U prezantuan punimet artizanale dhe ushqimet e ndryshme

Tuz- “Festa e kungullit” ose siç njihet ndryshe si “Halloween fest”, e cila mendohet të ketë origjinë nga festat pagane, u organizua për të tretin vit radhazi nga Organizata Turistike e Tuzit. Ky manifestim i cili u mbajt në ambientin e mrekullueshëm afër ujëvarës së Niagarës, mblodhi një numër të konsiderueshëm vizitorësh nga të gjitha zonat rurale dhe urbane të Malësisë, dhe më gjerë.
Në këtë eveniment i cili synon prezantimin dhe evidentimin e prodhimeve më të mira vendore, produktet e tyre i ekspozuan disa artizanë, amvise dhe kuzhinierë, ku dominuan gatimet e përgatitura nga kungulli.
Në fillim të këtij aktiviteti, drejtoresha e Organizatës Turistike të Tuzit, Leonora Dedivanoviq tha se “Kungull fest” ka lindur nga ideja e një fëmie dhe për këtë arsye u shpreh ajo, fëmijët janë mysafirët tonë më të dashur.
“Falënderojmë në radhë të parë artizanët dhe amviset tona, pa të cilët as kjo, dhe asnjë manifestim tjetër nuk do të ekzistonte. Falënderojmë edhe artizantët nga Podgorica, si dhe vullnetarët tonë të cilët vit pas viti ziejnë gjellëra dhe specialitete të ndryshme”, tha ndër të tjera Dedivanoviq.
Aktiviteti në fjalë u karakterizua edhe nga muzika live që interpretuan këngëtarja Eliza Markiq, Dragana Buzovana dhe orkestra “Meraklitë e Tuzit”.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat