Gjergj Hasanaj nuk ka qenë pjesëmarrës në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe

Pikësynim: Informacion i padëshmuar në artikullin “Aktivitet kulturor ‘Vera në Cem’” të autorit Rrok Gjolaj, “Koha Javore”, Podgoricë, e enjte, 21 korrik 2022, viti XXI, numër 1019, ff. 28-29

Dr. Rrok Gjolaj, publicist i afirmuar, shkrimtar, profesor, funksionar i lartë në Ministrinë e Arsimit në Republikën e Malit të Zi, në artikullin e sipërpërmendur përfshiu një informacion të z. Tomë Dedivanaj. Ky i fundit për kolegun e bashkëpunëtorin e tij, të ndjerin Gjergj Hasanaj, pohon se: “Në vitin 1972, Gjergji ishte pjesëmarrës në Kongresin e drejtshkrimit në Tiranë (dhe pse deri më sot nuk është botuar ndonjë e dhënë për këtë kontribut të Gjergj Hasanajt), bashkëpunëtori i tij Tomë Dedivanaj dëshmoi për saktësinë e informacionit”.
Lidhur me këtë informacion që e lexova te “Koha Javore”, që sapo e përmendëm, kohëve të fundit më pyesin shumë kolegë nga Trieshi dhe treva të tjera. E do puna që kësaj radhe të përmendi me shumë mall e nderim shokun tim të nderuar, tanimë të ndjerë, duke uruar që të pushojë në paqe në atë Botë, ku, të gjithë, herët a vonë, do të shkojmë.
Me ndërgjegje të plotë, përgjegjësi morale, njerëzore dhe shoqërore, në vigjiljen e 50-vjetorit të mbajtjes së Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (më pas KDGJSH), si pjesëmarrës i tij nga Mali i Zi sqaroj se i ndjeri Gjergj Hasanaj nuk ka qenë i pranishëm.
Dëshmi:

  1. Dokumentacioni dhe aktet e botuara të KDGJSH (19-25 XI 1972).
  2. Kujtesa ime (I. D.), përkundër modestisë theksoj se ende është e fortë, megjithë moshën e pleqërisë falë dhuratës së Perëndisë.
    Si sot më kujtohet e shtuna e 19 nëntorit 1972, kur na pritën në Han të Hotit me dashuri vëllazërore përfaqësuesit e organizuesit të Kongresit të Drejtshkrimit në krye me Koço Bihikun, zëvendësdrejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës.
    Më takoi të rri në ndenjëse të autobusit pranë prof. Mahir Domit gjatë rrugës për në Tiranë. Darkuam në Shkodër. Gjergj Hasanaj gjëkundi s’është parë.
    Gjatë kohës së mbajtjes së Kongresit, më vendosën në një dhomë të hotel “Dajti”-t në Tiranë bashkë me kolegun Zijadin Munishi nga Gjilani. Përbri nesh u vendos prof. Jak Mita nga Prishtina.
    Gjergj Hasanaj s’u duk fare. Ai s’ishte i pranishëm as të nesërmen, më 20 nëntor 1972, kur i filloi Kongresi punimet në sallën e madhe të Kuvendit Popullor të atëhershëm; gjatë mbajtjes dhe përfundimit të tij. S’u pa në pritjet që na ftuan: në Ministri të Arsimit, sh. Thoma Deliana; te Prof. Androkli Kostallari, drejtor i Institutit mikpritës; as në shëtitje jashtë Tirane.
    Besoj se janë të mjaftueshme këto dëshmi për të vërtetuar se në Kongres s’ka marrë pjesë fare, as s’ka qenë atëbotë në Shqipëri.
    Do të kishte shumë vlerë të zbardhej dëshmia për saktësinë e informacionit që u bë objekt sqarimi. Prandaj veproni sipas kodit të gazetarit! Delni zot asaj që shkruani dhe informoni!
    Zaten biografitë s’shkruhen me hamendje, sipas dëshirave, me lëvdime të tepruara, duke e bërë mizën buall, siç thotë populli, me synime e prirje krahinarizmi e bajraktarizmi, pa asnjë bazë, por në mbështetje të fakteve të qëndrueshme dhe meritave reale. Dr. Ismail Doda

Të fundit

më të lexuarat