
Po këtë vjet, më çuan ma në thellësi, në katundin Ostros Ku sipas kujtimeve plotësuese, të mikut tim, dramaturgut të shquar Zotit FADIL KRAJA, mësojmë se Prenkë Jakova, me të shkuar në zonën e Krajës, u akomodua në shtepine e Gjyshit të tij, arsimdashës, AHMET BEQI, në Fshatin Maxhur, past shtëpija e tij, ishte ndër te paktat, që kishte odat (dhomat) me tavan të mirë, te cilat i lëshoj falas edhe si ambiente, për klasat e shkollës, në këtë zonë, të Ostrosit .Ahmet Beqiri kishte një kulturë të gjerë, pasi për shume vite kishte punuar, si bahçevan, në Stamboll, në Pallatin Mbretëror, ne Bahçe Saraj, nga ku ishte kthyer aty rreth, moshës 50 vjeçare. Në këtë shkollë ai, ishte ndër të parët, që regjistroj edhe djali dhe vajzen e ti .Më poshtë Prenkë Jakova në shenimet e tija, kujton. Këtu ne Ostros, shpesh e kujtojshe kangen e Hetit të Molla Sylos, per “Shestaneshen” /Qysh n’at darsëm në Ostros /Kanga e Hetit nuk u sos/ Për Shestanin, Shestaneshen /Për syzezen Stamolleshen/ Ah, medet si paska kene Mos me t’ndryk /Se je e kshtene etj. Këtu u njoha, me shumë krijime të mrekullueshme, të folklorit, të pa përseritshem, të Krajës, ku ai i Ostrosit ishte i veçantë. Këtu më bante përshtypje, edukata tolerante e muslimanëve, të Krajës, të cilët i ruanin me plot perkujdesje, objektet e kultit kristian, si Kishën, Ublën e Vjetër, Kryqin e Gurit, Kshtajnat e Priftit, Kshtajnen e Taip Smajlit, Shkaomin e Skanderbegut, Çelen në Priftnaj e shumë toponime e vende, të tjera, të shenjta kristiane, ku riti në Malin e Rumijes, ishte një brilant, shumë i shenjtë, si për katolikët ashtu edhe për muslimanët, të cilët ishin shumë fanatik, në zbatimin e këtyre riteve. Edhe këtu më priten shumë mirë, këtu fillova, t’ju mesojshe, shume vjersha patriotike dhe kangë.Atyre ju pelqenin shumë, kanget popullore, të Shkodrës. Në këtë krahinë, kishte mbetë i gjallë, kujtimi dhe kanget e bejtat e Hetit të Molla Sylos e të Gjergjit të Macit e tjer. Ku s’pari pata mësue, keto vargje popullore nga Thtjani i Larjes.
“Kush u vra njaty te shkami?
Myrto Huti e Xhaf Osmani.
Mos u ngut Myrto me qitë,
Se kam delet pa poitë!
Kadal delet t’i pois
Edhe huten t’a afris
Atere plumat dal t’i pris
Hajt-e-hajt, ti Myrto halla,
Kështu e kane nipat me daja”
Këto shkolla, ishin fillore dhe mësimi mbahej në gjuhen shqip por, prindërit kur vijshin me marr fëmijët e tyre, më pyesnin për landët në gjuhën serbisht, tuj ma perzie me shqip e tuj më thanë: Po çka ka marrë, ne “Nauka o vjeri sa moralnim poukama”, ose për gjeografinë, si po e ka kandarin ne “Zemijopis”, ose “Rucni-rad” kurse bukurshkrimit, “Lijepo pisanje.” Deri këtu durova por kur më thojshin – a po din mirë, “Pjevanje ?”. Këtu shperthejshe, me tanë nervat, tuj ju bertit, në kup të qillit. Mos ma përmendni, ma pjevanjen, por më-thoni.A….din….. me këndue…… mirë…… shqip. O. vëllazen, se kjo asht shkollë shqipe, e tuj qeshë më merrnin me të mirë, tuj më puthë doren e prap tuj me thanë: -Tu rrit ndera, o gospodari i Shkodrës…! Ishin njerëz te mrekullueshem, që i kujtoj shpesh, plot nostalgji. Meqë ishin fëmijë, tepër patriot, u mundojshe, me ju mësue Fishten, Ndre Mjeden, Himnin e Shqypnisë, e shumë histori, të patriotëve shqiptarë. Këtu vijshe me dy etapa, shumë te kandëshme. E para Shkodër-Zogaj, me biçikletë e prej këtu, hypshe në sule, të Jonuz Zaganjorit, i cili ishte dhanderr, në Ostros, ai me çonte e më binte, pa pare edhe biçikleten e lejshe, në shtëpinë e tij. Me vehte pata marrë edhe një fizarmonikë, të vogël, të cilën e hidhshe në krah e shkojshe, për me ra, muzikë të kohës edhe popullore Shkodrane. Krajanët e kishin për zemër, kangën e Shkodrës, sa disa herë, më patën thirr, për me i ra, ndër disa dasma e fejesa, të fëmijve të tyre. Shumë nxanës filluen me i ra bukur, ndër ta edhe djali i hoxhës, së Krajës, por ai kishte edhe një za fenomenal prej tenori. Ato kishin një vesh apsolut muzike. Të gjith ishin, të pashëm e të pastërt, edhe mue, më respektojshin së tepërmi edhe pse isha shumë i ri. Këtu tham se pat fillue me më rrahë zemra s’parit…………!
Dhe kqyr, se si, më ndodhi !
Një ditë, me një klasë, dolme me shetit, tek pylli i kështenjave. Tek një ubël, pashë një vajzë të re, tuj mbushë ujë .Sesi mu duk! Si nje shtojzavalle, që deri at’here, nuk e kisha pa, kërkund tjetër. Nuk e di se ç’ka pata. Më erdhi nje frymëzim, dhe me njëherë, nxora një teftere (Bllok shenimesh G.U.), dhe fillova, me hedhë, një vjershë, që m’duel prej zemres. E ma vonë, bana nji kangë, me të por partitura nuk e di, se ku, më pat hup, kur kjeshe në b…, por edhe sot, nuk më hiqet prej mendesh, ajo melodi e bukur, që mi pat marr mendët, për nji kohë shumë të giatë.
“Vashës krajane”
Te nji ubel, tuj mbush uj,
Pash një vashë e s’ja thash kuj.
Vesh në t’bardha, për marak,
Nuk qe vash, por qe zamak.
Me sy t’ballit un e pash.
E kërkuj nuk ja thash
Me flok t’verdha kaçurrela,
Për mbi sy, ja hidhte era.
Me sy t’ballit un e pash.
E kërkuj nuk ja thash.
Sa e bukur ish kjo vash.
Me sy t’ballit un e pash.
Sa keq, më erdhi, që ndejta, aq pak, me atë vend, të bekuar me ato njerëz të mrekullueshëm e të qetë……..!
Marrë nga dorëshkrimi i Prof. Gëzim Uruçit: “Prenkë Jakova meteor i pashuar i muzikës dhe i kulturës tonë kombëtare”, pjesë e bibliotekës personale, dhuruar nga profesori në fjalë në vitin 2012.
