
Me pushtimin romak të Ballkanit, që u pasua me rënien e mbretërive ilire-dardane e të asaj maqedonase, Nishi e Pazari i Ri u shndërruan në provinca romake, shkruan autori Haklaj dhe shton se struktura e fortë etnike, historia e lashtë dhe madhështore e qytetërimit Pellazgo-ilir dhe kryengritjet e fuqishme ndaj Romës perandorake, e bën të pamundur romanizimin e trojeve tona etnike.
Përballë fuqisë së kësaj perandorie me kapacitete kolosale ushtarake, teknike e ideologjiko-kulturore, ilirët rezistuan heroikisht duke ruajtur gjuhën, doket dhe zakonet e mënyrës së jetesës, thekson autori Haklaj dhe në vazhdim shton se e kundërta ndodhi me dakët (romunët e sotëm), u romanizuan apo Kartagjena e fuqishme e Hanibalit të madh u shemb me themele, e toka e saj u lërua me parmendë.
Nishi është toka që rriti Konstandinin, themeluesin e Konstandinopojës, Perandorinë e ndritur, i cili i dha jetë njëmijëvjeçare “Rajhut” bizantin, duke e shndërruar në Perandorinë më jetëgjatë e më të lulëzuar europiane të të gjitha kohërave.
Autori Haklaj në shënimin e vet, në vazhdim të tekstit shkruan se Dardania pjesë e ilirikut, u kthyer në faktor në kohën e Bizantit. “Këtu janë rrënjët e tre identiteteve administrativ me Dioklecianin, kishtar, me Konstandinin e madh, politik, me Justinianin”, shprehet ai.
“I theksova këto fakte, për të treguar fuqinë kolosale që mbartë në vetvete Geni iliro-arbëror, fuqi e cila demonstrohet në mënyrë gjeniale sa herë e kërkojnë kohërat e vështira dhe udhëkryqet e mëdha të historisë së njerëzimit”, bën me dije autori Azgan Haklaj.
Dyndjet sllave në Ballkan të shekujve V-VI-VII, ishin një tërmet shkatërrimtar për banorët e lashtë të gadishullit. Ilirët u gjendën në epiqendër të ciklonit. Kujtesa historike është certifikata e shpirtit dhe identitetit të një populli.
Sanxhaku i Pazarit të Ri dhe ai i Nishit, kanë pasur nëpër shekuj reprezalje, gjenocid shfarosës, shpërngulje masive etnike, por njëkohësisht, kanë lënë aty vulën e pashlyeshme të identitetit dhe qytetërimit të tyre, thotë në shënimin e vet, vërtetë me peshë dhe vlerë të lartë autori Haklaj, duke shtuar në vazhdim se aty akoma flet shqip toka e qielli, guri dhe druri, përmes rrënojave të kështjellave, të tempujve, përmes varreve të antikitetit dhe të mesjetës, përmes tokës së tyre, që fsheh e ruan me fanatizëm në gjirin e saj margaritarë të shumtë, që i dëshmojnë botës, një kulturë e qytetërim të nivelit botëror, produkt i shekujve, e mijëvjeçarëve të banorëve autoktonë, të cilët bota perëndimore i quan albanezë dhe vendin e tyre Albani.
Me përkushtim dhe dinjitet, autori Haklaj, në shënimin e vet shkruan se kur erdhën hordhitë sllave në këto zona mes lumenjve Ibër, Rashkë e Lim në shekujt VI-VII pas Krishtit, shkatërruan gjithçka. Ata ishin konglomerat popujsh barbarë që sulmuan ilirikun dhe Dardaninë. Ishin njerëz barbarë të egër dhe pabesim. Përqafimi i kristanizmit nga ana e tyre, ka ndodhur rreth viteve nëntëqind.
