Kryetari i Alternativës Shqiptare, Nik Gjeloshaj, është shprehur së fundmi pro nismës “Ballkani i Hapur”.
Në një postim në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, ai ka shkruar se “harkun e Ballkanit të Hapur do ta bëjnë Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut – tre shtete anëtare të NATO-s, me mbështetje të madhe nga SHBA”.
Ai ka thënë se edhe Kosova, si vendi më i ri, do të jetë pjesë e Ballkanit të Hapur.
Sipas Gjeloshajt, “Ballkani i Hapur është projekt i përbashkët i partnerëve tanë më të rëndësishëm ndërkombëtarë dhe unë personalisht jam i edukuar jo vetëm politikisht, për t’u klasifikuar me vlerat amerikane, pa përjashtime”.
Kryetari i ASH-së ka thënë se “’Ballkani i Hapur’ i jep fund njohjes reciproke të Serbisë dhe Kosovës dhe mbyll çështjen më të rëndësishme të hapur mes shteteve të Ballkanit Perëndimor”.
Ai ka thënë se “Mali i Zi nuk duhet të jetë inferior në këtë proces, por si anëtar i NATO-s, edhe pse një vend i vogël, duhet të jetë ndër lojtarët kryesorë të projektit”.
Gjeloshaj është shprehur se “ne duhet të hapemi për bashkëpunim me të gjithë, dhe veçanërisht me fqinjët tanë”, duke porositur se duhet të shikojmë kah e ardhmja, jo nga e kaluara.
Në profilin e tij në Facebook, ai ka shpërndarë deklaratën e ambasadores së SHBA-së në Malin e Zi, Judy Rising Reinke, e cila ka thënë se e mbështesin “Ballkanin e Hapur” pa fusnota dhe në përputhje me parimet e BE-së.
“SHBA mbështesin ‘Ballkanin e Hapur’ me kusht që në këtë iniciativë të jenë të përfaqësuar plotësisht dhe në mënyrë të barabartë të gjitha shtetet e rajonit dhe që ajo të jetë në përputhje të plotë me parimet e BE-së”, është shprehur Reinke.
Forcat politike dhe krerët shtetërorë në Mal të Zi vazhdojnë të kenë qëndrime të ndryshme dhe të kundërta lidhur me nismën “Ballkani i Hapur”.
Kryeministri i Malit të Zi, Dr. Dritan Abazoviq, i cili ka marrë pjesë në cilësinë e vëzhguesit në takimin e fundit në Ohër të krerëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor që mbështetin “Ballkanin e Hapur”, është shprehur në favor të çdo forme të bashkëpunimit rajonal.
Më herët, kryetari i Alternativës Shqiptare, Nik Gjeloshaj, ka deklaruar se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duhet të mbledhë gjithë faktorin shqiptar në Ballkan dhe t’u sqarojë se çfarë është iniciativa “Ballkani i Hapur” dhe çfarë përfitojnë shqiptarët e çfarë roli do të kenë në rajon.
“Vetëm pas këtyre sqarimeve nga shteti amë, shqiptarët do të mund të ulen dinjitozë në tavolinë përballë partnerëve”, kishte deklaruar Gjeloshaj vitin e kaluar në një intervistë për “Euronews Albania”.
(Kohapress)
