U shpalosën rezultatet dhe arritjet e zhvillimit të komunës përgjatë tre viteve

Tuz – Me një mbrëmje solemne, me prani të një numri të madh të publikut, të përfaqësuesve të institucioneve të ndryshme lokale dhe qëndrore, të klerikëve, etj, Komuna e Tuzit kremtoi 1 Shtatorin – Ditën e Komunës.
Fillimisht u bë intonimi i hymnit të Malit të Zi dhe Shqipërisë, ndërsa pasoi një pikë muzikore interpretuar nga këngëtarja e mirënjohur mezosoprano, Manjola Nallbani.
Në fillim, moderatorët e mbrëmjes falënderuan kryetaren e Kuvendit të Malit të Zi, Daniella Gjuroviq, presidentin Millo Gjukanoviq, kryeministrin, Dritan Abazoviq dhe shumë përfaqësues të ambasadave në Mal të Zi dhe komunave, për urimet me rastin e Ditës së Komunës së Tuzit.
Ndërkohë, të pranishmit i përshëndeti kryetari i Kuvendit të komunës së Tuzit, Fadil Kajoshaj i cili tha se ndjen kënaqësi që sot para qytetarëve dalin me ballë lart.
“Dhe të themi se aa arritëm. Ne si subjekte politike shqiptare, por edhe si udhëheqës të Komunës së Tuzit treguam se dimë dhe se nuk jemi pjesë e të tjerëve që zhvatën dhe keqpërdorën pozitën e tyre për interesa personale. Rezultatet e punës, veprimtarisë e përkushtimit tonë, sot i vërejnë edhe pesimistët më të mëdhenj që na bindnin se komuna jonë nuk është ekonomikisht e qëndrueshme dhe se nuk kemi kuadër për t’a udhëhequr”, tha ndër të tjera Kajoshaj.
Ndërkaq kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjaloshaj tha se që nga marrja e detyrës, para tre vitesh në krye të këtij insticucioni, pavarësisht sfidave të mëdha, iu përvishen punës dhe misionit të tyre me përkushtim.
“Sivjet, jemi të bindur se do të realizojmë buxhetin prej tetë milionë eurosh, një buxhet që nuk e realizojnë as komunat me më shumë potencial ekonomik. Kontrollet e obligueshme vjetore në nivel shteti që tre vjet e vlerësojnë pozitivisht veprimtarinë tonë në aspektin financiar. Gjithashtu një vlerësim pozitiv e bëri edhe Agjencia shtetërore e udhëtimit vitin e kaluar, gjë që është shumë e rrallë jo vetëm për komunat, por edhe për institucionet më të larta të këtij shteti”, theksoi Gjeloshaj.
Ai më tej shpalosi veprimtarinë dhe rezultatet që ka arritur Komuna e Tuzit gjatë periudhës tre vjeçare, nga kur ajo u mëvetësua, me theks të veçantë në zhvillimin ekonomik të vendit.
“Ajo që gjithmonë bie në sy është veçanërisht infrastruktura rrugore. Sot mund të mburremi me rrugët që lidhin cep në cep Malësinë, që krahasuar me disa vite më parë janë pothuajse tërësisht të reja me dhjetëra kilometra, që as nuk futeshin në projektet zhvillimore të kësaj treve, e që sot janë realitet”, tha në mes tjerash, kreu i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj.
Ndryshimet që kanë ndodhur në Malësi, sipas tij më së miri i shohin pjesëtarët e diasporës që kohë pas kohe vizitojnë vendlindjen dhe që siç tha, janë të gatshëm për mbështetje të çfarëdo lloji.
“Pikërisht këtë vit kalendarik u bënë aktuale katër fabrikat e rejaë investu në pronësi të investuesve të huaj dhe vendorë, ajo e patatinave dhe prodhimeve të tjera të patates, fabrika e përpunimit të fruta-perimeve, fabrika e vajit të lulediellit dhe fabrika për përpunimin e djathit”, u shpreh Gjeloshaj.
Ai vlerësoi se këto projekte gjallërojnë edhe fermerët të cilët siç tha, janë lënë pasdore me dekada të tëra. Gjeloshaj ka vijuar me rezultatet e arritura edhe në sfera të tjera të jetës në Komunën e Tuzit, si ato në arsim, sport, kulturë, art, etj.

Ndahet Çmimi vjetor “1 Shtatori- Dita e Komunës”
Në Ditën e Komunës së Tuzit u bë edhe ndarja e Çmimit të Komunës për vitin 2022, “1 Shtatori- Dita e Komunës”, çmim ky që u dha në bazë të vlerësimit paraprak të jurisë përkatëse në përbërje të së cilës kanë qenë: Dr. Prenk Ivezaj- kryetar, Dr. Omer Axhoviq, Nikollë Berishaj, Musa Gjoka dhe Prof. Dr. David Kalaj- anëtarë.
Laureatë të çmimit të përbashkët, “1 Shtatori- Dita e Komunës” u shpallën sportistët e Klubit të Taekwondosë “Besa”, Nikollë Gegaj dhe Angjella Berishaj.
Çmimin në fjalë e ndau kryetari i Komunës së Tuzit Nik Gjeloshaj, ndërsa anëtari i komisionit, Nikollë Berishaj tregoi motivacionin e dhënies së këtij çmimi.
“Nikollë Gegajt për kontribitin e shumë dekadave në fushën e sportit të taekwondosë dhe punës me rininë e Malësisë në Klubin e Taekwondosë “Besa” për sukseset e arritura sportive dhe shoqërore, dhe Angjella Berishajt, anëtare e Klubit të Taekwondosë “Besa”, për suksesin më të madh të një sportisteje nga Mali i Zi, dhe sportisteje shqiptare në sportin e taekwondosë në histori – medaljen e argjendtë në Kampionatin Botëror për Juniorë 2022”, njoftoi Berishaj.
Kjo mbrëmje festive vijoi me interpretimin e këngëve solo dhe në duet nga tenori i mirënjohur Kastriot Tusha dhe mezosoprano, Manjola Nalbani.
Kujtojmë se Komuna e Tuzit për herë të parë pas 62 vitesh e kremtoi Ditën e Komunës me statusin e komunës së pavarur në vitin 2019, e shkëputur nga kryeqyteti Podgorica. Data 1- Shtatori, si Dita e Komunës së Tuzit, korrespondon me datën kur sipas Ligjit mbi organizimin territorial të Malit të Zi, në vitin 2018 Komuna e Tuzit fitoi zyrtarisht statusin e komunës së pavaruar.
t. u.

Të fundit

më të lexuarat