Fakte që “hapin” sytë

Enis Gjokaj

Në Prishtinë, në Shtëpinë Botuese “Rozafa”, në vitin 2021, pas një angazhimi të gjatë dhe të frytshëm u realizua botimi i dy librave të historisë të historianit Sherif Haxhi Gjokaj nga Mileshi, “Malësia e Madhe në dëshmitë dokumentare (Nga Antika deri në Rilindjen kombëtare)” dhe “Malësia e Madhe në faktet historike nga Rilindja kombëtare deri më sot”. Promovimi i këtyre librave u bë më 12 gusht 2022, në sallën e Kuvendit të komunës së Tuzit.
Sherif Gjokaj u lind në fshatin Milesh në vitin 1944. Shkollën fillore e mbaroi në Tuz, ndërsa Normalen në Gjakovë (1968/69). Në vitin 1979 u diplomua në Fakultetin F ilozofik – Dega e historisë në Universitetin e Prishtinës. Prof. Sherif Haxhi Gjokaj emigroi ne SHBA në vitin 1994, ku edhe përkundër largësisë nga vëndlindja spikati me punën dhe aktivitetet patriotike në ndihmën dhe avancimin e shqiptarëve dhe çështjes shqiptare.
Profesori Gjokaj nëpërmes këtyre dy veprave ka patur për qellim hedhjen në dritë të së kaluarës tonë. Fakte të shumta të cilat edhe pse janë ditur, kan mbetur disi pezull midis botkuptimeve, ofrohen për herë të parë tek lexuesi shqipfolës. Teksti po ashtu ofron edhe të dhëna të shumta autentike që janë përcjellë brez pas brezi si dëshmi e ngjarjeve që kanë ndodhur gjatë kohërave.
Profesori Gjokaj, në librin e parë rendit informacione të literaturës së mbledhur nga Antika, shkruan për onomastikën e Malësisë së Madhe, etnogjenezën e vendbanimeve dhe vendeve, emërimeve e toponimeve të shumta që posedon Malësia, dhe lidhjen direkte me banorët vendas. Nga kjo pjesë e librit veçoj Kanalin e Dukianit (lok. Dukjanit) i cili furnizonte qytetin e Duklës përtej Podgoricës nga Dinosha, me gjatësi 19.3 km, që edhe sot e kësaj dite mbetet si ndërtim megaloman. Institucionet relevante, si lokale ashtu edhe ato shtetërore, do të duhej të bëjnë çmos që ky kanal të njihet si trashëgimi kulturore e cila do të rris peshën dhe vlerën e tij. Po ashtu, duhet cekur se autori Gjokaj përmend edhe Qytezën në Dinoshë, toponimet e tjera si Baçi, Buçelza, Pllati, si qytetërime të hershme e të një rëndësie të veçantë për popullatën vendase. Në fund të kapitullit të parë të librit, po ashtu nderlidh edhe veshjen e zonës së Malësisë së Madhe ku si përmbledhje kapitulli jep të kuptohet se në keto troje anipse kishte tendenca të shumta që popullata vendase të asgjësohet e asimilohet, ata mbeten stoikë në ruajtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore, duke ruajtur identitetin e vet e të qenurit shqiptar. Sot për fat të keq kemi edhe zona që pjesërisht apo krejtësisht janë asimiluar ose tjetërsuar.
Nga kapitulli i dytë i librit të parë, do të veçoja organizimet fisnore të Malësisë së Madhe, dokumentet arkivore te Shqipërisë së Veriut, e sidomos Masakrën e Podgoricës dhe Çështjen e Podgoriçanëve të cilët kanë përjetuar golgotën e vërtetë dhe për të cilët shumë pak është shkruar deri më sot.
Libri i dytë i ndarë në dy kapituj, përfshin situatën nga koha e Konferencës së Shën Stefanit, Lidhjen e Prizrenit, vetëqeverisjen e Tuzit.
Autori Gjokaj, po ashtu paraqet figurat më emblematike të kombit tonë nga Malësia e Madhe siç ishte psh. Baca Kurti Gjokaj, Ded Gjo’ Luli, por edhe At Gjergj Fishta, Isa Boletini, për të vazhduar pastaj me Dinoshën në përpjekje të mbrojtjes së kufijve të trojeve etnike 1878-1912 dhe luftrat në periudhën 1908-1912. Për herë të parë për lexuesin shqipfolës kemi të dhëna për luftimet e Vllanës me malazezët, sfidimin e familjes Gjokaj në ruajtjen e trojeve etnike ku dallohej familja e Lekë Gashit Gjokaj, Kanunin i Grudës, Komesariatin, Kryengritjen e Malësisë në vitin 1911, Kryengritjen e vitit 1912, Gjenocidin malazez ndaj popullit shqiptar 1912-1913, Çështjen e kufijve, Aneksimin e Malësisë 1945, Masakrën e Tivarit, Byronë Informative 1948-1957, të dhëna nga arkivat malazeze-pasqyrime raportesh e vendimesh, rrethimin e Shkodrës etj. Në librin e dytë është edhe Besëlidhja e Malësisë dhe figurat eminente që i kanë paraprirë procesit, si Gjergj Daku Gjokaj, Rexhep Lika (imam i Tuzit), Selman Juku Dukaj, Gjergj Marstjepaj (prift në Tuz), Nua Vuksani Junçaj e shumë të tjerë. Kapitullin e katërt autori e përmbledh me disa figura që edhe sot e kësaj dite kanë lënë gjurmë përmes aktiviteteve të tyre patriotike, por gjithashtu paraqet edhe një përmbledhje të aktiviteteve të vet autorit për çështjen e shiptarëve, sidomos për kauzën gjithëshqiptare – Kosovën dhe rreth Kosovës.
Pra, lirisht mund të them se autori sikur ka arritur që përmes shfrytëzimit të shumë arkivave, dokumenteve, fakteve autentike të plotësojë historinë e Malësisë së Madhe. Angazhimi i Sherif Haxhit Gjokaj nuk i vë pikë historisë së Malësisë, por ka hapur një rrugë dhe shtigje të reja për studiues dhe intelektualë të rinj, sidomos studiuesve në lëminë e historisë në plotësimin dhe avancimin e kësaj historie, me fakte dhe dëshmi të reja që aq shumë i duhen kësaj treve. Po ashtu literatura i ofron lexuesit shqipfolës qasjen e paanshme dhe një bazë të shëndoshë për një të ardhme më të ndritshme të brezave që vijnë.

Të fundit

më të lexuarat