Hapja e kalimit kufitar nëpër Çakorr dhe ndërtimi i rrugës Plavë-Deçan, synime të përbashkëta ndërshtetërore

Plavë/Guci – Në takimin që ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Elbert Krasniqi, dhe kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri me bashkëpunëtorë, ua bëri komunave të Plavës dhe Gucisë, më 19 korrik 2022, kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, në fjalën e rastit theksoi se në vazhdimësi duhet të bëhen të gjitha përpjekjet e duhura që qeverive të Malit të Zi dhe të Republikës së Kosovës t’ua tregojmë rëndësinë e hapjes së pikës kufitare nëpër Çakorr dhe ndërtimin e aksit rrugor ndërshtetëror Plavë-Deçan.
Sipas fjalëve të kryetarit të Komunës së Plavës, ndërtimi i rrugës dhe hapja e kalimit kufitar në fjalë, do të hapin hapësirë të rëndësishme për zhvillimin e aktiviteteve ekonomike dhe bashkëpunim më të mirë të qytetarëve nga të dy anët e kufirit.
“Për hir të realizimit të qëllimeve të përbashkëta në mirëqenie të banorëve dhe qeverisjeve lokale, është i nevojshëm krijimi i kushteve për shfrytëzimin e të gjitha potencialeve të përbashkëta dhe në atë mënyrë të hapen mundësi të reja për bashkëpunim, shkëmbim të përvojave pozitive dhe avancim të marrëdhënieve të tërësishme”, ka konfirmuar kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq.
Ministri Krasniqi është pajtuar me përparësitë e cekura dhe ka theksuar që nga pozita në të cilën gjendet në Qeverinë e Kosovës, do të mbështesë qëndrimin që të realizohen këto dy projekte jashtëzakonisht të rëndësishme.
Bashkëbiseduesit në takim janë pajtuar që projektet IPA gjithashtu paraqesin rast të mirë për bashkëpunim të komunave kufitare, dhe pas takimit, me drejtorin e ndërmarrjes komunale të Plavës, Ervin Toshiq, kanë inspektuar Qendrën ricikluese, e cila është ndërtuar në kuadër të projektit të përbashkët të komunave Plavë dhe Gjakovë.
Në takim, në emër të Komunës se Plavës, kanë marrë pjesë edhe kryetarja e Kuvendit të komunës, Jasmina Cikotiq, administratori kryesor Ervin Kandiq, sekretari i përgjithshëm i komunës, Hasim Radonçiq, drejtori për Investim dhe Mjedis Hapësinor, Fuad Feratoviq, menaxheri i komunës, Merdin Purishiq, dhe ndihmësi i sekretarit, Ibër Hoti.
Edhe në Komunën e Gucisë, temë kryesore e shqyrtimit kanë qenë projektet ndërkufitare të cilat Komuna e Gucisë i zbaton në bashkëpunim me Komunën e Pejës, me të cilën është e binjakëzuar, dhe mundësia e zgjerimit dhe koordinimit edhe me komuna të tjera të Republikës së Kosovës.
Në takimin dypalësh, po ashtu është biseduar edhe për mundësitë e aktivizimit të serishëm, përkatësisht hapjes së kalimit kufitar nëpër Çakorr.
Komunën e Gucisë, në takimin në fjalë, e kanë përfaqësuar kryetarja e komunës Anella Çekiq dhe kryetari i Kuvendit të komunës, Bujar Hasangjekaj, me bashkëpunëtorë.

Shaban Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat