„Parqet Kombëtare“ ndalojnë realizimin e projektit në Kriporen e Ulqinit

Nga QMSSH (Qendra për Mbrojtjen dhe Studimin e Shpendëve) jemi njoftuar se NP „Parqet Kombëtare“ po bllokon projektin që për veprime të mëtejshme është dashur t’i dorëzohet Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, i cili ka të bëjë me rehabilitimin e shtretërve dhe argjinaturave në Kriporen e Ulqinit.
Shteti delegoi NP „Parqet Kombëtare“ për mbrojtjen e Kripores së Ulqinit, andaj na befason fakti pse projekti nuk po zbatohet. Fondacioni Mava i cili merret me ruajtjen e biodiversitetit në dobi të njerëzve dhe natyrës, ka ndarë burime financiare për këtë projekt dhe ato duhet të shpenzohen deri në fund të tetorit të vitit 2022.
Forca e Re Demokratike si aktor kryesor që nga viti 2012 avokon për ndalimin e ndërtimeve në Kripore, të miratuar me ndryshimet në planin hapësinor të Malit të Zi. Gjithashtu, me iniciativën e Forcës së Re Demokratike, Kuvendi i Komunës së Ulqinit në vitin 2019, mori vendim për shpalljen e zonës së Kripores së Ulqinit pasuri natyrore e mbrojtur me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare me emrin Parku Natyror “Kriporja e Ulqinit”.
Një nga kërkesat e koalicionit ka qenë pikërisht Kriporja e Ulqinit, sepse si e tillë kërkon trajtim të veçantë, sidomos për faktin se prej vitesh është lënë në mëshirën e fatit.
Për Komunën e Ulqinit realizimi i këtij projekti është shumë i rëndësishëm, pasi me rehabilitimin e tij mund të krijohet proces kyç ekologjik i cili tani është i ndërprerë.
Forca e Re Demokratike kërkon nga Ministria e Ekologjisë, Planifikimit Hapësinor dhe Urbanizmit dhe nga Qeveria e Malit të Zi, të reagojnë menjëherë dhe të ndërmarrin masa që të respektohet afati në mënyrë që projekti gjegjës të realizohet sa më shpejt.

Genci Nimanbegu, kryetar i Forcës së Re Demokratike
deputet në Kuvendin e Malit të Zi

Të fundit

më të lexuarat