekte ose veprime të njëjta. Kjo dukuri nuk është e shtrirë gjerë në dialektet e shqipes dhe, sikundër ka qenë e vërejtur qysh herët në studimet rreth dialekteve të shqipes, rrok një numër relativisht të kufizuar fjalësh. (Shih: Gj. Shkurtaj, “Dialektet e shqipes” -Tiparet e përbashkëta dhe dallimet dialektore sipas hartave të ADGJSH-së, Morava, Tiranë, 2012 dhe ribotim, 2016).
    Në këtë Fjalorth (a më saktë në listën e fjalëve krahinore të nxjerra nga baladat si shpjegime për t’ua lehtësuar punën lexuesve) Dr. Ismail Doda fjalët i jep në rendin alfabetik e sipas modelit të fjalorëve të shqipes së sotme, duke bërë edhe shembullzime me fjalë a togfjalësha si dhe me vargje të baladave. Kjo lëndë leksikore e frazeologjike na vjen në kohën kur jemi në vlugun e punës për hartimin e “Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe”, projekt madhor i Akademisë sonë të Shkencave, prandaj gjej rastin të pohoj se mbas një kundrimi e shqyrtimi të parë të fjalësit të këtij Fjalorthi, mendoj se shumë nga ato fjalë, ashtu si dhe prurjet nga fjalorë të mëhershëm dhe të kohëve të reja, meritojnë të dorëzohen në Kartotekën Kombëtare të Leksikut të Shqipes në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Qendrës së Studimeve Albanologjike, ku, sipas kritereve të caktuara, prej asaj lënde, mund të nxirren fjalë e frazeologjizma të vlefshme për t’u përfshirë në indin e FJMGJSH-së, po edhe si lëndë që do të ruhet në Kartotekë, duke pasur aty edhe shënimin se është marrë prej librit “Balada popullore të shqiptarëve në Malin e Zi” të Dr. Ismail Dodës.
    Vëllimi “Balada popullore të shqiptarëve në Malin e Zi” i Dr. Ismail Dodës ashtu si krejt këngët popullore të popullit shqiptar janë thesar i vyer i artit poetik, po edhe që ruajnë thesare të pasura të leksikut e të frazeologjisë së gjuhës shqipe.
    I urojmë kolegut të nderuar e mikut të dashur Dr. Ismail Dodës jetë të gjatë dhe shëndet dhe presim me gëzim të marrim edhe vëllimin e dytë.
    (Fund)

Të fundit

më të lexuarat