Fillimi i bashkëpunimit të ngushtë

Shkodër – Komuna e Ulqinit dhe Bashkia Shkodër kanë firmosur marrëveshjen “Për nxitjen e bashkëpunimit në kuadër të Programit ndërkufitar Mali i Zi – Shqipëri”. Marrëveshja është firmosur nga kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari, dhe kryetari i Bashkisë Shkodër, Bardh Spahia, gjatë takimit në zyrën e kryetarit të Bashkisë Shkodër.
Bajraktari dhe Spahia kanë vlerësuar se ekzistojnë shumë fusha ku mund të bashkëpunohet midis këtyre dy qyteteve, si arti, kultura, arsimi, turizmi, përmes zbatimit të projekteve të përbashkëta me ndikim ekonomik.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari, është shprehur optimist pas nënshkrimit të marrëveshjes, duke thënë se përmes saj do të përcjellin disa mesazhe bashkëpunimi që në njëzet vitet e kaluara nuk janë parë.
Ai ka thënë se bashkëpunimi ndërmjet Ulqinit dhe Shkodrës nuk ka alternativë dhe se këto dy qytete duhet të konsiderohen jo si dy zona, por si një zonë e përbashkët, qoftë për shkak të lidhjeve historike dhe tradicionale, afërsisë gjeografike dhe shumë gjërave të tjera që i lidhin.
“Mendoj se mund t’i bëjmë disa projekte konkrete ku qytetarët, edhe të Ulqinit, edhe të Shkodrës t’i kenë disa benefite dhe ta nisim një rrugë të re të kësaj zone”, ka thënë ai, duke shtuar se ky bashkëpunim do të nxisë zhvillimin ekonomik, kulturor dhe të disa fushave të tjera në të dy qytetet.
Kryetari i Bashkisë Shkodër, Bardh Spahia, e ka cilësuar memorandumin vetëm si një fillim të bashkëpunimit të domosdoshëm që do të zhvillohet edhe më tej në të ardhmen.
“Dëshiroj ta theksoj faktin që është vetëm fillimi i një bashkëpunimi të ngushtë. Pa dyshim, ky takim i sotëm do të ndiqet edhe nga takime të tjera, zyrtare por edhe informale, të cilat do të kemi kënaqësi t’i vëmë në jetë në muajt në vazhdim. Kontakti do të jetë i ngushtë jo vetëm midis neve si kryetarë, por edhe mes stafeve tona drejtuese, drejtorive tona, në mënyrë që t’u garantojmë bashkëqytetarëve tanë një të ardhme të përbashkët dhe t’i koordinojmë forcat tona për realizimin e objektivave të cilat gjithashtu i kemi të përbashkëta, siç është edhe integrimi evropian i dy vendeve tona”, është shprehur ai.
Spahia dhe Bajraktari janë pajtuar se Shkodra dhe Ulqini duhet të konsiderohen si një rajon i përbashkët dhe se forcat për përmirësimin dhe zhvillimin ekonomik duhen të jenë të koordinuara për t’u garantuar qytetarëve të këtyre dy qyteteve maksimumin e zhvillimit.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat