Garojnë gjashtë lista zgjedhore – tri parti politike të pavarura dhe tre koalicione

Plavë – Në zgjedhjet lokale që më 23 tetor 2022 do të mbahen në Podgoricë dhe 13 komuna të tjera në Mal të Zi, në Komunën e Plavës për 31 kandidat për këshilltarë, sa do të numërojë Kuvendi i Komunës, në mandatin e ardhshëm katërvjeçar garojnë gjashtë lista zgjedhore – tri subjekte politike të pavarura: 1. Partia Boshnjake “Korrektësisht për Plavën”, 2. Lëvizja “Evropa tani – për Plavën”, 3. Partia Socialiste Popullore “Themelsisht për Plavën”, dhe tre koalicione: 1. Socialdemokratët – Partia Demokratike e Socialistëve – Partia Socialdemokrate “Së bashku për Plavën ngadhënjimtare”, 2. Lëvizja Qytetare URA – Alternativa Shqiptare “Mundet Plava, mundet Mali i Zi”, 3. Partia Popullore Demokratike – Demokracia e Re Serbe – Mali i Zi i Drejtë “Për ardhmërinë tonë”.
Në Komunën e Plavës, partia e vetme shqiptare që garon në zgjedhjet në fjalë,është Alternativa Shqiptare, por në koalicion me Lëvizjen Qytetare URA.
Në të vërtetë, listën zgjedhore të kandidatëve për këshilltarë të kuvendit e ka dorëzuar edhe Lidhja Demokratike e Shqiptarëve, mirëpo ajo nuk është pranuar nga Komisioni Zgjedhor Komunal për shkak të parregullsive. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve e ka refuzuar ankesën e përfaqësuesit të LDSH-së duke e mbështetur vendimin e Komisionit Zgjedhor të Komunës së Plavës.
Zgjedhjet lokale në Komunën e Plavës do të mbahen në 22 vendvotime, katër prej të cilave në Qendrën komunale në Plavë. Ato do të zhvillohen në ambientet e shtëpive të kulturës, të shkollave fillore, asaj të mesme në Plavë dhe në shtëpitë private kryesisht në vendbanimet rurale.
Të drejtë vote për zgjedhjet e kandidatëve për këshilltarë të Kuvendit në mandatin katërvjeçar kanë gjithsej 9.364 qytetarë të cilët gjenden në regjistrat e 22 vendvotimeve ku ato do të mbahen.
Komisioni Zgjedhor Komunal në krye me kryetaren Resma Shehoviq, me kohë ka formuar këshillat zgjedhor pesëanëtarësh, të cilët do t’i monitorojnë votimet. Komisioni në fjalë, po ashtu ka përgatitur materialin e duhur zgjedhor i cili me kohë do t’u dorëzohet këshillave zgjedhore.
Vendvotimet do të hapen në ora 7:00 dhe do të mbyllen në ora 20:00.

Shaban Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat