Miniera e Trepçës në Stantërg është një minierë e pasur me lloje të ndryshme të xeheve e sidomos të plumbit, zinkut, argjendit, etj. Rrjedhimisht ajo ka qenë dhe është faktor i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik, jo vetëm i Mitrovicës por i krejtë Kosovës. Për këto dhe shumë arsye të tjera, Trepça për pasurinë e saj, mënyrën e shfrytëzimit dhe strukturën udhëheqëse ka tërhequr vëmendjen e shumë studiuesve të vendit dhe të huajve. Një ndër studiues të tillë është edhe Dr. sc. Mustafë Haziri nga Mitrovica, i cili ditë më parë botoi librin “Miniera e Trepçës në Stantërg gjatë hekullit XX”.
Të shkruash për rolin e madh ekonomiko-politik dhe historik që ka pasur Trepça në të kaluarën e saj, sidomos për popullin shqiptar të Kosovës, përveç se duhet angazhim, kohë, mund e sakrificë është edhe përgjegjësi e madhe, aq më tepër kur historiografia shqiptare nuk i ka kushtuar vëmendje të veçantë e të duhur! Autori Dr. Mustafë Haziri, me angazhimin dhe sakrificën e madhe të tij e me përgjegjësinë më të madhe, pa pyetur për kohën, mundin apo ndonjë pengesë tjetër iu përvesh punës seriozisht e me profesionalizëm, hulumtoi e sistematizoi dokumente arkivore, shqyrtoi një vëllim të madh literature të botuar, shtypin e brëndshëm e të jashtëm dhe intervistoi personazhe të ngjarjeve më rëndësi për minierën dhe në Minierën e Trepçës. Duke analizuar e strukturuar burimet e përmendura shkencore autori vjen në përfundim se “zhvillimet në Minierën e Trepçës në Stantërg janë jo vetëm të karakterit ekonomik, politik dhe social, por edhe të karakterit strategjik, gjeopolitik dhe ushtarak”.
Autori librin e ka ndarë në katër kapituj kryesor. Në kapitullin e parë autori trajton aktivitetet e Minierës së Trepçës në kohën ilire, romake, mesjetare dhe të periudhës së Perandorisë Osmane, ndërsa në kapitullin e dytë bëhet fjalë për aktivitetet e Minierës në mës të dy luftrave botërore. Ndërkaq, autori në kapitullin e tretë trajton funksionimin e Minierës së Trepçës në Stantërg gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa në kapitullin e katërt, sipas mendimit tim, kapitulli më i rëndësishëm i këtij libri, autori trajton me fakte të pakontestueshme, funksionimin e Minierës së Trepçës pas Luftës së Dytë Botërore, kur ajo eksplatohej nga jugosllavët, e deri me administrimin e OKB-së, pra deri në përfundimin e luftës për çlirimin definitive të Kosovës nga regjimi famëkeq jugosllav.
Për shkrimin e këtij libri autori ka përdorur metodat shkencore të cilat aplikohen në shkencën bashëkohore, por më duket se rëndësi të veçantë i ka dhënë metodës historiografike dhe statistikore duke e plotësuar mangësitë e këtyre të dyjave me metodën e intervistës. Vetë autori cek se e ka shfrytëzuar “këtë metodë me qëllim të marrjes së opinioneve të protagonistëve kryesorë të kohës lidhur me ngjarje të caktuara të kohës”. Përdorimi i dokumentave arkivore të botuara e të pabotura, referencat akademike e publicistike me vëmendje të veçantë, i japin këtij libri karakter të mirëfilltë shkencor.
Autori në këtë libër jep shënime të sakta për rolin e xehtarisë që luante në jetën shoqërore ekonomike që në kohën iliro-romake. Rëndësia e Minierës së Trepçës, sipas autorit, u rrit që në kohën e mesjetës, kur si shteti serb ashtu edhe ai osman i kushtuan kujdes të veçantë zhvillimeve minerare duke i vëndosur ata nën kontrollin e shtetit. Ndërkaq, eksploatimi modern i Trepçës fillon në periudhën në mes të dy luftrave botërore ndonëse hulumtimet e xeheve në Trepçë kanë filluar qysh në vitin 1906, nga një kompani ruse. Siç dihet Kosova në mënyrë të padrejtë e pa vullnetin e popullit, me përkrahjen e Fuqive të Mëdha të kohës u bë pjesë e MSKS-së, gjegjësisht e Jugosllavisë.
Meqenëse Jugosllavia nuk kishte kapital të nevojshëm për hulumtime dhe eksploatimin e minierave, puna hulumtuese e më vonë edhe eksploatimi i Minierës së Trepçës iu besua Britanisë së Madhe e cila në atë kohë përfaqësonte fuqinë kryesore industriale botërore. Ata gjeten rezerva të mëdha të plumbit, zinkut e mineraleve të tjera të cilat do t’i shfrytëzojnë deri në fillim të Luftës së Dytë Botërore. Bazuar në dokumentet e përdorura, autori vërteton se eksploatimi modern i Trepçës filloi në vitin 1927, ku në këtë kohë fillon jetën Trepça e sotme. Britaniket do ta shfrytëzojnë Trepçën deri në fillim të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa gjatë Luftës së Dytë Botërore Trepça u shfrytëzua nga Gjermania naziste. Në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, në bazë të rrethanave politike të kohës, Trepça u bë faktor i rëndësishëm jo vetëm i raporteve dhe marrëdhënieve ndërshtetërore britaniko-jugosllave, por edhe i raporteve ndërkombëtare. E gjithë kjo tregon se Trepça nuk ishte vetëm problem i interesit ekonomik, por edhe problem politik e strategjik mjaft delikat.