Të gjitha të dhënat historike flasin se Lugina e Lumit Rashka, ishte e banuar nga ilirët dhe se sllavët janë përballur me banorët autokton aty. Veçon në shënimin e vet autori Haklaj. Këtu u krijua Mbretëria e Rashkës nga një fis tribal pellazg, i lidhur me dardanët, ku sundoi Dinastia e Nemanjiqve në shekujt XII-XIV-të. Ata janë me origjinë shqiptare, dhe i takojnë fisit Nimani.
Nemanjiqët ishin katolikë, pastaj ortodoksë, pas skizmës, ndarjes së kishave në vitin 1054. Me pushtimin turk janë myslimanizuar. Mbretëria e Rashkës nuk është serbe, por e krijuar nga feudalë shqiptare të ortodoksizuar pas skizmës, në vitet 1165-1195, Shtefjen Nimani (Stefan Nemanja) Zhupani, thotë autori në tekstin e shënimit të vet.
Historiografia serbe shtrembëron të vërtetën edhe për Car Dushanin dhe Krajl Millutinin. Të dy ishin feudal ortodoks arbëror, thotë autori Haklaj.
“Por, të analizosh në dritën e historisë gjenocidin e Perandorisë që morri emrin sllav të Stefan Dushanit, të mbretërisë së Karagjorgjeviqëve, Obrenoviqëve, të Mbretërisë serbo-kroate-sllovene, e të Jugosllavisë Titiste mbi shqiptarët, duhen volume të reja”, konfirmon autori dhe në tekstin e shënimit shton “E shoh të arsyeshme t’i referohem periudhës nga Kongresi i Berlinit në luftërat ballkanike, shpërbërjen e Jugosllavisë dhe kapitullimin e regjimit gjakatar të Millosheviqit”.
Krijimi i provincës serbe pas Kryengritjes së parë 1804-1813, udhëhequr nga Karagjorgji (Gjergji i Zi), shqiptar me origjinë nga Kelmendi, ishte produkt i mbështetjes së Rusisë Cariste, që kishte filluar që në kohën e Katerinës së madhe, mbështetjen e lëvizjes ortodokse në Ballkan, e cila synonte të shkatërronte Perandorinë Otomane, me qëllimin final, për të futur Ballkanin nën protektoratin e saj, sipas modelit të fuqive të mëdha koloniale të kohës së Francës, Anglisë, Spanjës e Portugalisë.
Rusia cariste, tërhoqi mbështetjen për rebelët serb, pas Traktatit të Bukureshtit, maj 1812, dhe pushtimit të territorit të saj, qershor 1812, nga Franca. Mbi njëqindmijë kryengritës së bashku me Gjergjin e Zi, u internuan në Perandorinë e Habsburgve. Turqit e ripushtuan Beogradin në vitin 1813, duke kryer masakra të mëdha, shkruan autori Haklaj, dhe në vazhdim të tekstit të shënimit të vet, me të dhëna me fjalë e shifra konfirmon: “Në prill të vitit 1815, Millosh Obrenoviqi u zgjodh udhëheqës i kryengritjes së dytë dhe udhëheqës suprem i revolucionit. Periudha 1817-1835, dëshmoi një konsolidim paqësor të fuqisë politike të një Serbie autonome, e cila fitoi të drejtën e trashëgueshme të pushtetit të princërve serb, në vitin 1830 dhe zgjerimin e territorit të Monarkisë së re në vitin 1833”.
Autori Haklaj në vazhdimin e tekstit të shënimit shkruan se Rusia filloi në frontin lindor beteja të përgjakshme kundër turqve. Në vitet 1877-1878, Perandoria Otomane pësoi disfatë të rëndë në të gjitha frontet. Në organizimin e ri të vitit 1864, Perandoria Otomane, Nishin e kishte kaluar në Vilajetin e Kosovës, kurse Sanxhakun e Pazarit të Zi me Pashallëkun e Bosnjës. Pas luftës ruso-turke, Nishi e rrethinat përjetuan një pushtim të egër e një barbarizëm të tillë nga serbo-sllavët, të panjohur kurrë më parë në historinë e Europës. Gjatë krizës së madhe lindore të viteve 1875-1878, Sanxhaku i Pazarit të Ri morri rëndësi, sepse zgjoi interesin e Austro-Hungarisë. Ajo donte të mbante të ndarë Serbinë e Malin e Zi dhe të mbante të okupuar Bosnjën.
“Duhet të theksojmë faktin se shqiptarët përbënin shumicën në Sanxhak”, shprehet autori Haklaj në shkrimin e vet dhe shton “Shqiptarët e Pazarit të Ri kanë kundërshtuar me forcë vendimet e Traktatit të Shën Stefanit, që kërcënonte trojet shqiptare, dhe Sanxhakun synonte ta ndanin mes Serbisë dhe Malit të Zi. Me të njëjtën forcë kundërshtuan Kongresin e Berlinit. Edhe pse morën pavarësinë në Kongresin e Berlinit, Serbia dhe Mali i Zi, serbët dhe malazezët ishin pakicë në këto vende, shumicës e bënin shqiptarët dhe vllehtë, sipas burimeve austro-hungareze dhe osmane.
Në shënimin e vet autori Haklaj shkruan se Hapsburgët nuk kundërshtuan në Kongres mbetjen e Pazarit të Ri nën Perandorinë Osmane, por nën Vilajetin e Kosovës. Për ta kishte rëndësi të mos i përkiste Serbisë.
Shqiptarët e Sanxhakut të Pazarit të Ri, u shquan për trimëri të pashoqe në ushtrinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në Betejnë e Nokshiqit, të udhëhequr nga Jakup Ferri dhe Ali Pashë Gucia, për mbrojtjen e Plavë-Gucisë, 142 vjet më parë, 1879-1880. Aq të tmerrshme e të përgjakshme ishin betejat, sa që lumi Limë u skuq nga gjaku sa që krenat e të vrarëve rrokulliseshin si gurë nëpër ujë, veçon në shënimin e vet autori Azgan Haklaj, dhe thekson se është fakt i pamohueshëm, i pranuar edhe nga historianët sllav se në vitet 1877-1884 nga rajonet e Nishit, Prokuplës, Kurshumllisë, Vranjës, Toplicës e Jabllanicës, veç vrasjes barbare të mijëra shqiptarëve të pambrojtur e të pafajshëm shqiptarë, burra dhe gra, pleq e fëmijë, janë shpërngulur nga vatrat e shtëpitë e tyre 170 mijë shqiptarë, janë zbrazur 800 fshatra të pastra etnike, duke i zëvendësuar me kolon serb.
“Ideologjia kriminale e Ilija Garashaninit për shfarosjen e shqiptarëve si popull, apo teza e Vukë Karaxhiqit ‘deri aty ku është, qoftë një serb i vetëm, quhet Serbi’ dhe ‘të zhdukim çdo qenie njerëzore që në damarë nuk ka gjak serb’, u vunë kështu me ngut në jetë”, veçon në shënimin e vet autori Haklaj dhe në vazhdim shton: “Kundër kësaj ideologjie e platforme, e cila u ripërserit vetëm nga Hitleri e Gebëlsi në Luftën e Dytë Botërore ndaj popullit Hebre, shqiptarët reaguan si komb i bashkuar”.
Mijëra muhaxhir të dëbuar nga pushtuesi i ri, u pritën nga vëllezërit e Kosovës e u vendosën aty. Vala e kësaj shpërngulje biblike, ashtu si e asaj të Millosheviqit në vitin 1999, mbërriti deri në brigjet e Adriatikut e të Jonit. Kundër kësaj politike gjenocidale të Serbisë nga njëra anë e synimeve grabitqarë të Malit të Zi, nga ana tjetër kundër Perandorisë Obskurantiste Osmane, e cila e konsideronte Shqipërinë si plaçkë tregu, në prag të shembjes së saj, u ngritën shqiptarët të udhëhequr nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, ku ata startuan për herë të parë me platformë të qartë politike që nga Epoka e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. (vijon)
