Vendosja e marrëdhënieve të rëndësishme dypalëshe ndërmjet komuniteteve pakicë

Respektimi dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe të pakicave është thelbësore për dy vendet që duan të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, u theksua në takimin mes ministrit të të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave, Fatmir Gjeka, dhe zëvendëskryeministres për Çështje të Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Emilia Rexhepi, në kuadër të vizitës së punës në Republikën e Kosovës.
Në deklaratën për shtyp të Ministrisë së të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave thuhet se në një atmosferë të përzemërt dhe miqësore u shkëmbyen mendime nga disa fusha, me theks të veçantë në përmirësimin e të drejtave të popujve pakicë dhe të komuniteteve të tjera kombëtare pakicë, duke shqyrtuar mekanizmat kyçë të kontrollit në zbatimin dhe realizimin e tyre në të gjitha nivelet e administratës shtetërore, siç janë arsimimi, punësimi, informimi dhe përfaqësimi në organet qeveritare.
Ndër të tjera u bisedua për bashkëpunimin ndërkufitar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, si dhe për hapjen e pikës kufitare në Çakorr dhe lidhjen e Deçanit me Plavën, në interes të përbashkët të qytetarëve.
Bashkëbiseduesit janë pajtuar që në periudhën e ardhshme të zhvillojnë takime të rregullta me qëllim të realizimit të aktiviteteve të planifikuara dhe vendosjes së marrëdhënieve më domethënëse dypalëshe ndërmjet komuniteteve pakicë të të dy vendeve.
Gjatë vizitës së tij në Kosovë, ministri Gjeka është takuar edhe me rektorin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Prof. dr. Naser Sahiti.
Sipas deklaratës për shtyp, rëndësia e intensifikimit të bashkëpunimit në fushën e arsimit, fuqizimi i tij ndërmjet Malit të Zi dhe Republikës së Kosovës në aspektin e shkëmbimit të studentëve, si dhe avancimi i mëtejmë i politikës së regjistrimit të studentëve nga Mali i Zi, ka qenë në fokus të këtij takimi.
Në takim u tha se Universiteti “Hasan Prishtina” ka bashkëpunim të shkëlqyer me 200 universitete në nivel global, duke shprehur interesimin për përmirësimin e bashkëpunimit me Universitetin e Malit të Zi, duke e konsideruar të rëndësishëm për të dy vendet dhe potencialin e përgjithshëm që lidh dy vendet mike.
Ministri Gjeka ka propozuar shkëmbim më të madh të studentëve, profesorëve, si dhe të ideve dhe projekteve që do të avancojnë më tej marrëdhëniet e mira fqinjësore mes dy vendeve.
Në takim u ra dakord për shkëmbimin e përvojave të projekteve të financuara nga fondet e BE-së, ku preferohen projektet nga grupi i aplikuesve krahasuar me pjesëmarrjen individuale.
Gjatë këtij takimi është përshëndetur nënshkrimi i Memorandumit ndërmjet Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Zyrihut, duke e konsideruar të rëndësishëm për rajonin.
Po ashtu u bisedua edhe lidhur me kuotat e studentëve shqiptarë nga Mali i Zi, e cila përfshin 58 studentë në 14 fakultete.
Me këtë rast është rikujtuar se afati i dytë i regjistrimit në UP fillon më 10 shtator të këtij viti.
Në këtë takim ishte e pranishme edhe përfaqësuesja e Ambasadës së Malit të Zi në Republikën e Kosovës, Fedisa Daciq.
Në fund të takimit, palët u pajtuan për intensifikimin e bashkëpunimit të mëtejshëm në fushën e arsimit.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat