Do të përfshijë të gjitha hapësirat e nevojshme për organizimin e ndeshjeve

Tuz – Para disa ditësh filluan punimet për fazën e parë të ndërtimit të tribunës së re dhe të rregullimit të terrenit të stadiumit të Klubit të Futbollit “Deçiqi”.
Javën e kaluar gurthemelin e vendosën kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, kryetari i Federatës së Futbollit të Malit të Zi, Dejan Saviqeviq dhe drejtori i KF “Deçiqi”, Pal Dreshaj, në prani të përfaqësuesve të tjerë të Komunës, të Federatës, qytetarëve dhe të mediave.
Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj ka falënderuar Federatën e Futbollit të Malit të Zi për ndihmën në ndërtimin e tribunës.
“Falënderojmë Federatën e Futbollit të Malit të Zi për bashkëpunimin e suksesshëm të deritanishëm. Ne morëm mbështetje për këtë projekt dhe ndërtimi filloi menjëherë sapo mblodhëm të gjithë dokumentacionin e nevojshëm. Është ky një investim i përbashkët i cili ndihmon në zhvillimin e infrastrukturës së sportit të komunës sonë. Shpresoj që në të ardhmen bashkëpunimi ynë të jetë po aq i suksesshëm sa ka qenë deri më tani”, tha Gjeloshaj.
Ndërkaq, Kreu i Federatës së Futbollit të Malit të Zi, Dejan Saviqeviq ka thënë se ndjehet jashtëzakonisht mirë kur pas disa pengesave administrative, ka filluar ndërtimi i tribunës së re të stadiumit të Tuzit.
“Shpresoj që punimet të përfundojnë në kohë dhe Tuzi të ketë një godinë moderne futbolli. Dëshira jonë është që kur të ndërtohet kjo tribunë, të vazhdojmë me projektin dhe të ndërtojmë një tribunë tjetër në këtë stadium, që këtu të luhen ndeshjet ndërkombëtare”, tha Saviqeviq pas vendosjes së gurthemelit.
Nga Komuna e Tuzit njoftuan se në fazën e parë të projektit do të ndërtohet tribuna me kapacitet prej 1.080 vendesh, e cila do të përfshijë të gjitha hapësirat e nevojshme për organizimin e ndeshjeve – hapësira të reja të zhveshjes për ekipet dhe zyrtarët, dhoma ambulantore, dhoma e shtypit etj.
Ndërtimi për fazën e parë të tribunës së stadiumit është investim i financuar nga Komuna e Tuzit dhe Federata e Futbollit e Malit të Zi me vlerë prej afro 2.5 milionë eurosh, ndërsa afati për përfundimin e punimeve është dymbëdhjetë muaj.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat