POEZI: Anton Gjuravçaj

EC E MOS FOL
Një legjendë e fushës tregon
se diku përgjatë Cemit
paraqitej një fantazmë e veshur në të bardha
gjithnjë në muzg apo në terr
dhe atyre që i kalonin pranë
u thoshte
ec e mos fol
/në kuptim ec tutje pa lëshuar zë/
e nëse ndokënd dhe e merrte me vete
/në drejtim të panjohur/
dhe pas lutjeve të shumta vendoste ta lironte
i mëshonte shuplakë në mesin e shpatullave
dhe shenjat e gishtërinjve të saj
i mbetnin në lëkurë
gjatë gjithë jetës
kjo mu kujtua
/as unë s’ di se si/
kur mendova për një shtëpi aklimatizimi
i befasuar me transformimin e personave të njëjtë
andej e këndej lumit
/mund të jetë
më së shumti do t’u ndihmonte “politikanëve”
në të kthyer
duke ecur si pëllumba të dhier …
pse jo në të dhe një dhomë për VAR−in
pasi tualet diplomacia dhe themeluesi i saj
/ikje në stilin kam nevojë të “dal jashtë”
pa pasur guxim të shprehë qëndrimin/
të mos flasim për precedencë
janë sfidë jo vetëm morale
por dhe teknologjike
/ nuk kemi konfirmim
por kemi rezultat…/
kjo mund të na çojë drejt asaj
që politikën më mos ta shprehin me fjalë
/e dimë sa vështirë edhe me to kuptohet
e edhe më vështirë besohet/
e puna e fantazmës
po nëse ajo vendos të “pushojë” aty
çka në qoftë se edhe ajo ka ndryshuar
në vend një herë
të mëshon mes shpatullave tri herë
dhe atë me tre gishtërinj
/kalkulon/
se as shpinat tona tani nuk janë
aq të gjera sa që në to të ketë vend
për pesëmbëdhjetë gishtërinj
edhe pse parashikimet janë se këto do të tkurren
/në vend të punëtorëve fizikë
në pesë të mëngjesit
rrugët do të jenë përplot me njerëz të “shkollës”/
madje deri sa të vijnë te ”vendi i punës”
/nëse do të kenë fatin që ndonjë nëpunës
t’i marrë si argat dite/
do të duhet të ndryshojnë gjendjen agregate
që t’u përshtaten kallëpeve të ndryshëm
/ditor…javor…/
vegël e çdo sistemi torturues
/por përsëri jofizikë…/
e repeticion i “pluralizmit tonë” internë
e përsëri të kthehem te ai stoli “im”
/diku në mes të rrugës prej shtëpisë dhe “pronarëve”…./
stol guximi
shoshë për intelektualët e “lënduar”
/ ku gjeni ka peshën e shkëmbit…/
dhe përvujtërisë
/dinjitetit njerëzor dhe integriteti politik…/
të kuptojnë raportin më se artificial
dhe të kthyer mbrapsht
/”pronar”…
“punëtor”…/
t’i flakin “doracakët”
për intelektualë
bujari
dhe komb…
të marrin pakëz frymë
të vinë në vete…
t’u zbardhet faqja
dhe shikimi t’u ngritet nga toka
/a ka gjë më të shëmtuar se kur intelektuali
rrin si zog i truar
a ka gjë më të dhimbshme
se kur ndërgjegjja kërkon rastin të shikojë drejt në sy…/
thuhet se frika më e keqe është kur të vjen prej të vetit
/kombinim i të paditurit dhe pjellës së keqe…/
mallkim kohërash…
deri kur…

