Ulqinakët i gëzohen lajmit se Valdanosi do të jetë Park Natyror

Gjekë Gjonaj

Lajmi nga Ministria e Ekologjisë, Planifikimit Hapësinor dhe Urbanizmit se Valdanosi do të jetë Park Natyror pa objekte të përkohshme i gëzoi qytetarët e Ulqinit, të cilët me vite të tëra mundohen t’ia arrijnë këtij qëllimi madhor.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari , i cili menjëherë pasi erdhi në këtë detyrë ka kërkuar nga ministrja e Ekologjisë, Planifikimit Hapësinor dhe Urbanizmit, Ana Novakoviq Gjuroviq që t’i anulojë nga plani objektet e përkohshme në Valdanos.
“ Komuna e Ulqinit po planifikon të bëjë një studim për mbrojtjen e zonës së Valdanosit me qëllim që të rezultojë në nominimin e mundshëm të gjirit Park Natyror. Qëndrimi i Komunës së Ulqinit është që Valdanosi të trajtohet përmes planeve të nivelit më të lartë, e jo përmes planit të objekteve të përkohshme” thotë Bajraktari .
Kryetari i Kuvendit të komunës së Ulqinit, Ardian Mavriqi shprehet se iniciativa për punimin e studimit për mbrojtjen e Valdanosit, është nismë e kahershme e Komunës së Ulqinit dhe është dokument i cili duhet të punohet në drejtim që ajo zonë të mbrohet dhe të mos planifikohen ndërtime.
“Ullishta e Ulqinit duhet të revitalizohet pasi që për 40 vite është lënë pas dore, kurse tani me revitalizim të ullishtës, këtë zonë do ta kthejmë në një trashëgimi natyrore dhe resurs ekonomik çka edhe ishte në traditën e Ulqinit . Por, duke e ditur që Qeveritë e Malit të Zi asnjëherë nuk kanë punuar për të mirën e Valdanosit, por vetëm në dëm të saj, vihet në dyshim edhe ky propozim i studimit, përkrahja e këtij studimi do të jetë vetëm kur të respektohen vërejtjet dhe sugjerimet nga Komuna e Ulqinit, si dhe ato të banorëve të Ulqinit pas shqyrtimit publik, thekson Mavriqi.
Kryetari i Shoqatës “ Mogul” të Ulqinit dhe aktivisti këmbëngulës qytetar shumëvjeçar për mbrojtjen e ambientit dhe vlerave natyrore të këtij qyteti, Xhemal Peroviqi, e mirëpret gatishmërinë e ministrisë përkatëse për shpalljen e Valdanosit Park Natyror.
“Që në fillim të luftës për kthimin e Gjirit te Valdanosit dhe të 19 mijë pemëve të ullirit, të marra padrejtësisht, e bëmë të qartë se ishte edhe një luftë për ruajtjen e origjinalitetit të peizazhit dhe mbrojtjen e ullinjve mijëvjeçar. E kemi trajtuar atë si çështje juridike , ekonomike, kulturore-historike dhe ekologjike. Pas rënies së regjimit dhe njoftimeve për kthim, ne nisëm një iniciativë për një mbrojtje urgjente, të përkohshme nga ndërtimet pa leje, deri në një mbrojtje të përhershme.
Prandaj e mirëpresim gatishmërinë e ministrisë kompetente për shpalljen e Gjirit të Valdanosit Park Natyror, megjithëse mendojmë se për shkak të klimës së pakujdesisë së përgjithshme, lakmisë dhe nëpërkëmbjes së pamatur të ligjit, kur bëhet fjalë për perlat natyrore dhe historike, duhet kërkuar një formë më e rreptë mbrojtjeje. Fatkeqësisht, nuk ka vetëdije të mjaftueshme se çfarë perle është Valdanosi dhe çfarë mundësie ka ai për zhvillimin e ardhshëm modern, jo vetëm turizmin. Prandaj apeloj për një formë më të rreptë mbrojtjeje para se të jetë tepër vonë”, thekson Peroviqi.
Edhe gazetari, publicisti dhe aktivisti i mirënjohur qytetar Mustafë Canka, vlerëson se kjo është një ide dhe projekt i lavdërueshëm i së ardhmes për Komunën e Ulqinit dhe Malin e Zi, si dhe për rajonin në tërësi, që buron nga kuptimi i thellë i asaj sipërfaqe prej 3.5 milionë metrash katrorë me vlera unike ambientale.
“Njëmbëdhjetë vite më parë, së bashku me një grup miqsh, u propozuam autoriteteve të atëhershme që Valdanosi të ishte një qendër ndërkombëtare ekologjike, në mënyrë që çdo vizitor përmes eksperiencave autentike të kësaj hapësire kulti, historisë së trashëgimisë natyrore dhe kulturore dhe jeta e popullsisë vendase do të bëhej një magnet për turistët”, pohon Canka.
Sipas Cankës natyra e ruajtur është faktori më i rëndësishëm për turistët nga Evropa në zgjedhjen e një destinacioni për pushime. “Jam i bindur se në vitet kur mysafirët insistojnë gjithnjë e më shumë për një ofertë autentike turistike, ajo mund të bëhet një nga asetet tona më të rëndësishme, qasje e duhur për ripozicionimin e turizmit malazez në tregun ndërkombëtar. Zbatimi i projektit të sipërpërmendur i plotëson kriteret sociale, ekologjike dhe ekonomike, zhvillimi bëhet në ndërveprimin më të thellë me nevojat e shtetit dhe të popullsisë vendase. Ai pasqyron integritetin natyror, kulturor dhe social të destinacionit dhe respekton vendin e mbrojtur, të ndjeshëm dhe të shenjtë , siç është Valdanosi për qytetarët e Ulqinit”, pohon Canka.

Të fundit

më të lexuarat