Studim me vlerë i shpalosjes dhe reflektimit të torturave dhe vuajtjeve të popullatës shqiptare ndër shekuj

Shaban Hasangjekaj

Studim me peshë dhe vlerë të madhe për kombin shqiptar i përfshirë, trajtuar dhe shtjelluar në librin me titull “Zhdukja e shqiptarëve nga trojet e tyre në shekujt XIX-XX”, të autores së mirënjohur shqiptare Prof. Ass. Dr. Elena Kocaqi, përndryshe pedagoge universitare e diplomuar në tre fakultete me rezultate të shkëlqyera në degët: histori, juridik dhe shkenca politike, bartëse e gradës shkencore Dr. e Albanologjisë e së shpejti edhe të shkencave politike (në vitin 2017) në Universitetin e Vjenës në Austri, ka si qëllim të trajtojë shtrirjen e etnisë shqiptare në Ballkan gjatë shekujve XIX-XX dhe mënyrat se si kjo etni filloi të tkurrej nga krijimi i shteteve ballkanike. Studimi synon t’u përgjigjet pyetjeve vijuese: Cila ishte shtrirja e shqiptarëve në Ballkan? A banohej Greqia klasike nga shqiptarët, dhe cili është roli i shqiptarëve në krijimin e shtetit grek? Deri ku shtriheshin trojet shqiptare në Veri, dhe si arriti Serbia të marrë një pjesë të tokave shqiptare dhe të dëbojë popullsinë? Cilat ishin planet e shumta që u hartuan nga Serbia për të zhdukur shqiptarët, dhe si u vunë në zbatim ato? Ku shtriheshin territoret e banuara nga shqiptarët në Maqedoni dhe Mal të Zi? Çfarë roli patën Fuqitë e Mëdha në zhdukjen e shqiptarëve nga Ballkani? Cilat ishin pasojat e gjenocidit kundër shqiptarëve?
Autorja e studimit Elena Kocaqi, në fillim të parathënies shprehet se fjala është për një problematikë historike, sa të gjerë aq edhe të ndërlikuar dhe se nuk do të mjaftonin studime të tëra për ta shteruar, ndaj dhe në këtë studim fokusimi përqendrohet në çështjet kryesore.
“Kjo është një temë shumë delikate që prek interesa politike, por në studim do të evidentojmë me fakte dhe argumente vetëm të vërtetën historike”, thekson autorja.
Brumin e materialit të studimit, autorja Prof. Ass. Dr. Elena Kocaqi e ka ndarë dhe sistemuar në parathënie, hyrje, katër krerë: 1.Krijimi i shtetit grek në “Shqipërinë e Jugut”, i zbërthyer në shtatë trajtesa shtjelluese; 2. Zgjerimi i Serbisë dhe gjenocidi mbi shqiptarët në shekujt XIX-XX, në tetë trajtesa shtjelluese; 3. Maqedonia dhe Mali i Zi, në tre trajtesa shtjelluese; 4. Mbijetesa dhe zgjidhja e çështjes shqiptare, në dy trajtesa shtjelluese, në konkluzione, bibliografi dhe arkivi, gazeta dhe ueb.
Autorja Kocaqi bën me dije se libri më parë ka qenë botuar me titullin “Planet për zhdukjen e shqiptarëve”, por pas këtij përpunimi ajo ka konkluduar se titulli duhet ndryshuar, pasi që nuk ka pasur të bëjë vetëm me plane por edhe me zbatimin e politikave të tëra ndërkombëtare që zhduken nga pjesa më e madhe e territorit të tij, kombin shqiptar.
Librin e ka botuar Shtëpia Botuese “EMAL” në Tiranë në vitin 2017 dhe përbëhet prej 194 faqesh.
Hyrjen e trajtesës shtjelluese të lëndës së studimit “Zhdukja e shqiptarëve nga trojet e tyre në shekujt XIX-XX”, autorja Elena Kocaqi e fillon me shprehjen: “Shqiptarët si pasardhës të epirotëve pellazgë, janë themeluesit e qytetërimit antik greko-romak. Si dardanë janë trashëgimtarët e qytetërimit Trojan dhe themeluesit e dinastive dhe shteteve antike e mesjetare në Evropë. Si pasardhës të maqedonëve, ata krijuan perandorinë më të madhe që njeh historia,një mbret epiroto-maqedon, siç ishte Aleksandri i Madh. Për nga trashëgimia historike, kulturore dhe gjuhësore, shqiptarët hyjnë tek popujt më të pasur të historisë së njerëzimit. Autorja në vazhdim thekson se në epokën moderne, shqiptarët nuk u trajtuan aspak sipas trashëgimisë së tyre historike, por përkundrazi ata u penalizuan nga Fuqitë Evropiane duke humbur një pjesë shumë të madhe të territorit të tyre, të ruajtur që prej antikitetit. Territori që kanë banuar shqiptarët në fillim të shekullit te XIX, është i vështirë për t’u përcaktuar saktësisht, pasi që gjatë Perandorisë Osmane nuk pati kufij etnik të mirëfilltë dhe popullsia ndahej në milete fetare. Megjithatë, në bazë të të dhënave rezulton se shqiptarët në shekullin XIX kanë banuar pjesën më të madhe të Greqisë së sotme, në tre të katërtat e Maqedonisë antike dhe në pjesën më të madhe të Malit të Zi të sotëm, dhe në një pjesë më të madhe të asaj që quhet Serbi. Sigurisht që kanë banuar dendur Shqipërinë e sotme politike, ku përfshihet edhe Epiri, si dhe Kosovën e sotme. Pra territori ku banonin shqiptarët, ishte i gjerë dhe përfshinte brenda Heladën antike, Maqedoninë antike, Epirin antik, si dhe një pjesë të madhe të Ilirisë antike.
Autorja Elena Kocaqi në tekstin e studimit të vet shkruan se Fuqitë Evropiane i krijonin shtetet jo mbi bazën e etnisë, gjuhës dhe historisë së një populli, por mbi bazën e interesave të shteteve të tyre. Diplomacia evropiane e kohës, u ka shkaktuar shqiptarëve një dëm aq të madh, që nuk ua kanë shkaktuar atyre as perandoritë pushtuese, dhe as dyndjet barbare. Në tryezat e këtyre diplomacive u ngritën shtetet artificiale që asimiluan dhe zhdukën me miliona shqiptarë, duke i shndërruar ata në grekë, serbë, bullgarë, malazezë, turq. A u bë kjo me qëllim për të zhdukur popullin më të vjetër të Evropës që si epirot, maqedon, dardan apo ilir, kishin diktuar historinë e Evropës dhe më gjerë, apo u bë nga injoranca historike e Evropës? Duhet pranuar që Evropa dhe më gjerë, është injorante në lidhje me historinë e shqiptarëve, të paktën në dukje. Ndoshta kjo histori njihej dhe anashkalohej për të mbështetur aleancat politiko-ushtarake në interesin e saj. Evropa e filloi me krijimin e një Greqie artificiale mbi popullin shqiptar që banonte Peloponezin (Moren) dhe Atikën, duke asimiluar shqiptarët arvanit në grekë. Ky shtet më pas mori edhe troje të tjera në Thesali, Epir dhe Maqedoni të banuara nga shqiptarët. Më pas ishte diplomacia vvropiane me atë ruse që krijoi dhe zgjeroi Serbinë mbi tokat shqiptare. Zgjerimi i saj në vitin 1878 në trojet shqiptare ishte edhe një nga dëmet më të mëdha që iu bë shqiptarëve. Ishte shteti serb që brenda javës në marsin e vitit 1878 dëboi gjithë popullsinë shqiptare nga këto troje, të cilat ia dha marrëveshja turko-ruse e Shën Stefanit. Pa dhënë ende miratimin Evropa, Serbia e bëri fakt të kryer, sepse ajo i dëboi shqiptarët dhe Kongresi i Berlinit nuk bëri gjë tjetër veçse, ia njohu asaj atë territor. Po kështu edhe Mali i Zi pësoi zgjerimin e tij më të madh territorial duke dalë në det nga bregdeti shqiptar që nga rrjedha e Bunës, deri në Tivar dhe duke dyfishuar territorin e tij në tokat shqiptare. Me gjithë këto humbje, sërish shqiptarët kishin territoret nga Preveza dhe Maqedonia në Jug, deri në Kosovë e Sanxhak në Veri.
Autorja e studimit, zonja Kocaqi thekson se Sami Frashëri në fund të shekullit të XIX e përcaktoi territorin shqiptar në koordinatat gjeografike midis gradëve 39 e 43 të gjerësisë veriore dhe 17 e 20 gradë të gjerësisë lindore, duke qenë gjatësia me e madhe, dhe 1.000 km gjerësia më e madhe. Ky territor i konsiderueshëm lakmohej nga Fuqitë Ballkanike që kishin hapur oreksin për të zgjeruar edhe më tej shtetet e tyre.

Të fundit

më të lexuarat