Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve “Teuta” ka organizuar më 29-30 tetor edicionin e dhjetë të Manifestimit Letrar Trekufitar “Muzat e Alpeve”. Mikpritës të këtij edicioni kanë qenë qyteti i Rahovecit në Kosovë, ku të shtunën ka filluar manifestimi dhe janë zhvilluar disa aktivitete, dhe Podgorica në Malin e Zi, ku ndër të tjera është ndarë Çmimi për vepër jetësore “Teuta”.
Kryetarja e ShRSh “Teuta”, poetja dhe gazetarja Ajetë Beqiraj, dhe shkrimtari Mirash Martinoviq, kanë folur për idenë dhe historinë e themelimit të kësaj shoqate, duke nënvizuar se manifestimi “Muzat e Alpeve” ka përshkuar deri tani 22 qytete në Kosovë, Shqipëri dhe Mal të Zi.
“Karvani i shkrimtarëve ka kaluar qytete, vende dhe në këtë mënyrë ka kryer një mision fisnik dhe specifik, njohjen e diversitetit, kulturave, e përmes tyre edhe të afrimit”, ka thënë shkrimtari Martinoviq.
Ndërsa Beqiraj ka thënë se gjatë këtyre dhjetë viteve kanë pasur sfida të shumta.
“Kemi pasur sfida të shumta. Mendoj se kemi bërë diçka, kemi korrur edhe sukseset tona.
Unë me këtë rast falënderoj të gjithë ata që ishin, që janë dhe po na bashkëngjiten ditë pas dite që ta pasurojmë ‘Teutën’ tonë, ta rrisim, ta ngrisim tutje”, ka thënë ajo.
Beqiraj dhe Martinoviq kanë vlerësuar si shumë të rëndësishëm edicionin e botimeve të Shoqatës “Teuta”.
“Unë jam e lumtur sot shumë që në këtë 10-vjetor kemi arritur që të dalim edhe me botimet tona që janë gjashtë botime në dy gjuhë”, është shprehur kryetarja e ShRSh “Teuta”.
Zija Çela, shkrimtari më origjinal dhe më profilik i prozës në gjuhën shqipe
Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve “Teuta” ka vendosur që Çmimi për Vepër Jetësore “Teuta” këtë vit t’i ndahet shkrimtarit të mirënjohur Zija Çela. Në motivacionin e përgatitur nga shkrimtari Rudolf Marku në emër të kësaj shoqate thuhet: “Zija Çela, ndoshta shkrimtari më origjinal dhe më profilik i prozës në gjuhën shqipe, përbën një rast unik në letrat tona. Ai shfaqet si një planet letrar, krejt më vete, i pakrahasueshëm, prandaj i rëndësishëm dhe vetvetja. Në librat e Zija Çelës ngjarjet mund të ndodhin kurdorherë. Dhe kjo u jep romaneve të autorit një dimension të përtejshëm e të përjetshëm. Me krijimtarinë e tij Zija Çela ka provuar se letërsia e madhe i shpëton tiranisë së kohës. Kohës kalendarike. Por jo asaj ku rrinë së bashku veprat më të mira të letërsisë e të krijimtarië shpirtërore, në atë zonë ku qëndron me dinjitet dhe krijimtaria e tij”.
Në fjalën e tij pas marrjes së Çmimit, shkrimtari Çela ka thënë se mbase mund t’u duket e çuditshme, por ai e ka ditur që prej 70 vitesh se do të vinte një ditë që ai do të ndodhej në Podgoricë.
Ai ka treguar një histori të bisedës së nënës së tij dhe të fqinjes, e cila ishte nga Podgorica dhe fliste një gjuhë tjetër. Nëna e tij, analfabete, po mësonte një gjuhë të huaj.
“Çfarë ishte ajo fuqi? Qysh atëherë unë kam besuar në një gjë. Kjo gjuha nuk e ka rrënjën në gojë. Gjuha e ka rrënjën në zemër. Zonjat nuk e dinin se si padashje në ndërgjegjen e shkrimtarit të ardhshëm po mbillnin idenë e njeriut të hapur, e atyre gjërave që sot shprehen me terma moderne: empati, fqinjësi e mirë, Evropë e Bashkuar, globalizëm etj.”, ka thënë Çela.
Shkrimtari ka lavdëruar punën e Shoqatës “Teuta”, për të cilën ka thënë se ka bërë më të mirën e vet.
“Përveç tjerave, të përmbledhësh veprat e dhjetë autorëve bëjnë një bibliotekë të tërë. Dhe kjo bibliotekë do të mund të quhej ‘Teutë’”, ka thënë Çela.
Duke iu referuar letrës së akademikut Rexhep Qosja lidhur me propozimin e tij për Çmimin Nobel, Çela ka thënë se e koncepton ndryshe atë propozim.
“E konceptoj si një ripohim i fuqishëm se në Ballkan, në këtë vatër gjenetike të letërsisë, ka pasur e ka sot e kësaj dite prozatorë e poetë të një niveli të cilët meritojnë të njihen përtej e përtej rajonit”, ka theksuar shkrimtari.
Çmimin për Vepër Jetësore “Teuta”, Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve “Teuta” e ndanë në kuadër të Manifestimit Letrar Trekufitar “Muzat e Alpeve”, për shkrimtarët më eminentë, veprat e të cilëve kanë lënë gjurmë të ndritura në letërsinë shqipe dhe malazeze. Laureatë të deritanishëm të këtij çmimi janë: Jevrem Brkoviq, Dritëro Agolli, Ramiz Kelmendi, Mirash Martinoviq, Moikom Zeqo, Nazmi Rrahmani, Zuvdija Hoxhiq – Berisha, Xhevahir Spahiu, Rexhep Qosja dhe Zija Çela.
Përurohen përmbledhja me poezi “Perla poetike” dhe romani “Ora e Zooparkut”
Në kuadër të këtij manifestimi është bërë përurimi i përmbledhjes në dy gjuhë (shqip dhe malazezisht) me poezi “Perla poetike”. Në të janë përfshirë dymbëdhjetë poete shqiptare dhe malazeze: Natasha Lako, Flora Brovina, Edi Shukriu, Lena Ruth – Stefanoviq, Svetlana Kaleziq – Radonjiq, Lindita Arapi, Entela Kasi, Ilire Zajmi, Raimonda Moisiu, Mimoza Çobo. Tanja Bakiq dhe Dragana Tripkoviq.
Shkrimtari Mirash Martinoviq, i cili së bashku me akademikun Zuvdija Hoxhiq ka shkruar recensionin për këtë përmbledhje, është shprehur krenar për këtë botim që, sipas tij, është i pari i këtij lloji.
“’Të ngjashme në dallime, të ndryshme në ngjashmëri’, këto janë personalitete të fuqishme që shkatërrojnë paragjykimet dhe stereotipet e rrënjosura në rolin dhe vendin e poezisë ‘femërore’, duke shkruar poezi që i mirëpresin (si të vetat) lexues të traditave të tjera dhe të ndryshme dhe të kulturës së përgjithshme, duke i vlerësuar si arritje artistike të jashtëzakonshme. Poezia e tyre është moderne, komunikuese, universale, e rrënjosur në kultura dhe tradita të gjata, të tyre dhe të tjerëve. Me arsim të lartë dhe shumë të talentuara, poetet tona shkruajnë njëkohësisht në gjuhë të huaja, duke ruajtur traditën letrare që i përkasin, gërshetojnë shpirtin e tyre me vlera universale që do të mbijetojnë ndër shekuj”, ka thënë ai.
Poezitë janë përkthyer nga Qazim Muja, Nikollë Berishaj dhe Dimitrov Popoviq, ndërsa biografitë e poeteve nga Smajl Smaka.
Përkthyesi Nikollë Berishaj ka folur për sfidat e përkthimit.
Sipas tij, të përkthesh një poezi prej gjuhës malaziase në atë shqipe, gjegjësisht anasjelltas, është ta njohësh shpirtin e këtyre dy popujve, popujve fqinj, dhe para së gjithash ta njohësh autorin përfaqësues të cilin dëshiron ta prezantosh në gjuhën tjetër.
“Është shumë interesant se sa pak njihemi e sa të ngjashëm jemi. Ndodh që autorët në këtë libër, jo se e kanë interesimin e ngjashëm, por aty-këtu kam hasur në shprehje gati-gati identike. Domethënë një shpirt që frymon këndej dhe andej kufirit politik, se poezia kufij nuk ka, din të marrë atë që është më e mira, si bleta kur e merr nektarin, më e mira prej kulturës, prej shpirtit të një populli e në dëshirën, në mundësinë e përkthyesit është që ajo t’i prezantohet një kulture të re, gjithmonë me dëshirë që mos të humbë nga mesazhi që autori origjinal ia ka dedikuar lexuesit të vet në gjuhën e vet amtare”, ka thënë Berishaj.
Disa nga poetet dhe poetët pjesëmarrës në aktivitet kanë lexuar vargje nga krijimtaria e tyre.
Përpos librit me poezi të zgjedhura të poeteve shqiptare dhe malazeze është përuruar edhe romani “Ora e Zooparkut” i shkrimtarit Zija Çela, përkthyer në gjuhën malazeze nga Qazim Muja.
Pjesë e programit të manifestimit që është mbajtur në Bibliotekën e Qytetit “Radosav Lumoviq” ka qenë edhe filmi dokumentar “10 vjet Teuta”, i cili pasqyron rrugëtimin e këtij manifestimi që ka filluar në vitin 2013 si dhe aktivitetet që janë zhvilluar në qytete të ndryshme të Kosovës, Shqipërisë dhe Kosovës.
“Jemi munduar të bëjmë diçka që të kemi një pasqyrë, të lëmë një gjurmë pas të atyre aktiviteteve tona”, ka thënë Ajetë Beqiraj, kryetare e ShRSh “Teuta”.
Në pjesën përmbyllëse të manifestimit aktori nga Struga, Xhevat Limani, ka deklamuar vargje nga poeti Migjeni.
Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve “Teuta” tubon krijues nga Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi. Që prej vitit 2013, kjo shoqatë organizon Manifestimin Letrar Trekufitar “Muzat e Alpeve”, në kuadër të të cilit ndanë edhe Çmimin për vepër jetësore “Teuta”.
i. k.