STOLI IM
Sa here që e shikoj
/në parkun e vogël/
para Qendrës për kulturë
e quaj ashtu pa dashje
/i vetëdijshëm se pa kurrfarë të drejte/
stoli “ im”
/kjo zgjatë disa muaj/
dhe pyes vetën se a është edhe kjo pjesë
e “moskuptimeve” tona ballkanike….
/ku kulturën
e kapim dorë për dorë
në valle
me pa kulturë/
përformans shtesë
/pa kurrfarë shpenzimi/
dhe ëndërroj në vend
ku as ëndrra nuk mund të jetë më jotja
/ ”shoqërisë” i takon të mendoj…veproj…ëndërroj….
edhe ndjenjat mund të jenë vetëm dhuratë e saj
….ashtu të kulluara/
Individi shërben vetëm për plotësim forme
/ dëshmi e pronës private….”postkomuniste”..
e që edhe për atë
“shoqëria” mund t’i shtie thonjtë në fyt
dhe të shtrëngoj në mënyrë të ‘’dozuar’’
përsëri për “dallim” prej komunizmit/
ruajnë eksluzivitetin që ta bymejnë apo tkurrin
sipas “modës” dhe ”momentit”…
populli nuk thotë kot
prej njerëzve ‘’të vegjël’’ na ruaj o Zot
/dikur kur nuk ka pasur shkollë
kjo është lidhur me trup…..
në një përqindje edhe gabim…./
e halucinacionet…
të “lumtë” ata që mund të jenë pjesë
e përfytyrimeve kolektive
/që ta ne kanë filluar para komunizmit
qëllim i shtrembërimit të rilindjes
që nuk shteret as në ditët e tona
përkundrazi…..
sado e pa kuptimtë
dhe tingëllo tragjike
në shekullin që jemi…./
se mund të shërbejnë si “pushim verorë”…
“kohorë”…apo edhe “moral”….
çka me njerëz në të cilët hipnoza nuk vepron
dhe kaq
e çka me ata që kanë kujtime…
përvojë…
/që kanë shkuar jashtë të pasurohen me kulturën
e jo me paratë perëndimore./
që së gjalli nuk i japin as parimet as kujtimet
as vlerat…
e në mesin e atyre mbresave
janë dhe stole bronzi
me poetë…shkrimtarë dhe artistë të ndryshëm….
/nëpër shumë qytete të Evropës dhe botës/
ku kush nuk ulet për të pushuar…
/shërbejnë që njerëzit të fotografohen
me mendjet më të mprehta të atyre vendeve
çiftet e dashuruara të recitojnë ndonjë varg të tyre
deri sa të tjerët që jeta u ngjanë me ta …
flasin pa zë/
por raporti me “stolin” tim
/një ulëse parku/
është krejtësisht i veçantë
dhe fillon me “Festën e librit”
/që unë e prisja ndryshe/
në të cilën u ula me kushëririn tim
/mërgimtar dhe krijues/
pasi ishte në të djathtë dhe përball evenimentit
/ku për shkaqe largësisë dhe pozitës
s’i kishte ra ndërmend të ulet kujt/
ku me kohë na bashkëngjiten
gazetarë
mërgimtarë intelektualë
në fund dhe miku im poet e shkrimtar
që tregon se ka ardhur me kohë
/për dallim nga unë/
ka kërkuar ulëse
por secila ka qenë e rezervuar
mua më tingëllon si ‘’Zoti të dhashtë’’ …
/’’Zoti të dhashtë një karrige’’- variant modern i letërsisë sonë/
fati i krijuesve
që nuk i takojnë “oborrit”…
/ nuk kanë rëndësi prozat e para të shkruara
dhe gjithë ai varg…/
më kujtohet tregimi i njohur me tagrambledhësin
që hip në fikë….
kush na pengon neve që të hipim nëpër pishnajat përreth
/pse ajo “mendjemadhësi” e kotë…./
dhe të shikojmë tagrambledhësit
dhe miqtë e tyre….
që në fund të fundit edhe nuk merren me libra
por me ‘’fletore’’…
/ kështu e kanë ‘’spektakle’’
e pisha është më e sigurt se fiku/
më vonë marr vesh për pikëllim e anashkalimit
të tridhjetë kinezëve
/që organizatorëve do t’u ngushtoj hapsirën
për vitin e ardhshëm/
gjithmonë ekziston dhe droja që dikush deri atëherë
të deklarohet mongol…
dhe nuk do të merresha me ftesa
sikur ato mos ishin dëshmi e gjallë
se çdo festë
pa dallim te ne
vërtetë është vetëm kurs trajnimi….

Të fundit

më të lexuarat