Vazhdon bllokada bullgare e çeljes së bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Takimi i nivelit të lartë mes krerëve të qeverive dhe shteteve të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian me krerët e Ballkanit Perëndimor që presin anëtarësim në këtë organizatë përfundoi të enjten në Bruksel pa rezultate konkrete.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ndonëse i kanë përmbushur të gjitha kushtet, nuk i kanë nisur ende negociatat për pranim si kandidatë në BE, për shkak të vetos bullgare. Bullgaria e ka bllokuar procesin e integrimeve për Maqedoninë e Veriut për shkak të kontestit mes dy vendeve për çështjen e gjuhës dhe të kaluarës historike.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, si dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, janë shprehur të zhgënjyer me Bashkimin Evropian pas përfundimit të samitit.
“Më lejoni të shpreh keqardhjen time për BE-në, më vjen keq për ta, shpresoj që mund të ndihmojmë”, ka thënë Rama.
Ndërsa Kovaçevski të enjten tha se e ka refuzuar propozimin francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë.
“Falënderoj presidentin Macron për angazhimin, por që propozimi të jetë i pranueshëm, duhet të garantojë disa çështje thelbësore, për gjuhën dhe identitetin maqedonas”, ka deklaruar Kovaçevski në një konferencë të përbashkët me Ramën dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Ndërkaq në këtë samit Ukraina dhe Moldavia morën statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Udhëheqësit e BE-së vendosën të enjten t’i japin Ukrainës dhe Moldavisë zyrtarisht statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Një moment historik. Sot shënohet një hap vendimtar në rrugën tuaj drejt BE-së”, ka shkruar në Twitter presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.
Pas vendimit ka reaguar presidenti ukrainas, Volodymir Zelensky, i cili ka shkruar në Twitter se e ardhmja e Ukrainës është në BE.
Megjithë vlerësimet për arritjet e Kosovës, as në këtë samit Kosova nuk e fitoi liberalizimin e vizave.

(Kohapress/REL)

Të fundit

më të lexuarat