
(Vijon nga numri i kaluar)
Muzeu Arkeologjik i Ulqinit, edhe pse relativisht i varfër, ai ndodhet në këtë gjendje, sepse nuk janë bërë gërmime arkeologjike, por edhe sepse që nga viti 1880, sistematikisht të gjitha gjetjet e rastësishme apo ato të sondazheve të ndryshme shumica janë tjetërsuar. Megjithatë, ai sot me krenari prezanton gjetjet (kështu mendoj unë) më të mëdha që kanë të bëjnë me vërtetësinë se Ulqini është vendbanim shumë i hershëm e këto janë: figura antropomorfe e neolitit Nëna e madhe, pastaj nga koha e bronzit Sëpata shkodrano-dalmate, antikiteti i hershëm me Altarin e Artemidës dhe Gemën e Athinës, padyshim Muri ciklopik ilir dhe gjetjet e artefaktet e tjera jo më pak të rëndësishme.
E një rëndësie të veçantë është lidhja mes vete e këtyre artefakteve që i përmenda pak më lart si më të rëndësishmet, e aq më e mistershme është gjetja e tyre në një vend, kurse çudia më e madhe është mbijetesa e tyre deri në ditët e sotme.
Ulqini duke qenë vendbanim që nga neoliti është e ditur se ka kultivuar kultin e plleshmërisë dhe riprodhimit (dëshmi figura e Nënës së madhe), kult ky që vazhdon jetën e vet edhe në epokën e bronzit e që siç thotë Stipçeviqi, dëshmi janë sëpatat e tipit shkodrano-dalmat që janë vazhdimësi e kultit të plleshmërisë, dhe vazhdon në antikitetin e hershëm me Altarin e Artemidës, e siç e dimë Artemida sipas mitologjisë ishte hyjnesha e pyjeve dhe kafshëve të gjahut, por edhe mbrojtëse veçanërisht e fëmijëve dhe njerëzve të brishtë. Ishte virgjëreshë e përbetuar që kujdesej për lindjen e fëmijëve.
Banorët antikë dhe themeluesit e qyteteve bregdetare të Ulqinit, Budvës, Risanit padyshim se janë ilirët, gjurmët e të cilëve i gjejmë në këto vende që nga periudha parahistorike. Ulqini antik nuk është i zbuluar në tërësi. Nga Ulqini antik kemi të njohur vetëm një pjesë të vogël, gjegjësisht siç thash një fragment të Murit të ashtuquajtur ciklopik dhe bedemit ilir që gjendet në anën veriore të Kalasë.[Dj.Boškovi, P.Mijović,M.Kovacević, Ulcinj I, Beograd 1981, fq. 7]
Po këtu janë gjetur edhe pjesë të qeramikës, një gemë me portretin e Athinës si dhe Altari i Artemidës e që të gjitha datojnë nga shek. V p.e.r., gjë që edhe datën e ndërtimit të Murit ciklopik ilir e vendosin po në atë datë. Duke ditur se po të kësaj periudhe, por edhe stili i ndërtimit të mureve është i ngjashëm me muret e Kalasë së Budvës dhe Meteonit, të shtyn që të mendojmë se këto tri kala të njëjta përnga teknika e ndërtimit dhe koha i përkasin periudhës së shtetit të parë ilir të udhëhequr nga mbreti ilir Syrra [ Syrra ose Sirrhas (rreth 423 – 390 p.e.re.). Ai ishte një mbret i fisit ilir të lynkestëve (lynkestis) i cili mori pjesë në Luftën e Peloponesit kundër Spartës], e që ka vazhduar të jetojë deri në shekullin e dytë para erës sonë, konkretisht me rënien e mbretit Gent dhe pushtimin e trojeve ilire nga romakët. [A.Stipçeviq, Ilirët, Prishtinë 1990, fq.53]. Për këtë periudhë kohore, Stipçeviqi pohon se kanë sunduar pesëmbëdhjetë mbretër ilirë të ndarë në dy dinasti. [Po aty, fq. 53.]
Disa të dhëna interesante lidhur me Murin ciklopik të Ulqinit, na i jep studiuesi Pavle Mijoviq i cili thotë se me gjetjen e Altarit të Artemidës saktësisht përcaktohet data e ndërtimit të këtij muri nga bashkësia e gurgdhendësve helen, por që ata punuan për llogari të ilirëve vendas e jo si kolonizatorë. [P.Mijović, Kulture Crne Gore, Titograd 1987, fq. 34]. Me fjalë të tjera, thënë troç, zbulimi i këtij altari që i përket shekullit V p.e.r na vërteton: 1. datën e saktë të ndërtimit të Murit ciklopik të qytetit të Ulqinit ; 2. helenët ishin punëtorë krahu që punuan për llogari të ilirëve ulqinakë të asaj kohe në ndërtimin e qytetit; dhe 3. muret e qytetit ilir të Ulqinit, padyshim nga koha e mbretërisë së parë ilire, ngriteshin sipër një vendbanimi më të hershëm.
Pra, me zbulimin e Altarit të Artemidës, për shumë studiues dilemat se nga kush dhe kur u themelua Ulqini antik, u bënë të ditura. Po çka thotë saktësisht shkrimi në këtë altar? Ne po e sjellim saktësisht ashtu siç e kanë dëshifruar specialistët e fushës: TO KOINON TON ɅATOMON APTEMI[Δ] TI EɅAɸBOɅOI, e që në përkthim do të thotë : Bashkësia e gurëgdhendësve (ia kushton) Artemidës-Elafavoli. [P.Mijović, Kulture Crne Gore, Titograd 1987, fq. 34]. Gjatë leximit të këtij shkrimi specialistët dhe njohësit e shkrimeve të vjetra greke, konstatojnë se stili i disa shkronjave të gdhendura i takojnë shek. V p.e.r, dhe shpjegojnë se këto shkronja pas shek. IV p.e.r marrin një formë tjetër, kështu që ky ishte një argument shtesë i saktësimit të ndërtimit të Murit ciklopik të Kalasë së Ulqinit.
Po japim edhe disa të dhëna lidhur me Artemidën pasiqë siç do shihet pak më vonë kulti i saj kishte mbijetuar në Uqin deri në ditët e sotme. Pra, Artemida është vajza e Zeusit dhe Letos. Sipas mitologjisë ajo ishte hyjnesha e pyjeve e kafshëve të egra të gjahut. Ishte motra binjake e Apolonit, dhe meqë kishte lindur një ditë para vëllait binjak, ajo i ndihmoi nënës në lindjen e Apolonit. Duke parë dhimbjet që përjetoi e ëma, përbetohet në virgjëri të përjetëshme si dhe bëhet hyjni mbrojtëse e fëmijëve dhe lehonave. Tempujt e saj zakonisht ndërtohen pranë burimeve të ujit, ku ka vegjetacion të bujshëm dhe ku mblidhen kafshët e egra të gjahut, por edhe në brigjet e lumenjve, liqejve apo deteve.
Pasi që u bënë disa shpjegime bazike për Artemidën, nuk mund të qëndrojmë indiferentë dhe të mos tërheqim disa paralele. Së pari, përbetimi i Artemidës në virgjëri të përjetshme të shtyn të bëjmë një lidhje me burrneshat tona shqiptare të cilat personifikojnë këtë hyjneshë dhe e mbajnë të gjallë kultin e saj deri në ditët tona. Andaj edhe burrneshat shqiptare do t’i quaja Artemida të kohës moderne.
Në Ulqin, deri më sot ka mbijetuar legjenda për Kroin e Zanave e cila ka shumë përputhshmëri me kultin e Artemidës. Përshkrimi i vendit ku ndodhet Kroi i Zanave saktësisht i përgjigjet përshkrimeve të vendndodhjeve të tempujve të Artemidës. Pastaj duke qenë se ajo ishte mbrojtëse e fëmijëve dhe lehonave, legjenda që flet për Kroin e Zanave dhe arvuden ulqinake që ndihmon zanën në procesin e lindjes, qartë paraqet lidhjen e kësaj legjende ulqinake me kultin e Artemidës.
Pra, në fund mund të themi që gjurmët e neolitit përmes kultivimit të kultit të plleshmërisë, ka mbijetuar nëpër të gjitha fazat historike deri në ditët e sotme. Së pari si figurë antropomorfe neolitike, pastaj përmes Sëpatës shkodrano-dalmate, Altarit të Artemidës e deri në ditët e sotme përmes traditës gojore në formën e legjendës për Shpellën e qelbët, por edhe asaj për Kroin e Zanave që gjendet dikund thellë në vegjetacionin e ullishtës shekullore të Ulqinit, përmbi Gjirin e Valdanosit.
Fund
