Kthimi i mërgimtarit

Gani Karamanaga

Fundi i “Skenës Verore” në Kalanë e Ulqinit. Duke u larguar mu drejtua një burrë:
Ti je Dr. Gani Karamanaga?
Pas përgjigjes time, ai filloi bisedën:
“Unë jam Ismet Kaleziqi, dikur kam punuar në Sipërmarrjen Hotelieriko-Turistike “Riviera e Ulqinit”. Jam kthyer nga Amerika ku kam qenë 23 vjet. Tash jam pensionist”.
Pas shumë viteve që nuk e kisha parë, Ismeti mu kujtua, nuk kishte ndryshua shumë.
Më pyeti për vëllain tim Ruzhdin, me të cilën kanë punuar së bashku një kohë të gjatë. Ai shprehi dëshirën për ta vizituar.
Para pak ditës me Ismet Kaleziqin ishim në Kala te vëllau im Ruzhdi Karamanaga. Ai është i sëmurë dhe nuk del nga Kalaja. Ismeti edhe Ruzhdi folën për atë kohë kur ishin bashkëpunëtorë në “Rivierën e Ulqinit”. Më këta të dy asokohe kishin qenë edhe Sulejman Lika, Ali Peshku, Mehmed-Meho Mehani, Shefki Nimanbegu, Avdullah-Dulo Holi, Safet Divanoviqi…
Ismeti thotë: “Në vitin 1988 më thirrën në Podgoricë dhe më thanë se duan të më emërojnë drejtor gjeneral të ‘Rivierës së Ulqinit’. Detyra jote është të shitësh objektet dhe të pushosh nga puna rreth 400 punëtorë. Prej shitjeve të objekteve, do të kesh edhe ti përqindjen tënde. Përgjigjen nga ti e presim për dy ditë.
Menjëherë, pa u menduar aspak ia ktheva:
Përgjigjen e keni tash, këtu: Nuk pranoj të shes objektet dhe ti qes punëtorët nga puna!
Vendosa që të emigroj për në Amerikë”.
E pyeta:
“Si ke kaluar atje, në Amerikë?”
Ismeti përgjigjet:
“Vitin e parë kam mësuar gjuhën angleze më mirë si edhe diturinë në kompjuter. Kam filluar punën më të mirë. Unë nuk kam blerë shtëpi si shumica e njërëzve tanë që vijnë në Amerikë. Kam shkolluar djalin dhe vajzën. Ato janë investimet më të mira për mua. Djali edhe vajza punojnë punë të mirë, intelektuale. Jam i kënaqur për këtë gjë”.
Ti u ktheve për fare? E pyeta unë.
“Po. Kam shtëpi në Gjerana. E kam rregulluar pensionin nga Kroacia (ka punuar në Opatia), dhe këtë të Malit të Zi. Por, pensioni i Amerikës është më i mirë. Mund të jetoj mirë. Fëmijët e kanë punën e mirë. Unë do të rri këtu..”.
Janë këto fjalët e Ismet Kaleziqit, njërit prej doajenëve të turizmit modern në Ulqin.
Ismeti vazhdon bisedën:
“Kur kam punuar në fillim pas diplomimit në Opatia, babai më thirri dhe më tha:
Kthehu në vendlindje. Nuk je shkolluar që të punosh jashtë vendit tonë! Edhe u ktheva për të punuar këtu në Ulqin”.

Biografia
Ismet Kaleziqi u lind në Katerkollë në tetor të vitit 1951. Shkollën tetëvjeçare e përfundon në Katerkollë.
Gjimnazin klasik në Ulqin .
Fakultetin Ekonomik – Dega turizëm dhe hotelieri në Rijekë dhe Opati. Specializimi i parë në Opati dhe pastaj specializimi i dytë 1 vjeçar në Lozanë – Zvicër.
Pas diplomimit u punësua në Hotelin Adriatik në Opati.
Pas 3 viteve punë në Opati, në vitin 1979 kthehet ne Ulqin dhe punësohet në Gjimnazin “Vëllazërim-Bashkim” ku punon për 4 vite.
Pas kthimit në Ulqin nga Opatia, u zgjodh kryetar i Organizatës së rinisë për Anë të Malit dhe anëtar i Kryesisë së rinisë të Ulqinit.
Pastaj punësohet në Sipërmarrjen Hotelierike “Ada Bojana”.
Në vitin 1985 votohet për deputet në Parlamentin e Jugosllavisë me mandat 5 vjeçar.
Në vitin 1987 Ministria e Punëve të Jashtme e përgatit që pas përfundimit të mandatit në Parlament të angazhohet në diplomaci.
Ne vitin 1986 udhëheq ekipin e expertëve për të formuar Organizatën Hoteliero-Turistike “Riviera e Ulqinit”.
Në vitet 1996/97 emërohet drejtor në “Ada Bojana”. Aty u shpall drejtori më i mirë dhe “Ada Bojana” zgjedhet qendra turistike më e mirë ne konkurrencën e 26 hoteleve dhe qendrave turistike të Jugosllavisë.
Ne vitin 1987, Ismeti u emërua zëvendës/drejtor gjeneral i “Rivierës së Ulqinit”.
Për katër vite ka qenë anëtar i Këshillit drejtues të Organizatës “Montenegro Turist” në Budvë.
Ka marrë pjesë në disa kongrese për turizëm.
Ismeti i pakënaqur me mënyrën se si Ministria e Turizmit donte ta likvidonte ndërrmarrjen “Riviera e Ulqinit” , tërhiqet nga të gjitha postet dhe emigron në SHBA, ku jetoi dhe veproi 23 vite.
Në korrik të vitit 2022 pensionohet dhe kthehet të jetojë në Ulqin.

Në fund
Ismet Kaleziqi i takon gjeneratës së shkolluar në qendrat e mëdha universitare turistike në Opati dhe Rijekë (Kroaci). Ai nuk pranoi të ishte në krye të Sipërmarrjes Hotelierike “Riviera e Ulqinit” për të shitur objektet hotelierike dhe për të qitur nga puna 400 punëtorë.
Ai është njëri ndër doajenët e turizmit modern të Ulqinit.

Të fundit

më të lexuarat