Guci – Në seancën e dytë të rregullt të Kuvendit të Komunës së Gucisë, të mbajtur të enjten, më 30 qershor 2022, në sallën e Komunës për seanca, takime dhe tubime, janë shqyrtuar dhe miratuar një sërë propozim-vendimesh të organeve të qeverisjes lokale dhe të institucioneve e organizatave që punojnë dhe veprojnë në kuadër të Komunës së Gucisë.
Në seancë, në rendin e ditës të së cilës ishin të propozuara shtatë pika të rendit të ditës, kanë qenë të pranishëm 24 këshilltarë prej gjithsej 30 sa numëron Kuvendi i komunës së Gucisë.
Në fillim të seancës, të cilën e hapi kryetari i Kuvendit, Bujar Hasangjekaj, u verifikua mandati i këshilltarit të ri të Partisë Social Demokrate në opozitë, Sead Feratoviq, në vend të këshilltarit të deritashëm të këtij subjekti politik, Dr. Ellvis Omeragiq, i cili paraprakisht kishte dhënë dorëheqje nga detyra e këshilltarit për shkak se është emëruar sekretar shtetëror në Ministrinë e Shëndetësisë të Qeverisë aktuale të Malit të Zi. Pastaj pa vërejtje, njëzëri u miratua procesverbali nga seanca e parë e rregullt e mbajtur më 31 mars 2022 dhe rendi i propozuar i ditës, pa ndryshime dhe plotësime, po ashtu njëzëri.
Seanca filloi punën me shqyrtimin e propozim-vendimit mbi Llogarinë përfundimtare të buxhetit të Komunës së Gucisë për vitin 2021, të cilin e parashtroi në mënyrë analitike dhe koncize sekretari i Sekretariatit për ekonomi, zhvillim dhe financa, Mirallem Bektesheviq.
Ai konfirmoi se Buxheti i Komunës së Gucisë për vitin 2021 ishte planifikuar në shumën 2.153.550,00 euro dhe është realizuar 78,38%. Të hyrat janë realizuar në shumën 1.688.089,10 euro, shpenzimet në shumën 1.566,715,75 euro, kurse gjendje e depozitit më 31 dhjetor 2021, ka qenë 121.373,35 euro, i cili transferohet në buxhetin e komunës për vitin 2022.
Pas trajtimit dhe shqyrtimit analitik e konciz, në të cilin me diskutimet e veta kanë marrë pjesë këshilltarët e pozitës dhe opozitës: Dardan Qosaj i Koalicionit “Shqiptarët bashkë për Gucinë” (pozitë) dhe Llakiq Baboviq i PSP (në opozitë), kanë dhënë vërejtje dhe sugjerime. Llogaria përfundimtare e buxhetit të Komunës së Gucisë për vitin 2021 është miratuar më 22 vota “për”, një “kundër” dhe një “të përmbajtur”.
Në punën e mëtejme të seancës, e cila zgjati rreth një orë, këshilltarët e pranishëm shqyrtuan dhe njëzëri miratuan edhe pesë propozim-vendime tjera të rendit të ditës: Propozim-vendimi mbi përcaktimin e zonave akustike në Komunën e Gucisë, të cilën e parashtroi dhe e argumentoi nëpunësi kompetent i komunës, Enes Radonçiq; propozim-vendimi mbi miratimin e programit lokal të banesave sociale të Komunës së Gucisë për vitin 2022, në trajtimin dhe shqyrtimin e të cilit me diskutimet e veta mori pjesë këshilltari i PSP-së në opozitë, Llakiq Baboviq; propozim-vendimi mbi lirimin nga detyrimi për pagesën e tarifës për pajisjen komunale te tokës ndërtimore, të cilin e prezantoi sekretarja e Sekretariatit për administratë të përgjithshme dhe veprimtari shoqërore, Samra Balliq, në shqyrtimin e të cilit me vërejtjet dhe sugjerimet e veta, morën pjesë këshilltarët Ali Kukaj, Adell Damjanoviq, Ferka Jaroviq, Naser Radonçiq dhe Dardan Qosaj.
Këshilltarët po ashtu njëzëri miratuan dy propozim-vendime të tjera: Propozim-vendimin që nga pozita e anëtarit të Bordit të drejtorëve të SHPK “Veprimtaritë Komunale” të shkarkohet Emir Çekiq dhe në vend të tij të emërohet anëtari i ri Ramo Nikoçeviq dhe propozim-vendimin që nga pozita e anëtarit të Komisionit për çështje komunale, banesore, mbrojtje të mjedisit, zhvillim, ekonomi dhe financa, të shkarkohet Dr. Ellvis Omeragiq dhe në vend të tij të zgjedhet Sead Feratoviq.
Sh. Hasangjekaj