Mali i Zi dhe Kosova kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, i cili sipas ministrave të mbrojtjes së dy vendeve thellon marrëdhëniet midis tyre.
Memorandumi është firmosur të premten në Prishtinë nga ministri i Mbrojtjes së Malit të Zi, Rashko Konjeviq, dhe homologu i tij kosovar, Armend Mehaj.
Ministri i Mbrojtjes së Malit të Zi ka theksuar se ky dokument hap mundësitë e bashkëpunimit të mëtejshëm, angazhimeve të përbashkëta dhe shkëmbimit të përvojave të ndryshme, si dhe që Mali i Zi mund të jetë i dobishëm për Kosovën në fushën e reformave të domosdoshme, duke pasur parasysh që në rrugën e anëtarësimit në NATO ka kaluar paraprakisht nëpër këto procese.
Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, ka thënë se kanë rikonfirmuar bashkëpunimin e fuqishëm mes dy vendeve dhe se Mali i Zi e mbështet Kosovën drejt anëtarësimit në NATO.
“Takimi sot ka qenë shumë i frytshëm. Kemi rikonfirmuar bashkëpunimin e fuqishëm që kemi në mes dy shteteve tona, siç nënshkruam edhe marrëveshjen bilaterale e cila rrit bashkëpunimin në shumë fusha, angazhime të përbashkëta edhe në aspektin ushtarak. Me këtë marrëveshje zgjerojmë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes që është i domosdoshëm në aspektin e sigurisë, stabilitetit, demokracisë në mes dy vendeve tona”, ka thënë ai.
Mehaj ka theksuar synimin e Kosovës për anëtarësim sa më të shpejtë në NATO.
“Mali i Zi si shtet mik i yni, na mbështet në orientimin tonë në iniciativa rajonale, edhe drejt anëtarësimit të plotë në NATO. Na ka ofruar mbështetje në proces dhe realizimin e synimeve tona në anëtarësim në organizata rajonale. Paqja, siguria dhe stabiliteti rajonal është jetike sidomos për shtetet e Ballkanit. Kjo është e ardhmja jonë e përbashkët euroatlantike”, ka thënë ai.
Dy ministrat kanë shkëmbyer mendime edhe rreth çështjeve aktuale në rajon.
Gjatë vizitës së tij në Kosovë, zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes së Malit të Zi, Rashko Konjeviq, është takuar edhe me zëvendëskryeministren, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës së Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, e cila e ka njoftuar atë rreth aspiratave euro-atlantike të Republikës së Kosovës dhe ka kërkuar ndihmën e Malit të Zi lidhur me aplikimin e Republikës së Kosovës në programin “Partneriteti për Paqe” (PfP) dhe Kartën e Adriatikut.
Në njoftimin e MPJD-së së Kosovës lidhur me këtë takim thuhet se ministrja Gërvalla-Schwarz ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së Republikës së Kosovës në të gjitha bashkëpunimet rajonale që ndërlidhen me sigurinë.
Ajo e ka falënderuar zëvendëskryeministrin, njëherësh ministrin e Mbrojtjes së Malit të Zi, Rashko Konjeviq, për bashkëpunimin me Republikën e Kosovës, gjë që sipas saj ka ndikim të shumanshëm në të mirën e sigurisë, stabilitetit dhe demokracisë mes dy vendeve mike.
Konjeviq dhe Gërvalla-Schwarz janë pajtuar se në kontekstin e situatës së sigurisë në rajon dhe më tej duhet vëzhguar me kujdes ndikimin e agresionit rus në Ukrainë te shtetet e Ballkanit Perëndimor.
(Kohapress)
