
Baladat dhe përgjithësisht këngët shqiptare si mjet për ruajtjen e gjuhës shqipe
E folmja e Krajës dhe e Ulqinit, bashkë me ato të Ljarjes e Shestanit, kanë tërhequr interesimin e albanologëve të huaj dhe të gjuhëtarëve shqiptarë qysh në fillesat e studimeve albanologjike. Përmendim studimet e Gustav Veigandit, KarloTaliavinit, hetimet e hershme e shumë të frytshme të Idriz Ajetit dhe vlerësimet e lëndës së atyre të folmeve në studimet etimologjike të Eqrem Çabejt. Mjeshtri ynë i madh i historisë së gjuhës shqipe i lakmonte lëndës së pasur të një treve aq të mirëseardhur si Kraja, Shestani e Ana e Malit, prej nga ai (dhe studiues të tjerë) mendonte se do ta ketë pasur zanafillën edhe Gjon Buzuku.
Në atë hulli, natyrisht, kanë qenë edhe studimet e reja dialektologjike, nga të cilat me rëndësi madhore ka qenë përfshirja e Arbneshit të Krajës, e Katërkollës së Ulqinit dhe e qytetit të Ulqinit në rrjetin e pikave të anketimeve për hartat e izoglosat e ADGJSH-së. Si njëri prej autorëve të kësaj vepre madhore të gjuhësisë shqiptare, në qershor të vitit 1980, në kuadër të marrëveshjes shkencore me Universitetin e Prishtinës, kemi kryer atje anketën në pikat e përmendura, si përfaqësuese të krejt Krajës dhe Ulqinit me rrethinë në veprën “Atlasi Dialektologjik i Gjuhës Shqipe” (Vëll. I, Napoli-Tiranë, 2007; Vëll. II, Napoli-Tiranë, 2008). Qysh atëherë, e folmja shqipe dhe traditat e bukura shqiptare të atyre anëve më kanë mbetur përgjithmonë të përziera edhe me nje tis përmallimi, që vjen nga rrethana se atje, ndonëse krejt të njëjtë për nga zanafilla etnike dhe konstitucioni shpirtëror: gjuha, traditat dhe doket e zakonet, historia i ka ndarë e i ka përfshirë në një shtet tjetër, duke bërë aneksimin më të padrejtë të fillimshekullit XX, duke ia lënë ato Malit të Zi.
Sa herë ka qenë e mundur, sidomos këto vitet e fundit, kur edhe kalimi pa viza është një lehtësi për vajtje-ardhje nga njëra anë e kufirit në tjetrën, qytetin e Ulqinit dhe anët e Krajës, me shumë kënaqësi i kam vizituar disa herë. Natyrisht, gjithmonë me raste e në funksion të pjesëmarrjes në tubime studimore për gjuhën shqipe si “Kraja me disa veçori shestanase në rrjedhën e shekujve” (7-8 tetor, 2011), për të folur në përurimin e librit të Gjekë Gjonajt “Shqipet e maleve” (2010), kushtuar jetës së shqiptarëve në Malin e Zi, një libër me vlera të shumta njohëse dhe i shkruar bukur. Kam pasur nderin të shkruaj edhe parathënien e atij libri dhe, pikërisht për prurjet e vlerat e shumta që ka ai studim, herë mbas here, i kthehem dhe e rilexoj për të cituar shumëçka nga bëmat historike dhe vetitë e larta të malësorëve shqiptarë në Mal të Zi e më gjerë, të cilët Gjekë Gjonaj, me një metaforë të goditur, i quan “shqipet e maleve”. Profili i punës sime, kryesisht si dialektolog e sociolinguist, natyrisht më ka bërë të ndjek më për së afërmi botimet me karakter filologjik dhe studimet e reja dialektologjike, nga të cilat janë me rëndësi madhore: a) përfshirja e Arbneshit të Krajës, e Katërkollës së Ulqinit dhe e qytetit të Ulqinit në rrjetin e pikave të anketimeve për hartat e izoglosat e ADGJSH-së; b) botimi i librit të Hajro Ulqinakut “Fjalorth i detarisë. Glosar”, Prishtinë 2003 dhe “Shestani – studim filologjik gjithëpërfshirës” nga Gjokë Dabaj: Vëll. I, Ulqin-Tiranë-Prishtinë, 2004; Vëll. II, Ulqin-Tiranë-Prishtinë, 2004; c) studime të tjera rreth të folmeve shqipe dhe onomastikës së trevave shqiptare në Mal të Zi, si libri “Kërkime filologjike” i Ruzhdi Ushakut (Prishtinë, 1981), ndërsa nga studimet e viteve të fundit ka pasur edhe disa sprova në kahun e shqyrtimeve sociolinguistike, midis të cilave, pa dyshim, meriton të përmendet libri i Haxhi Shabanit “Rrezikimi i gjuhës shqipe” (2007). Në vargun e botimeve të tilla vjen edhe ”Balada popullore të shqiptarëve në Malin e Zi” (Përmbledhje) I, nga Dr. Ismail Doda, Art Club, Ulqin, 2022.
Dr. Ismail Doda, mbledhës i përkushtuar dhe studiues i baladave shqiptare
Krahina e Krajës dhe e Ulqinit shquhet për baladat dhe mbledhjes e studimit të tyre, për shumë vjet me radhë, u ka kushtuar vëmendjen e tij kryesore studiuesi Ismail Doda. Disa vjet më parë kam marrë pjesë si anëtar i jashtëm në jurinë për mbrojtjen e doktoraturës “Baladat popullore te shqiptarët e Malit të Zi” të Mr. Ismail Dodës, organizuar nga Shkolla Doktorale e Etnologjisë dhe e Folklorit, në Institutin e Kulturës Popullore të QSA-së. Dhe më kujtohet se me atë rast kam shprehur vlerësime të mira për punën e madhe që ka bërë autori për mbledhjen e materialit në terren dhe kërkimet e hulumtimet shumëvjeçare për baladat dhe përgjithësisht për folklorin në krahinën e Krajës, të Ulqinit dhe të krejt zonave ku dihet se ka pasur shtrirje balada si gjini e artit poetik gojor popullor. Dr. Ismail Doda, si një nga figurat e njohura të arsimit e të shkollës shqipe në Mal të Zi, ka qenë gjithnjë mbrojtës i përkushtuar i shqipes dhe i shqiptarisë në ato anë, duke u dalluar në mënyrë të veçantë si mbledhës e studiues i folklorit e duke u pykëzuar sidomos te baladat, si një nga gjinitë e hershme, po edhe që, pikërisht në anët e Krajës e të Ulqinit, ishin ruajtur balada të hershme e në motërzime të shumta e mjaft interesante. Mbi bazën e një njohjeje të gjerë të krijimtarisë gojore të trevave shqiptare në Mal të Zi, po edhe përgjithësisht në hapësirat shqiptare, Dr. Ismail Doda përgatiti për shtyp si redaktor shkencor librin “Letërisa gojore dhe identiteti kombëtar shqiptar”, ku janë përfshirë punime të Simpoziumit Shkencor Ndërkombëtar, të mbajtur në Ulqin më 17-19 shtator 2011. Botues: Këshilli Nacional i Shqiptarëve në Malin e Zi, shtypur në shtypshkronjën Press Studio, Ulqin 2012.
Z. Ismail Doda ka qenë delegat në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (nëntor 1972) dhe nënshkrues i Rezolutës së atij Kongresi dhe, për fat të bardhë, ai ishte edhe njëri nga ish-delegatët që mori pjesë dhe në Konferencën shkencore jubilare, në nderim të 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (Tiranë, 10 nëntor 2022). U takuam me atë rast dhe ai me dashamirësinë dhe atdhetarinë që e karakterizon, më dhuroi librin e tij ”Balada popullore të shqiptarëve në Malin e Zi” me këtë përkushtim të shkruar me dorën e tij e me bukurshkrimin pak të thuash të mahnitshëm:
“Prof. Dr. Akademik Gjovalin Shkurtajt, në shenjë miqësie gjysmëshekullore, bashkëpunimi dhe mirënjohjeje në këtë përvjetor historik të Drejtshkrimit tonë Kombëtar dhe këmbëmbarë.
Në Tiranë, e enjte, 10 nëntor 2022. Autori, Ismail Doda, Arbnesh, Krajë.”