Autori konstaton se zhvillimi më i shpejtë i Trepçës ka ndodhur gjatë shfrytëzimit të saj nga Jugosllavia socialiste, në mes të viteve 1950-1990. Në vitin 1950 u ndërtua furra e parë e plumbit ndërsa investime më të mëdha u bënë në vitin 1964, kur u ndërtua fërgimtorja dhe dy furra. Në vitin 1974 filloi punën e rregullt metalurgjia e zinkut dhe fabrika e akumulatorëve në Mitrovicë.
Zhvillimi i Trepçës në përgjithësi, e sidomos pas vitit 1974, pati impakt të madh në aspektin ekonomiko-social jo vetëm të të punësuarve, por për mbarë shoqërinë në Kosovë dhe u shndërrua në bartës kryesor të zhvillimit ekonomik. Në vitin 1960 Trepça punësonte 8.000 punëtorë, ndërsa në vitin 1988 ky numër u rrit në 22.885 punëtorë duke u shndërruar kështu në një gjigant të vërtetë ekonomik. Vlen të përmendet se serbët e Kosovës mbanin 68% të pozitave administrative dhe udhëheqjes në Trepçë edhe pse ata përbënin pakicën, kurse shumica e punëtorëve të thjeshtë dhe minatorëve ishin shqiptarë. Kombinati “Trepça”, bazuar në dokumentet zyrtare që i prezanton autori, gjatë vitit 1983 ishte njëra prej pesë (5) organizatave më të mëdha në ish-Jugosllavi, kurse për nga bilanci devizor gjendej në vendin e tretë. Miniera e Trepçës ishte ndër katër minierat më të njohura në botë. Por çe do kur në Trepçë punohej e Beogradi ndërtohej. Duke pasur parasysh pasuritë natyrore dhe nivelin e investimeve në Ulqin, po në atë periudhë, lirisht mund të thuhet se “në Ulqin punohej e Budva ndërtohej”! Mbizotërimi i “Trepçës” me çdo kusht, nga ana e serbëve, do të shprehet në mënyrë arrogante direkte pas demonstratave të vitit 1981 dhe suprimimit të Kushtetutës së Kosovës.
Vështrimi i përgjithshëm mbi periudhën e para grevës dhe fillimi i protestave të nëntorit të vitit 1988, zënë vendin e merituar edhe në këtë libër. Punëtorët e Trepçës ishin kategorikisht kundër çdo përpjekjeje që cenonte autonominë e Kosovës. Ata në vazhdimësi kundërshtonin masat e marra ndaj autonomisë së Kosovës nga ana e Serbisë. Një numër i madh i minatorëve marshuan në këmbë nga Mitrovica deri në Prishtinë! Meqenëse kërkesat e tyre nuk përfilleshin nga regjimi serb, minatorët më 20 shkurt 1989, u barrikaduan në thellësi të zgafellës dhe hynë në grevë urie të përgjithshme. Pas hyrjes së minatorëve në zgafellë, kërkesat e tyre u mishëruan me masat e gjëra popullore. Autori konstaton se minatorët nuk u barrikaduan në zgafellë për çështjen e tyre personale por për çështjen e përgjithshme kombëtare. Përkrahjet e mbështetjet vinin nga të gjitha strukturat popullore, nga disa politikanë të Kosovës, punëtorë, studentë e artistë. Kishte të atillë që kishin deklaruar “po shkoj me vdekë me shokët e mi!” Ndërkohë, minatorët në zgafellë i vizituan Azem Vllasi, Bahri Oruçi të cilët i njoftuan minatorët për përkrahjen dhe solidarizimin e opinionit të gjërë me minatorët. Këtu, jo pa qëllim, po përmend vetëm dy përkrahje individuale nga bota e artit dhe kulturës. Artisti i madh me famë botërore i cili jetonte në Beograd, në telegramin dërguar atyre, minatorët i quante “bij të Trepçës legjendare, revolucionare dhe liridashëse”, u tha: “Soladirizohem me dinjitetin tuaj heroik e mbinjerëzor. Me fat, i Juaji Bekim Fehmiu”! Ndërsa këngëtarja e mirënjohur e patriote e pashoqe Shkurte Fejza, në telegramin përkrahës dërguar minatorëve në horizontin e tetë shprehej: ”Vëllezër minatorë, me gjithë dëshirë do t’u kisha vizituar, por jam para lindjes, prandaj me vjen keq që nuk kam mundësi t’u shoh e t’u përqafoj”! Në lidhje me torturat ndaj të burgosurve nga pushteti serb, profesor Haziri nëpërmes intervistave ka sjellur dëshminë e shumë prej tyre. Në libër veçohen dëshmitë rrëqethëse të Avdi Ukës dhe Ramadan R. Gjeloshit, dhe intervistat me akterët kryesor Burhan Kavajën, Aziz Abrashin, Azem Vllasin e Kaqushe Jasharin.
Në fund dua të theksoj se libri është thurur me mjeshtri të rrallë, me një gjuhë e stil të lehtë e të kuptueshme nga kushdo. Argumentet e mjaftueshme arkivore, shtypi i kohës, intervistat e dëshmitë e akterëve kryesor të ngjarjeve të ndërthurura me njëra-tjetrën, e bëjnë librin më të afërt me lexuesit dhe studiuesit e ardhshëm për Trepçën. Prandaj, kushdo që dëshiron të sjellë kujtesën dhe të zgjerojë njohuritë për atë ngjarje të rëndësishme të popullit shqiptar, duhet të lexojë këtë libër sepse ia vlen.