Tuz – Në Qendrën Kulturore Informative “Malësia” në Tuz, të mërkurën mbrëma më 28 shtator 2022, u bë përurimi i librit me përmbledhje poezish, i titulluar “Kujtime” i autorit nga Malësia, profesorit të gjuhës dhe letërsisë malazeze, Samir Axhoviq.
Publiku i pranishëm pati rastin që të njihet më në detaje me tematikat që autori trajton me vargje të afro dyzetë poezive sa përmban ky libër, përmes vështrimeve që dhanë panelistët e mbrëmjes z. Nikollë Camaj, profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe dhe Tanja Zekoviq, profesoreshë e gjuhës dhe letërsisë malazeze.
Në vështrimin e saj mbi librin “Kujtime”, znj. Zekoviq tha se poezia e Axhoviqit është një poezi lirike e karakterit intim, në disa segmente e angazhuar, e cila përfshinë disa fusha tematika e të cilave ndryshon, duke i vështruar sërish nga një kornizë tjetër kohore.
“Mosmishërimi i vlerave njerëzore, pakuptimësia e jetës, pamundësia e afirmimit të dijes, mohimi i vlerave i cilësdo, ose i të gjitha strukturave sociale, i parimeve të pushtetetit, ligjit, i normave dhe parimeve morale, janë tematika të cilat mbizotërojnë në këtë përmbledhje”, theksoi ndër të tjera, profesoresha e gjuhës dhe letërsisë malazeze Tanja Zekoviq.
Ajo më tutje u shpreh se, edhe pse mesazhi që përcjell kjo përmbledhje nuk ka qenë optimist, përkundrazi, ka dëshmuar se jetojmë në një vend dhe kohë të palumtur me vlera të ndryshueshme, në fund të librit jep një mesazh pozitiv, se e vetmja dalje e vërtetë nga ky kaos është dashuria. “Dhe ky është njëherazi edhe mendimi im, se religjioni i vetëm është dashuria. Ajo i jep kuptimësi, pakuptimësisë”, theksoi Zekoviq.
Ndërkohë z. Nikollë Camaj, duke shpalosur në detaje tërë përmbajtjen që ka kjo përmbledhje poezish dhe atë çfarë autori trajton përmes vargut, tha se jo gjithkush mund të jetë krijues, duke e quajtur dhuntinë për krijimtari si diçka hyjnore.
“Jetojmë në kohën ku janë të paktë ata që krijojnë. Por, të paktë edhe ata që lexojnë. Mirëpo vlerat nuk maten me numra, por me atë që e bën të veçantë. Dhe e veçanta mbahet mend, kurse shumica humbet në masën amofre të lumit të luksit dhe komoditetit jetësor dhe harrohet shumë shpejt”, u shpreh Camaj.
Ai këtë përmledhje poezish e quajti një sprovë të mirë poetike të kohërave të ndryshme në harkur kohor nga viti 2008 deri në vitin 2020.
“Poezia e Samir Axhoviqit është më tepër një poezi e porosisë dhe mesazhit, sesa e figuracionit, shkrimit artistik dhe poezisë për veten. Megjithëse nuk i mungojnë as shprehjet e figurshme, as gjuha poezike, as vargëzimi skolastik. Që në fillim të librit kemi një poezi me titull shpresëdhënës: “Do të kthehen lejlekët”, por që përfundon me një pesimizëm të thellë, se këtu nuk do të kthehen lejlekët, me çka autori sikur aludon në shumë shtëpi të braktisura, banorët e të cilëve lejlekët tonë i kanë zhvendosur diku larg nga këto troje”, u shpreh Camaj, duke shtuar ndër të tjera se një pjesë e mirë e poezive lidhet me përdisthmërinë tonë, me politikën, padrejtësinë, etj.
Autori i librit Samir Axhoviq, duke falënderuar të gjithë të pranishmit në këtë mbrëmje letrare, tregoi mbi fillimet e të shkruarit të poezisë, si dhe mbi atë që e ka inspiruar dhe shqetësuar që të nis të shkruaj, dhe mbi kohën në të cilën jetojmë sot.
“Një kohë e cila na ndanë përherë e më shumë nga ato që janë vlerat njerëzore. Ne si shoqëri po robotizohemi dhe kësaj i ka kontribuar interneti, teknologjia, smartfonët që çdo vit dalin të rinj, etj. Ndoshta unë si poet dallohem për atë se këtë spiritualizmin religjioz e kam kritikuar, dhe mendoj se këtë e kam bërë me të drejtë”, tha ndër të tjera Axhoviq.
Librin me përmbledhje poezish “Kujtime” të botuar në gjuhën malazeze, autori e ka përgatitur ndër vite, ndërsa më parë e ka publikuar në botimin e IP Bibloteka Popullore “Radosav Lumoviq” në Podoricë, në vitin 2021.
Samir Azhoviqu lind më 19 qershor të vitit 1990. Dashurinë për letërsinë dhe për të shkruar e ka shfaqur që në vitin e dytë të shkollës së mesme. Poezinë e parë e ka shkruar në vitin 2007. Është profesor i gjuhës malazeze dhe i letersisë jugosllave dhe deri me fillimin e studimeve në Fakultetin Filozofik, ka qenë i bindur se do të studiojë historinë. Megjithatë, studimet e gjuhës malazeze në Nikshiq i ka përfunduar relativisht lehtë dhe me kënaqësi. Në vitin 2018 së bashku me linguisten Aylin Galop, ka botuar doracakun bashkautorial të gjuhës malazeze me titull “Karadaga-El Kitabi”. Aktualisht punon në Shkollën Fillore “Mahmut Lekiq” në Tuz si profesor i lëndës gjuha malazeze si gjuhë joamtare, për nxënësit të cilët mësimin e ndjekin në gjuhën shqipe.
t. u.
