Tuz – Partia Demokratike e udhëhequr nga Fatmir Gjeka, njeherësh ministër për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave në Qeverinë e Malit të Zi ka mbajtur këtë të diel në Tuz Kuvendin zgjedhor të Degës së Malësisë, ku delegatë të shumtë zgjodhen kryesinë e Degës së Malësisë: kryetarin, nënkryetarin dhe sekretarin.
Sipas një njoftimi që lideri i kësaj partie Fatmir Gjeka e ka bërë publik në faqen e tij të fejsbukut, thuhet se për kryetar të Degës së Malësisë të Partisë Demokratike është emëruar mr. Kristijan Dukaj, nënkryetar Anton Nikaj dhe sekretare Maja Nucullaj.
“Kryesinë e kësaj dege e përbëjnë të rinj të shkolluar nga Malësia, studentë, sportistë, afaristë të dalluar dhe aktivistë të ndryshëm. Gjithashtu kryesia e degës në përbërje ka 40 përqind femra dhe mbi 30 përqind studentë”, thuhet në mes tjerash në këtë njoftim.
Nga kjo parti, këtë ngjarje e kanë konsideruar si ditën më të rëndësishme që nga themelimi i saj duke falënderuar të gjithë delegatët që ishin pjesëmarrës.
“Do të jemi të hapur dhe në shërbim të qytetarëve. Do të jemi të hapur dhe do të shtrijmë dorën e bashkëpunimit subjekteve politike simotra. Së bashku me vullnetin e mirë, do të bëjmë punë të mira për qytetarët tanë”, ka shkruar Gjeka me rastin e themelimit të Degës së Malësisë të Partisë Demokratike.
t. u.
