Hap i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Malësisë

Tuz – Fabrika e parë e përpunimit të patates, përkatësisht e prodhimit të patatinave “Montenegro Chips”, u hap të enjtën më 8 dhjetor 2022 në Tuz, me ç’rast kësaj ceremonie zyrtare iu bashkëngjitën numër i madh qytetarësh, afaristësh, figurash politike e ekonomike, ministrash në Qeverinë e Malit të Zi, ambasadash, dhe personalitetesh të të gjitha fushave jetësore.
Nga Komuna e Tuzit këtë ditë e konsideruan si të veçantë dhe historike duke thënë se me një fabrikë të tillë rrumbullakoset cikli prodhues i fermerëve vendas dhe i prodhimtarisë së tyre, me shpresë që ky të bëhet një brend i njohur, jo vetëm në Mal të Zi.
Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj në fjalën e rastit tha se fabrika që po hapet sot paraqet një ndër hapat e parë, por shumë të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik të Malësisë por edhe të Malit të Zi, duke u zotuar se për disa javë të ardhshme do të inaugurojnë edhe dy fabrika të tjera.
“Edhe më parë ishin mundësitë për projekte të tilla në Malësi dhe kishte njerëz të gatshëm për investime, por nuk gjenin mirëkuptim dhe klimë të duhur për sigurinë e investimeve të veta. Çdo punëtor i punësuar sot në fabrikat tona, në perspektivë do të thotë një familje më shumë në Malësi me të ardhura mujore. Do të jetë një perspektivë më e ndritshme për të rinjtë tanë”, theksoi ndër të tjera Gjeloshaj.
Ndërkaq, kryeministri në mandatin teknik në Qeverinë e Malit të Zi, Dritan Abazoviq tha se sot është një ditë e madhe jo vetëm për Komunën e Tuzit, por për mbarë Malin e Zi duke theksuar se pronari i kësaj fabrike ka hapur dyert e mëdha për njerëzit punëtorë dhe të vlefshëm të cilët dëshirojnë të investojnë në të gjitha vendet e Malit të Zi.
“Dhe kështu të tregojmë se ne nuk jemi vend vetëm i turizmit, por edhe i prodhimtarisë. Na ka bërë nder të madh dhe për këtë prodhimtaria e tij “Made in Montenegro”, është diçka që do të shërbëjë si krenari të gjithë qyteterëve të Malit të Zi dhe përfundimisht do të kemi prodhimin që në fillim pres që të jetë në raftet e shumë supermarketave përgjatë rajonit, dhe pse jo gjatë vitit që vjen, edhe në Evropën e gjerë”, u shpreh në mes tjerash kryeministri Abazoviq.
Ai më tutje tha se kështu emri i Malit të Zi dhe i Komunës së Tuzit, por në përgjithësi i të gjithë qytetarëve, shkon drejt asaj që kemi dëshiruar gjithmonë, “të shohim vendin e njerëzve të cilët janë të gatshëm që me punën e tyre të ndërtojnë kushte në të cilat do të jetojnë në mënyrë dinjitoze dhe me të cilat do të realizojnë prioritetin e tyre”.
Abazoviq tha se me hapjen e dy fabrikave të tjera në Tuz do të gjenerohen vende të reja të punës, duke thënë se ky është një apel që banorët të qëndrojnë dhe të kërkojnë të ardhme në vendin dhe shtetin e tyre.
“Gjithashtu ky është një apel që të vetëdijësohemi se duhet të jemi konkurrentë. Prodhimet tona duhet të jenë konkurrente, në mënyrë që të gjejnë tregun e vet në Mal të Zi dhe jashtë tij”, tha në mes tjerash Abazoviq, duke shtuar se nëse vijon kështu drejtimi i kësaj komune dhe manaxhimi i resurseve të saj, do të ketë mungesë të fuqisë punëtore.
Njëri ndër pronarët e kësaj fabrike, Bedri Kosumi tha se sot pas një viti punë, po bëjnë hapin e parë të hapjes së fabrikës së përpunimit të patates, duke e cilësuar atë si mbyllje të ciklit të prodhimtarisë bujqësore nga arat deri tek supermarketet.
“Them hapi i parë, pasi që vitin e ardhshëm ne startojmë me kapacitete dyfish më të mëdha sesa që i kemi sot dhe kjo jo rastësisht, por na duhet një staf i kualifikuar dhe i mirëorganizuar në mënyrë që të vazhdojmë me një cilësi jashtëzakonisht të mirë dhe besoj se do t’ia dalim”, tha Kosumi.
Ai ndër të tjera duke treguar se pse ka vendosur të hapë këtë fabrikë pikërisht në Tuz, tha se këtu ka fermerë dhe punëtorë jashtëzakonisht të mirë, por edhe patate të mira, dhe kjo është siç tha, çelësi i të gjithave.
“Ftoj edhe investitorët dhe prodhuesit e tjerë në Mal të Zi, sepse di që në Mal të Zi ekzistojnë kushte të jashtëzakonshme për prodhimtari dhe punë”, theksoi Kosumi.
Drejtoresha ekzekutive e fabrikës “Montenegro Chips”, Rialda Perkoviq tha se ky është një sukses i madh jo vetëm për ata që punuan në hapjen e kësaj fabrike, por edhe për shtetin e Malit të Zi.
“Fabrika është pajisur me standardet dhe teknologjinë më bashkëkohore. Besojmë se hapja e fabrikës së patatinave në Mal të Zi do të përmirësojë prodhimtarinë bujqësore në rajon. Shpresojmë se qytetarët e Malit të Zi do ta njohin cilësinë e prodhimeve tona”, tha nder të tjera Perkoviq.
Hapjen zyrtare (prerjen e shiritit të kuq) e bëri kryeministri Dritan Abazoviq, kryetari i Komunës së Tuzit Nik Gjeloshaj dhe afaristi Bedri Kosumi të cilët më pas vizituan ambientet e brendshme të kësaj fabrike, për të parë nga afër tërë procesin e prodhimit të patatinave.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat