Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, Faik Nika, ka qëndruar kohë më parë në një vizitë disaditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjatë së cilës ka zhvilluar takime me përfaqësues të diasporës shqiptare nga Mali i Zi në ShBA, zyrtarë amerikanë dhe të Malit të Zi.
Përmes një postimi në rrjetin shoqëror Facebook, ai ka bërë të ditur se ka pasur rastin të marrë pjesë në disa takime e aktivitete mjaft të rëndësishme, siç shprehet ai, “me gjysmën tonë më të mirë, me mërgatën tonë”.
Kështu ai ka marrë pjesë në festimet për nder të Ditës së Flamurit dhe 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, që është mbajtur në mjediset e “LiGreci’s” në Staten Island, nën organizimin e bashkatdhetarëve Naser Nika dhe Genti Holli. Krahas tij, në këtë manifestim kanë marrë pjesë edhe disa përfaqësues të tjerë politikë të shqiptarëve në Malin e Zi.
Me ftesë të aktivistit të njohur shqiptar në ShBA, Mark Gjonaj, ai ka marrë pjesë po ashtu në solemnitetin kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë, që është mbajtur në shtëpinë rezidencë të kryetarit të Bashkisë së Nju-Jorkut, Eric Adams.
“Një eveniment që dëshmon fort miqësinë shqiptaro-amerikane dhe respektin e ndërsjellë, në këtë mbrëmje ishte i pranishëm dhe z. Ferit Hoxha, Ambasador i Shqipërisë pranë OKB-së, si dhe shumë figura eminente që jetojnë dhe veprojnë në diasporë, por edhe figura publike nga SHBA, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi e Maqedonia e Veriut etj., patëm rastin të njihemi e të flasim për ide të ndryshme për forcimin e bashkëpunimit të mërgatës dhe vendlindjes”, ka shkruar ai.
Po atë mbrëmje, ai ka marrë pjesë në darkën e shtruar nga Mark Gjonaj me përfaqësues të shoqatave shqiptare nga Mali i Zi që veprojnë në ShBA, ku të pranishëm kanë qenë edhe kryetari dhe nënkryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj dhe Ivan Ivanaj, ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj etj.
“Folëm për situatën e përgjithshme në Malin e Zi, situatën e shqiptarëve në veçanti dhe për sfidat që na presin në të ardhmen. Gjatë këtij takimi u parashtrua nevoja e unifikimit të faktorit politik shqiptar në Malin e Zi për sfidat e ardhshme politike. Po ashtu u paraqitën ide e objektiva për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet shqiptarëve në mërgatë dhe vendlindje, me projekte të përbashkëta, duke shfrytëzuar potencialet ekonomike e intelektuale që kemi si komb”, ka shkruar Nika.
Ai ka vizituar shkollën në Staten Island të Nju-Jorkut, ku zhvillohen kurse të mësimit të gjuhës shqipe dhe vallëzimit me motive shqiptare, të cilat i ndjekin rreth 220 fëmijë. Sipas Nikës, kjo nismë e nisur si bashkëpunim i disa shoqatave shqiptare në Nju-Jork është shumë e rëndësishme dhe duhet të mbështetet në çdo formë. Kryetari i KKSH-së ka thënë se për këtë qëllim ka realizuar një vizitë pune në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Nju-Jork, ku është pritur nga Konsulli i Përgjithshëm, Prof. dr. Blerim Reka, nga i cili ka kërkuar që të sigurohen mjetet e nevojshme mësimore edhe për këtë shkollë nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Me këtë rast, Nika është takuar edhe me përfaqësues të Konsullatës së Malit të Zi në Nju-Jork, Zoran Jankoviq dhe Amer Cikotiq, nga të cilët ka thënë se është informuar për punën dhe procedurat për pajisjen e mërgatës sonë me dokumentet e nevojshme dhe shërbimet tjera konsullore.
Nika e ka cilësuar si një moment të veçantë dhe të paharrueshëm pjesëmarrjen në mbrëmjen e organizuar nga Shoqata “Malësia e Madhe” për grumbullimin e fondeve për rindërtimin e Kullës së bajraktarit të Hotit, Çun Mulës.
“Isha dëshmitar se si shqiptarët patriotë dhe bujarë arritën të mbledhin fonde rekord për një kohë të shkurtër. Do të mbetet gjatë në memorie ky gjest fisnik dhe solidar ndër shqiptarë për një qëllim të përbashkët – ruajtjen e trashëgimisë dhe kulturës kombëtare”, ka shkruar ai.
Nika ka treguar se vizitën e tij në ShBA e ka përmbyllur me një darkë me mjekun shqiptar Bahri Ceka, i shpallur kohë më parë Qytetar Nderi i Nju-Jorkut, “njeri humanist e shumë modest, që ndihmon pa kursyer çdo shqiptar dhe qytetar që ka nevojë”.
Ai ka zhvilluar një bisedë të drejtpërdrejtë në studion e Zërit të Amerikës në Uashington, për emisionin e lajmeve “Ditari”, ku ka folur për shqiptarët në Malin e Zi dhe sfidat me të cilat ballafaqohen.
“Faleminderit shumë mërgata jonë, gjithmonë në mendje e në zemrat tona!”, përfundon postimin e tij kryetari i KKSH-së.
(Kohapress)