Ulqin – Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë organizuan të shtunën (3 dhjetor 2022) në Galerinë e Qendrës për Kulturë në Ulqin veprimtarinë jubilare shkencore “Një komb – një gjuhë letrare”, me rastin e 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe.
Në këtë veprimtari është folur për historikun e Kongresit të Drejtshkrimit dhe aspekte të ndryshme të gjuhës shqipe – dukuritë, problemet, sfidat etj. Lidhur me këto çështje kanë kumtuar Dr. Ismail Doda, Akademik Gjovalin Shkurtaj, Dr. Haxhi Shabani dhe Akademik Shaban Sinani.
Dr. Ismail Doda, i vetmi delegat i Kongresit të Drejtshkrimit nga shqiptarët në Malin e Zi, atëbotë drejtor i shkollës fillore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Ostros të Krajës, ka thënë se me kënaqësi ka marrë pjesë në këtë kongres dhe për të ka qenë një privilegj, megjithëse i ka kushtuar shtrenjtë.
Në kumtesën e tij ai ka folur rreth përpjekjeve për njësimin e gjuhës shqipe dhe zbatimin e Rezolutës së Kongresit të Drejtshkrimit ndër shqiptarët në Malin e Zi.
Ai ka thënë se ka pasur disa përpjekje për njësimin e gjuhës shqipe ndërmjet dy luftërave botërore, por të gjitha kanë rezultuar të pasuksesshme.
Doda e ka vlerësuar si një nismë këmbëmbarë Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në Tiranë, i cili sipas tij kishte përmasa gjithëkombëtare.
Ai ka thënë se Rezoluta e Kongresit të Drejtshkrimit pati jehonë ndër shqiptarët në Malin e Zi dhe se në këtë drejtim, pra në zhvillimin e gjuhës dhe zbatimin e normave drejtshkrimore e drejtshqiptimore një rol të rëndësishëm ka pasur Redaksia në gjuhën shqipe pranë Radio Televizionit të Titogradit.
Në kumtesën e tij me titull “Kultura e gjuhës dhe bashkësia shoqërore shqiptare sot” Akademiku Gjovalin Shkurtaj ka folur për problemet me kulturën, me mungesën e kulturës, me mosnjohjen e vlerave të kulturës shqiptare e të gjuhës shqipe dhe, mbi të gjitha, me raste të shpërfilljes e mënjanimit të padrejtë të vlerave të mira etnokulturore e gjuhësore të popullit tonë, gjoja në emër të “modernitetit” e me parapëlqime të pamotivuara e të panevojshme të së huajës.
Ai ka nënvizuar se “mbrojtja e gjuhës shqipe letrare nuk është censurë, por detyrim e peng moral gjithëkombëtar”.
Shkurtaj ka thënë se situata e sotme e kulturës gjuhësore në krejt bashkësinë shoqërore shqiptare nuk është ashtu si duhej të ishte dhe, në disa mjedise e raste, sidomos në ligjërimin e politikanëve dhe të mjaft gazetarëve, është vërtet shqetësuese.
“Ka shumë vjet që është lënë pas dore kujdesi për shqipen e shkruar dhe të folur. Ka gazeta e revista që dalin pa pasur asnjë redaktim a përkujdesje drejtshkrimore e pa i respektuar normat e rregullat morfo-sintaksore të shqipes. Kultura dhe etika e të folurit publik kanë pësuar ‘krisje’ të dukshme e të rënda. Ka mjedise shoqërore dhe institucionale, ku shkruhet e flitet dosido, pa asnjë kujdes për etnografinë e ligjërimit, me shpërfillje të dukshme ndaj traditave dhe normave të etikës së kuvendit e të fjalës publike. Pakujdesia dhe papërgjegjshmëria për shqipen e shkruar e të folur shfaqet dukshëm edhe në rendjen e pamotivueshme e të papranueshme pas fjalëve të huaja dhe mënyrave të të thënit të ‘shartuara’ sipas modeleve të anglishtes, por që nuk janë as të pranueshme dhe as të nevojshme”, është shprehur ai.
