Një botim që thyen tabutë

“Unë kam menduar që secili prej nesh e ka një erotikë te shpia, e ka një gjysh dhe një gjyshe që i ka treguar për erotikë si mua gjyshja ime”, ka thënë autorja. Por duke parë që për shumëkënd kjo fushë është e panjohur ose shumë e turpshme, kjo e ka nxitur që t’i publikojë këngët erotike që ajo i kishte dëgjuar prej gjyshes së saj

Ulqin – Libri “Kangë popullore erotike” i autores Vlora Nikçi është përuruar të shtunën mbrëma në Librarinë “Ulqini” në Ulqin, në prani të dashamirëve të kulturës.
Me profesion aktore, Nikçi ka treguar se ajo nuk kishte menduar kurrë të merret me mbledhjen e folklorit dhe studimin e trashëgimisë kulturore. Por si aktore i ka munguar jo rrallë liria skenike dhe për këtë arsye është dashur të merret edhe me trashëgiminë kulturore.
“Kjo mua më ka lindur natyrshëm. Nuk më ka treguar dikush që nuk ka erotikë të publikuar. Unë kam menduar që secili prej nesh e ka një erotikë te shpia, e ka një gjysh dhe një gjyshe që i ka treguar për erotikë si mua gjyshja ime”, ka thënë aktorja.
Duke parë që për shumëkënd kjo fushë është e panjohur ose shumë e turpshme, kjo e ka nxitur që të vendosë t’i publikojë këngët erotike që ajo i kishte dëgjuar prej gjyshes së saj.
Ajo ka thënë se përvojën e saj ka dashur ta ndajë edhe me lexuesin dhe të tjerët.
“Të gjitha poezitë erotike që gjyshja ime m’i ka kënduar mua, unë i kam ruajtur për veten time kur unë vetë jam dashuruar, kur kam filluar vetë të bëj erotikë i kam ruajtur për veten time, me i ndarë me njeriun e dashur”, ka rrëfyer Nikçi.
Sipas autores, ky libër i ka ndihmuar edhe asaj që ta njohë më mirë veten.
“Mendoj se gjëja më e bukur është të njohim veten tonë dhe përmes trashëgimisë sonë kulturore e njohim më së miri kush jemi ne. Dhe mos të kemi turp prej gjërave që janë të bukura”, ka theksuar ajo.

“Botimet e këtilla thyejnë tabutë dhe i japin mundësi lexuesit që të shijojë diçka nga ajo se si kanë dashuruar, apo si e kanë shprehur dashurinë të parët tanë, në kohën kur as letërkëmbim nuk kishte, në kohën kur takimi caktohej me ‘njat dekik që të dalin hana’, me ditën e daljes në bjeshkë, me të hënën e Pashkëve… përmes shenjave e shihareteve, apo edhe përmes një guraleci mbi pullaz”, ka thënë Nikollë Camaj


Këngët erotike në shoqërinë shqiptare janë konsideruar deri vonë tabu, megjithëse në rrethe familjare apo në rrethe të ngushta ato janë kënduar. Këtë Nikçi e shpjegon me faktin se në shoqërinë shqiptare kaherë duhet të ketë ndodhur diçka, saqë ka bërë që erotika dhe këngët erotike të konsiderohen një turp i madh e madje ta lidhin edhe me moralin.
Recensenti i librit, Dr. Rrustem Berisha, punonjës shumëvjeçar i Institutit Albanologjik të Prishtinës, ka thënë se pas Luftës së Dytë Botërore këngët erotike janë lënë pas dore dhe nuk iu është kushtuar rëndësi, duke i trajtuar si gjysmë ilegale.
“Janë konsideruar të turpshme. As Instituti Albanologjik nuk e ka botuar këtë lloj kënge”, ka thënë Berisha, duke nënvizuar se popujt tjerë fqinjë i kanë botuar më herët këngët erotike.
Ai ka vlerësuar guximin e autores.
“Një femër të vijë me libër me këngë erotike”, ka thënë Berisha.
Në vështrimin e tij për librin, profesori i gjuhës dhe letërsisë shqipe, Nikollë Camaj, ka thënë se “botimet e këtilla thyejnë tabutë dhe i japin mundësi lexuesit që të shijojë diçka nga ajo se si kanë dashuruar, apo si e kanë shprehur dashurinë të parët tanë, në kohën kur as letërkëmbim nuk kishte, në kohën kur takimi caktohej me ‘njat dekik që të dalin hana’, me ditën e daljes në bjeshkë, me të hënën e Pashkëve… përmes shenjave e shihareteve, apo edhe përmes një guraleci mbi pullaz”.
Camaj ka thënë se edhe nga kjo përmbledhje vërehet se poezia erotike shumë më tepër lidhet me botën femërore, me bukurinë e saj dhe me dashurinë ndaj saj.
“Edhe epitetet, në shumicën e rasteve, janë ato që flasin për bukurinë femërore, vetullat, sytë, buzët, gjinjtë, e kështu me radhë, e shumë më rrallë për bukurinë mashkullore”, ka thënë ai.
Sipas Camajt, arsyet pse këngët erotike nuk ishin në fokus të vëmendjes së mbledhësve të folklorit, nuk është nevoja t’i hamendësojmë, pasi që ata kryesisht ishin të fokusuar në mbledhjen e atyre pjesëve të folklorit që kanë të bëjnë me ngritjen e krenarisë dhe vetëdijes kombëtare, e më pak me atë se çfarë ata ndienin, apo se cilat ishin raportet midis dy gjinive.
Në fjalën e tij, Sami Flamuri ka theksuar dallimin që ka ekzistuar në trevat e ndryshme shqiptare lidhur me emërtimin e këngëve erotike.
Ai ka thënë se një komb i lashtë si kombi shqiptar, doemos i ka të zhvilluara edhe këngët e dashnisë, apo siç i quajnë “kangët e buta”.
Autorja Vlora Nikçi së bashku me aktorët vendas Simon Shkreli, Bashkim Alaj dhe Blerta Kurti kanë lexuar vargje të disa këngëve nga libri.
Libri “Kangë popullore patriotike” përbëhet nga 72 këngë, të cilat Nikçi i ka mbledhur kryesisht në fshatrat e Rugovës, por që këndohen edhe ndër shqiptarët në Malin e Zi. Libri është i ilustruar me punimet artistike me motive erotike të piktorit Artan Hajrullahu, duke krijuar një ndërthurje të krijimtarisë popullore dhe asaj artistike.
Përurimi i librit është organizuar nga Libraria “Ulqini” dhe Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat