Presidenti i Ukrainës Volodimir Zelenski, ka njoftuar më 30 shtator 2022 se Ukraina ka dorëzuar kërkesën për aplikimin për anëtarësim në NATO, përmes procedurës së përshpejtuar.
Në një artikull që Radio Evropa e Lirë ia kushton kësaj tematike, njoftohet se nëntë shtete të Evropës Lindore dhe Qendrore e mbështesin anëtarësimin e Ukrainës në NATO, duke i bërë thirrje Aleancës që t’i ofrojë sa më shumë armë Kievit për t’u mbrojtur nga forcat ruse.
Në këtë artikull theksohet se deklarata e përbashkët është lëshuar më 2 tetor nga liderët e Republikës Çeke, Estonisë, Lituanisë, Letonisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Polonisë, Rumanisë dhe Sllovakisë.
Kërkësa që Ukraina t’i bashkëngjitet Alencës së NATO-s është bërë në ditën kur presidenti rus, Vladimir Putin, ka pretenduar se Rusia ka aneksuar katër rajonet e Ukrainës të cilat janë pjesërisht të pushtuara nga forcat ruse.
“Ne përsërisim mbështetjen tonë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Ne nuk njohim dhe nuk do të njohim kurrë përpjekjet ruse për të aneksuar territor ukrainas”, u tha në deklaratën e nëntë liderëve të shteteve të Evropës Lindore dhe Qendrore, thekson artikulli.
Më tutje thuhet se deklarata e Putinit se Rusia ka aneksuar rajonet e Donjeckut, Luhanskut, Hersonit dhe Zaporizhjës, u pa si përshkallëzim i madh nga ana e Kremlinit.
Ndërkaq, sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg, i pyetur për kërkesën e Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO, tha në një televizion amerikan se “çdo vendim për anëtarësim duhet të merret me konsensus dhe se të 30-të aleatët duhet të pajtohen që të merret një vendim i tillë”.
Stoltenberg tha po ashtu se rimarrja e kontrollit të qytetit të Limanit nga forcat ukrainase – qytet që gjendet në Donjeck – është dëshmi se ukrainasit po bëjnë përparim dhe janë në gjendje të dëbojnë nga territori i vet forcat ruse.
“Ne kemi parë se ata ishin në gjendje të merrnin një qytet të ri – Limanin, dhe ky fakt dëshmon se ukrainasit po bëjnë përparim, janë në gjendje të dëbojnë forcat ruse për shkak të kurajës së tyre, për shkak të trimërisë dhe aftësive të tyre dhe natyrisht për shkak të armëve të avancuara që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë po iu ofrojnë”, tha Stoltenberg gjatë një interviste për NBC.
(Kohapress)