Dr. Haxhi Shabani ka thënë se duke bërë një retrospektivë të shkurtër të variantit gjuhësor të standardit, përkatësisht pas miratimit të drejtshkrimit të shqipes në vitin 1972, mund të përfundojmë se ai ka një arritje, një dështim dhe një konstatim.
“Arritja – standardi përdoret gjerësisht nga shqiptarët në formë publike e me shkrim në vendet ku jetojnë ata tradicionalisht në Ballkan; Dështimi – ky variant gjuhësor ka dështuar në përdorimin me gojë nga shqipfolësit përgjithësisht, pasi një pjesë e madhe e tyre nuk e përdorin atë në shumicën dërmuese të kohës gjatë komunikimit, qoftë edhe në formë zyrtare e publike; Konstatimi – standardi nuk përdoret i vetëm, por krahas varianteve të tjera, por jo vetëm kaq. Gjuha shqipe nga një pjesë e madhe e shqiptarëve, sidomos pas viteve të ’90-ta, përdoret krahas një gjuhe tjetër e herë-herë të më shumë gjuhëve në situata të ndryshme”, ka theksuar ai.
Nisur nga fakti se sot më tepër se gjysma e shqiptarëve jetojnë jashtë trojeve të tyre, numri i të cilëve rritet përditë, Shabani ka thënë se është vështirë të parashikohet me hollësi se si do të përfundojë kjo luftë e kësaj pjese të shqiptarëve për të ruajtur gjuhën shqipe.
“Por prirjet nuk shkojnë në ruajtjen e duhur të shqipes për këta shqipfolës, me përjashtime të rralla. Prandaj një alarm për gjuhën shqipe dhe shqiptarët mund të thuhet me plot gojën, duke u hartuar në formë pyetjeje: Çfarë do të bëhet me gjuhën shqipe të më tepër se gjysmës së shqiptarëve që jetojnë nëpër botë, të shpërndarë gjithandej?!”, ka pyetur ai.
Akademik Shaban Sinani, njëherësh sekretar shkencor i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ka kumtuar në temën “Nga dialekti në normë, rrugë të hapura në shqipen e njësuar”.
Ai ka thënë se njësimi i shqipes letrare ka qenë çështje kongresesh, duke filluar prej “akademisë së ipeshkvinjve” (1901-1902).
Sinani ka theksuar se ka ekzistuar dhe ekziston një përpjekje për të fabrikuar një raport përjashtues midis gjuhës së njësuar dhe dialekteve e të folmeve.
“Në të vërtetë, qysh me ‘Ligjin për trashëgiminë kulturore’, të miratuar më 7.4.2003, shteti shqiptar i ka shpallur dialektet trashëgimi kombëtare dhe ka njohur detyrimin e vet për marrjen në mbrojtje, studimin dhe respektimin e tyre. Dialektet janë hambari, rezervati i shqipes së njësuar. Janë shkrimtarët, përkthyesit, përdoruesit e fjalës publike, që ndërmjetësojnë pasurinë dialektore me gjuhën letrare të njësuar, e cila është vetëm një nga format e shfaqjes – forma më e zhvilluar – e gjuhës shqipe si trashëgimi. Tentimet për dasì e ridasì mund të quhen dukuri të një mendësie parakombëtare”, është shprehur ai.
Akademiku Sinani ka thënë se “shqipja e njësuar është tashmë një përgjegjësi jo vetëm ndaj njëri-tjetrit, por edhe ndaj asaj bashkësie, asaj federate popujsh drejt së cilës priren sot të gjithë shqiptarët, pavarësisht ndarjeve me kufij, drejt Bashkimit Europian”.
Në fjalën e hapjes, Ismet Kallaba, kryetar i SHAI “Art Club”, ka thënë se ka pasur, ka dhe do të ketë debate për mënyrën e formimit të gjuhës letrare, nëse Kongresi i Drejtshkrimit ishte një vendim politik, nëse vendimi për bazën e standardit të gjuhës shqipe ishte i diktuar nga faktorë jashtëgjuhësore etj., por askush nuk mund të kundërshtojë nevojën e një gjuhe letrare të njësuar.
“A e keni pyetur veten ndonjëherë: Çfarë do të ndodhte po të mos kishim një gjuhë letrare të njësuar? Çfarë do të ndodhte sikur fillimet e viteve ’90 të shekullit të kaluar t’i gjenin shqiptarët pa një gjuhë letrare kombëtare? Prandaj gjuha standarde mund të thuhet me plot gojë se ka qenë një faktor përbashkues për shqiptarët kudo ku ata jetojnë, duke nxitur dhe paraprirë proceset e ardhshme politike që do të ndodhin në fund të shekullit të kaluar dhe fillim të këtij shekulli, ashtu siç Kongresi i Alfabetit i parapriu shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë”, është shprehur ai.
Ai ka veçuar rolin e librave dhe mësuesve të mirë në përvetësimin e gjuhës shqipe.
“Të gjithë ata që kanë marrë detyrën të mësojnë fëmijët duhet ta dinë se kanë marrë përsipër një detyrë të shenjtë, por edhe përgjegjësi të madhe. Nuk ka krim më të madh nëse nuk i mësoni fëmijët siç duhet e aq më keq nëse ua mësoni gabim gjuhën shqipe”, ka thënë kryetari i SHAI “Art Club”.
Në emër të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, të pranishmit i ka përshëndetur Prof. dr. Gëzim Hoxha, kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, i cili ka mbajtur kumtesën “Shqiptarët në Malin e Zi dhe drejtshkrimi i gjuhës shqipe”.
Ai ka thënë se shqiptarët në Malin e Zi janë pjesë shumë aktive e arritjeve të sotme për gjuhën e njësuar shqipe.
“Për këta kontribute do të mund të flitej shumë gjatë, për shumë kontribute e botime të autorëve shqiptarë të Malit të Zi. Por unë po zgjedh një rrugë disi sintetike, duke u përqendruar në tri figura, të cilat simbolizojnë përpjekjet dhe rezultatet e arritura nga shqiptarët e Malit të Zi, për lëvrimin e gjuhës shqipe dhe zhvillimin e kulturës shqiptare në tërësi”, ka thënë ai.
Hoxha ka veçuar ndihmesat që kanë dhënë në lëvrimin e gjuhës shqipe Dom Gjon Buzuku, Dr. Ismail Doda dhe Imzot Simon Filipaj.
Ai ka pohuar se ASHSH-ja “ka pasur, ka dhe do të ketë vëmendje të veçantë për shqiptarët në Malin e Zi, për zhvillimin e gjuhës dhe kulturës së tyre në tërësi”.
Udhëheqësja e programit, nxënësja Liriona Mehmeti ka recituar poezinë “Gjuha shqype” nga Gjergj Fishta.
Përpos shënimit të 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit, këtij jubileu të rëndësishëm për gjuhën dhe kulturën shqiptare, qëllimi i veprimtarisë ishte që të ndërgjegjësojë institucionet përgjegjëse shtetërore dhe shoqërinë shqiptare për rolin dhe rëndësinë e gjuhës shqipe letrare si dhe ngritjen e kulturës gjuhësore në një shkallë më të lartë.
Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe u zhvillua me nismën e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Në të morën pjesë 87 delegatë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe arbëreshët e Italisë, të cilët miratuan Rezolutën e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe.
Vështruar nga perspektiva e sotme, Kongresi i Drejtshkrimit mund të vlerësohet si arritja më e madhe e shqiptarëve në fushën e kulturës për periudhën e pasluftës. 50-vjetori i Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe është shënuar me veprimtari të ndryshme pothuajse kudo ku jetojnë shqiptarët.
I. Kallaba
