Ulqin – Modeli i menaxhimit të Parkut Natyror “Kriporja e Ulqinit” do të jetë shoqëria me përgjegjësi të kufizuar, e cila duhet të themelohet deri në tetor të këtij viti.
Ky është vendimi që është marrë në takimin që është mbajtur të mërkurën e kaluar (29 qershor 2022) në mjediset e Komunës së Ulqinit, ku kanë marrë pjesë ambasadori i Gjermanisë në Malin e Zi, Robert Weber me bashkëpunëtor, drejtoresha e përgjithshme e Drejtorisë për Natyrë në Ministrinë e Ekologjisë, Planifikimit Hapësinor dhe Urbanizmit, Tamara Brajoviq me bashkëpunëtorë, kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari me bashkëpunëtorë, eksperti i GIZ-it, Goran Gugiq, përfaqësuesit e NP “Parqet Natyrore”, drejtoresha e Shoqatës “Martin Schneider-Jacoby”, Zenepa Lika, drejtoresha ekzekutive e Qendrës për Mbrojtjen dhe Hulumtimin e Zogjve, Jovana Janjusheviq, dhe administratori i falimentimit, Zharko Ostojiq.
Bashkëthemelues të shoqërisë me përgjegjësi të përkufizuar është propozuar që të jenë Qeveria e Malit të Zi dhe Komuna e Ulqinit.
Në deklaratën për shtyp të Ministrisë së Ekologjisë, Planifikimit Hapësinor dhe Urbanizmit thuhet se qëllimi i takimit ka qenë definimi i qartë i hapave dhe procedurave të mëtejme drejt formimit të shoqërisë me përgjegjësi të kufizuar dhe menaxhimit të suksesshëm në të ardhmen. Lidhur me këtë është miratuar përfundimi që në kuadër të strukturës drejtuese të formohet organi nga përfaqësuesit e të gjitha institucioneve dhe organizatave pjesëmarrëse në këtë takim, si dhe që bashku, në mënyrë precize të përcaktohen kriteret për zgjedhjen e drejtorit të shoqërisë së ardhshme dhe që si kriter bazë të jetë profesionalizmi i tij.
Deri në tetor të këtij viti, kur pritet të themelohet shoqëria me përgjegjësi të kufizuar, NP “Parqet Natyrore” do të vazhdojë kontratën për marrjen me qira të Parkut të Natyrës “Kriporja e Ulqinit”.
Drejtoria për Kadastër dhe Pronën Shtetërore ka regjistruar të enjten shtetin si pronar të 15 milionë metrave katrore të Kripores së Ulqinit, në bazë të vendimit të Ministrisë së Financave,
ndërsa objektet e shkatërruara të administrarës, hangaret dhe objektet ndihmëse do të mbeten në pronësi të ndërmarrjes.
Ndaj këtij vendimi kanë reaguar aksionarët pakicë të Kripores së Ulqinit, të cilët kanë paralajmëruar se do të kërkojnë dëmshpërblim në vlerë prej 200 milionë eurosh për shkak të lëshimit në treg të aksioneve pa mbulesë.
(Kohapress)
