Bibliotekave në Vuthaj, Guci dhe Plavë, u dhuroi numër të konsiderueshëm librash

Vuthaj/Guci/Plavë – Arkeologu i mirënjohur shqiptar me origjinë nga Plava, Prof. Dr. Naser Ferri, nipi i patriotit dhe trimit legjendar, Jakup Ferri, në fillim të këtij muaji, i shoqëruar nga kushëriri, Mr. Arben Ferri, dhe këngëtari i mirënjohur dhe kantautori shqiptar me prejardhje nga Martinajt e Komunës së Gucisë, Genc Prelvukaj, përndryshe student i doktoratës në fushën e historisë në Universitetin e Zagrebit, vizitoi komunat e Plavës dhe Gucisë, me ç’rast në mënyrë dinjitoze shprehi ndjenjën shpirtërore, epshin dhe përkushtimin ndaj vendlindjes së të parëve të vet, krahinës së Plavë-Gucisë, duke dhuruar numër të konsiderueshëm librash të autorëve të ndryshëm, por edhe të veta, bibliotekave të qendrave për kulturë në Guci e Plavë dhe asaj të Shtëpisë së Kulturës në Vuthaj, libra këta nga biblioteka e tij personale.
Numrin më të madh të librave (rreth 250 sish), ndër të cilat edhe pesë vepra, autor i të cilave është ai vetë, ia dhuroi bibliotekës së Shtëpisë së Kulturës në fshatin Vuthaj të Komunës së Gucisë, për ta pasuruar e begatuar fondin e saj. Dhuratën e çmuar me peshë dhe vlerë të madhe në ambientin e Shtëpisë së Kulturës në Vuthaj e pranoi veprimtari i mirënjohur vuthjan dhe pronari i portalit “Plava e Gucia Sot” me seli në Nju Jork, Esad Gjonbalaj, i cili përzemërsisht në emër të vuthjanëve dhe të vetin, e falënderoi dhuruesin Ferri duke i uruar dhe dëshiruar shëndet, mbarësi dhe sukses në jetë dhe punë të mëtejme.
Numër modest librash, arkeologu Prof. Dr. Naser Ferri, u dhuroi edhe bibliotekave të Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq” në Plavë dhe Qendrës për Kulturë në Guci, e për dhuratat e çmuara dhe me vlerë, falënderuan bibliotekistët të cilëve iu dorëzuan librat, si dhe drejtorët e institucioneve kulturore në fjalë.

Shaban Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat