Hapi më i vështirë e më i padëshirueshmi në karrierën time politike

Ish-kryetari i Unionit Demokratik të Shqiptarëve, Ferhat Dinosha, ka dhënë dorëheqje nga kjo parti dhe ka deklaruar se nuk do të jetë më Kryetar Nderi e as anëtar i UDSH-së.
Dorëheqja ka ardhur si rezultat i mosmarrëveshjeve dhe ftohjes së marrëdhënieve me kryetarin aktual të UDSH-së, Mehmed Zenka.
Përmes një deklarate për shtyp, Dinosha ka njoftuar për arsyet që e kanë shtyrë të ndërmarrë një hap të tillë i cili, sipas tij, “mund të jetë më i vështiri e më i padëshirueshmi” në karrierën e tij politike.
Ai ka thënë se pauza disavjeçare, gjatë së cilës ka qenë ambasador i Malit të Zi në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Kosovës ka bërë që të bjerë dukshëm potenca politike e partisë dhe të ftohen marrëdhëniet me kryetarin aktual të saj, Mehmed Zenka.
“Veç kësaj, partia ka përjetuar përçarje në Degën e Malësisë, duke përgjysmuar votat dhe duke krijuar dy grupime politike”, ka theksuar Dinosha.
Ai ka thënë se me t’u kthyer në vendlindje, para një muaji, ka bërë përpjekje për t’i bashkuar dy grupimet e UDSH-së në Malësi, por që nuk ka pasur sukses.
“Jam interesuar shumë per t’i ribashkuar dy grupimet, përkatësisht për ta rikthyer në Degë grupin e përjashtuar nga partia, të profilizuar tashmë si Unioni i Tuzit. Ky grup ka pranuar të rikthehet në Degë dhe të bëhet sërish pjesë e Kryesisë së saj, me kusht që unë, si koordinator, të marr përsipër udhëheqjen e Degës, kurse nga posti i kryetarit të saj të tërhiqet z. Enis Gjokaj, deri në riorganizimin e strukturës së re të Degës, përmes ndonjë vendimi të organeve partiake ose kuvendit të ri zgjedhor lokal.
Këtë ia kam përcjellë kryetarit të Degës dhe disa bashkëpunëtorëve të tij, duke u thënë që ta informojnë edhe kryetarin e partisë dhe të më kthejnë gjegje. I kam thënë kryetarit të Degës se do t’ia vlente të sakrifikonim ne të dy, ai me tërheqjen e unë me marrjen e përkohshme të të parit të Degës, por nuk kam marrë përgjigjen e pritur”, thekson ai në deklaratën për media.
Dinosha ka thënë se kjo “dhe shumë çështje të tjera të metabolizmit partiak të partisë më të fortë të pakicave në Mal të Zi, në fazën e përgatitjeve dhe të vetë mbajtjes së Referendumit të Pavarësisë, më bëjnë të ndërmarr këtë hap, që mund të jetë më i vështiri e më i padëshirueshmi në karrierën time politike”.
Ai i ka falënderuar anëtarët, simpatizuesit dhe votuesit e UDSH-së, të cilëve u ka premtuar se “në dhashtë Zoti shëndet e jetë, do të vazhdoj, në një formë a tjetër, të jap kontribut për të mirën e shqiptarëve dhe të proceseve demokratike në Mal të Zi. Ky që jam, jam falë tyre. Në e kanë mirë aty ku janë, u vazhdoftë e mira! Në e paçin ngushtë, i pres në bashkudhëtim të ri, me sjellje e mirëkuptim të vjetër”.
Ferhat Dinosha ka qenë kryetar dhe deputet i UDSH-së në Kuvendin e Malit të Zi. Ai ka qenë po ashtu ministër pa portofol dhe ministër për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave në Qeverinë e Malit të Zi. Së fundmi ka shërbyer si ambasador i Malit të Zi në Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat