Forcat opozitare fitojnë në Podgoricë dhe në disa komuna të tjera

Në 14 komuna në Mal të Zi, të dielën u mbajtën zgjedhjet lokale ku të drejtë vote kishin afro 340 mijë votues, ndërsa për 481 këshilltarë të kuvendeve lokale garuan plot 100 lista zgjedhore.
Zgjedhjet lokale sipas vlerësimit të vëzhguesve që i monitoruan, u zhvilluan në një atmosferë të qetë dhe pa ndonjë parregullësi të theksuar.
Të dhënat paraprake të Qendrës për Tranzicionin Demokratik (CDT) të publikuara të dielën në mbrëmje, tregojnë se në shumicën e komunave që deri më tani e mbante pushtetin Partia Demokratike të Socialistëve, ajo ka pësuar një disfatë nga këto zgjedhje edhe pse në kryeqytet koalicioni i mbledhur rreth kësaj partie ka pasur më së shumti vota.
Në këto zgjedhje lokale rezultatin më të mirë nga partitë opozitare e ka fituar koalicioni “Evropa tani”, pavarësisht se është paraqitur për herë të parë në skenën politike.
Rezultatet paraprake të Qendrës për Tranzicionin Demokratik në saje të numërimit të listave nga të gjitha vendvotimet, tregojnë se në kryeqytet PDS-ja me parterët e saj të koalicionit ka fituar 38.1 përqind ose 24 këshilltarë, “Evropa tani” 21.7 përqind ose 13 këshilltarë, Fronti Demokratik 18.2 përqind ose 11 këshilltarë, Demokratët 10.8 përqind ose 6 këshilltarë, dhe Lëvizja Qytetare URA-Civis-Alternativa Shqiptare, 6.4 përqind ose 4 këshilltarë.
Ndërkaq, rezultatet tragojnë se Partia Demokratike e Socialistëve do të arrijë të formojë pushtetin lokal në tri komuna (Tivar, Plavë dhe Bijello Pole), nga 14 komuna që u zhvilluan zgjedhjet.
Sakaq, nga rezultatet paraprake partitë opozitare në këto zgjedhje janë në epërsi, ku në 11 komuna të tjera pritet ta formojnë pushtetin vendor, përfshirë këtu edhe kryeqytetin Podgorica.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat