Padyshim që lajmi mbi pranimin e xhubletës në UNESCO (Organizata për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara) si veshje e lashtë shumëshekullore, është i një rëndësie të veçantë dhe lajm i shumëpritur për pasurimin e thesarit të trashëgimisë kulturore të kombit shqiptar. Ky vendim gëzon tejmase studiuesit e folklorit dhe të gjithë ata të cilët ndër vite dhe shekuj kanë kontribuar në ruajtjen e xhubletës dhe punimin e saj, por edhe të gjithë ata të cilët nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme kulturore e kanë promovuar atë, duke e përcjellur kështu tek brezi i ri për të mos e mbuluar pluhuri i harresës.
Komiteti Ndërqeveritar për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale në mbledhjen e mbajtur në Rabat të Marokut, ka miratuar unanimisht shpalljen e xhubletës dhe dijebërjes së saj si pjesë të listës së trashëgimisë kulturore jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO-s.
Lajmin mbi këtë vendim e bëri të ditur javën e kaluar ministrja e Kulturës e Republikës së Shqipërisë, Elva Margariti e cila në një video të shpërndarë në faqen e saj zyrtare të fejsbukut, e konsideroi xhubletën si një thesar e cila në vrullin e kohës po rrezikonte dita-ditës të humbiste.
“Por ne nuk duhet të lejojmë që xhubleta të mbetet thjeshtë një relike e së shkuarës. Me përfshirjen në këtë listë, ajo do të ketë gjithë mbështetjen, jo vetëm të institucioneve tona, por tashmë edhe të atyre ndërkombëtare që do ta trajtojnë xhubletën si pasuri të të gjithë njerëzimit”, u shpreh Margariti.
Ajo më tutje duke treguar se për të ardhur deri tek kjo ditë janë dashur vite të tëra pune, falënderoi çdo specialistë, bashkëpunëtorë dhe çdo bartës të dijebërjes së xhubletës të cilët, siç tha, në mënyrë të pakursyer ndihmuan që jo vetëm t’i plotësohet xhubletës një dosje aplikimi, por t’i tregohet mbarë botës një copëz shqiptarie.
Ndërkohë, në këtë video janë shfaqur edhe disa sekuenca nga pamja e xhubletës, duke sqaruar se ajo për ne shqiptarët nuk është thjeshtë një kostum dhe një veshje, por një mënyrë jetese.
“Një petk që i shoqëron gratë e Malësisë nga lindja deri në vdekje, që shoqëron çdo gëzim dhe hidhërim. Kjo veshje madhështore katërmijëvjeçare e mbushur plot e përplot me simbole jete, sot po tejkalon edhe kufijtë shqiptarë. Ajo nuk është thjeshtë vetëm një dosje, është një zemër pulsuese për të cilën duhet të kujdesemi që ta mbajmë gjallë, duke përcjellë mjeshtërinë e krijimit nga brezi në brez”, thuhet ndër të tjera në këtë video-xhirim të cilën Ministria e Kulturës e Shqipërisë ia ka kushtuar xhubletës me rastin e shpalljes së saj nën mbrojtje të UNESCO-s.
Padyshim që lajmi mbi pranimin e xhubletës në UNESCO (Organizata për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara) si veshje e lashtë shumëshekullore, është i një rëndësie të veçantë dhe lajm i shumëpritur për pasurimin e thesarit të trashëgimisë kulturore të kombit shqiptar. Ky vendim gëzon tejmase studiuesit e folklorit dhe të gjithë ata të cilët ndër vite dhe shekuj kanë kontribuar në ruajtjen e xhubletës dhe punimin e saj, por edhe të gjithë ata të cilët nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme kulturore e kanë promovuar atë, duke e përcjellur kështu tek brezi i ri për të mos e mbuluar pluhuri i harresës.
Kujtojmë që pjesë e listës së pasurive botërore që mbrohen nga UNESCO janë edhe Butrinti, Berati, Gjirokastra dhe iso-polifonia, ndërsa dosja për të shpallur xhubletën pasuri të trashëgimisë kulturore nën mbrojtjen e UNESCO-s është dorëzuar vitin e kaluar.
t. u.