Me gjithë “grumbullin” e punëve që gjithmonë mbeten për fundin e vitit, u ula dhe me kënaqësi po shkruaj disa kundrime vlerësuese për këtë libër të Dr. Ismail Dodës, një vëllim i vyer me balada shqiptare, të mbledhura në motërzime të ndryshme sipas krahinave, po edhe të pajisura me shënime e shpjegime të shumta. Një vepër që pa dyshim, do të ndjellë interesimin e folkloristëve, etnologëve, po edhe të një rrethi studiuesish e lexuesish të tjerë, sidomos të dialektologëve dhe mësuesve të gjuhës e të letërsisë shqiptare. Kujtojmë, ndërkaq, se ky vëllim është botuar pikërisht në një kohë kur sivjet është folur e shkruar gjerë për baladat, u mbajt edhe një konferencë shkencore akademike ndërkombëtare për to në Gjirokastër dhe, në këtë kuadër, interesimi për këtë vëllim natyrisht shkon edhe në përmasat e interesimit të qarqeve të gjera albanologjike.
”Balada popullore të shqiptarëve në Malin e Zi” (Përmbledhje) I, (Art Club, Ulqin, 2022) është libri i dytë i autorit Dr. Ismail Doda. Më herët, në bashkautorësi me Lucë Lucajn, Gjergj Gjokajn dhe Gjergj Berishajn kishin botuar librin “Në prehër të jetës së re” (Doracak për nxënës të shkollës fillore prej klasës III deri në klasën VIII)”. Botues: Enti Republikan për Përparimin e Shkollave -Titograd, 1976. Shtypur në Ndërmarrjen Grafike-Botuese “Obod” – Cetinë, 1976.
Dy fjalë për autorin
Ismail Doda është arsimtar dhe mbledhës i zellshëm e studiues i folklorit. U lind më 1939 në Arbnesh të Krajës, në Mal të Zi. Kreu studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ku mbrojti edhe temën e magjistraturës dhe tezën e disertacionit të doktoratës nga fusha e folklorit. Si mbledhës i folklorit ai është njëri nga bashkëpunëtorët më të frytshëm të Institutit Albanologjik të Prishtinës që nga viti i rithemelimit të tij më 1968. Mblodhi këngë kreshnike, balada dhe lloje të tjera të poezisë popullore lirike në shumë fshatra të Ulqinit dhe të Tivarit. Materialet e tij janë botuar në shumicën e vëllimeve të Institutit Albanologjik të Prishtinës, ndërsa një pjesë e madhe e tyre ruhet në arkivin shkencor të këtij instituti. Mori pjesë me kumtesa për folklorin shqiptar në Mal të Zi në shumë konferenca dhe tryeza shkencore. (Burimi: Fjalori Enciklopedik i Kosovës, I (A-K), (zëri i shkruar nga Sadri Fetiu), Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, f. 340-341).
Dr. Ismail Doda është figurë e njohur e arsimtarit të përkushtuar për ruajtjen, mësimin dhe studimin e gjuhës shqipe në mjediset shqiptare të Malit të Zi e pikërisht në Arbnesh të Krajës. Atje, në fakt, ai është marrë qysh para dyzet vitesh me mbledhjen e foklorit të pasur të shqiptarëve të Krajës, duke u pykëzuar në baladat e vendlindjes së tij, po edhe të mbarë vendbanimeve shqiptare në Mal të Zi. Hera e mbarë e ka prurë që z. Ismail Dodën e kam njohur qysh në vitin 1972, kur ai erdhi në Tiranë si delegat në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, si përfaqësues i shqiptarëve të Malit të Zi. Qysh atëherë, në rrjedhë të viteve, ai ka qenë emër i njohur në rrethet e mjediset studimore të Ulqinit, Podgoricës, duke botuar artikuj e studime në revista të ndryshme kulturore e letrare të Malit të Zi, si “Koha”, “Kraja”, “Buzuku” dhe në revista shkencore të Tiranës e të Prishtinës. Vinte shpesh në Tiranë, në Institutin e Kulturës Popullore për të takuar folkloristët me të cilët kishte bashkëpunim të vazhdueshëm dhe, gati, gjithmonë, e bënte edhe ndonjë ardhje deri në Institutin tonë të Gjuhësisë e të Letërsisë, në zyrën tonë, ku ishte edhe profesor Çabej, i cili e mirëpriste buzagaz, e pyeste për ndonjë fjalë a shprehje të Krajës e të Ulqinit dhe e nxiste që të punonte e të mblidhte sa më shumë lëndë nga ato krahina. (vijon)
