U nënshkruan 19 marrëveshje ndërqeveritare

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë arritur pajtueshmëri për 19 pika në sektorë të ndryshëm, në kuadër të mbledhjeve të përbashkëta tradicionale që mbahen ndërmjet dy shteteve.
Mbledhja e së hënës, që u zhvillua në Prishtinë, shënon takimin e tetë të tillë ndërmjet dy qeverive.
Qeveria e Kosovës ka thënë se marrëveshjet e memorandumet ndërqeveritare janë arritur në fushën e arsimit, doganave, energjisë, bujqësisë, infrastrukturës rrugore, transportit, shëndetësisë, mbrojtjes e drejtësisë.
Në sektorin e arsimit është arritur marrëveshje për mundësi konkurrimi dhe vijim të studimeve në 19 universitete të të dyja shteteve, në kushte të barabarta.
Në takim, palët janë pajtuar për të punuar drejt lehtësimit të plotë të lëvizjes së lirë mes dy shteteve, më pas për të krijuar një platformë të përbashkët digjitale për promovim të turizmit të të dyja vendeve.
Në sektorin e transportit është arritur marrëveshje për një studim fizibiliteti që i hap rrugën ndërtimit të linjës hekurudhore Durrës – Prishtinë, projekt që mëton të lehtësojë transportin e njerëzve dhe mallrave.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje për besim të ndërsjellë social.
“Vendet tona nuk i bën bashkë interesi, por është në interesin tonë që të qëndrojmë bashkë. Aq sa na bashkon historia, gjuha dhe kombi, aq duhet të na lidhë bashkëpunimi institucional në çdo fushë”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka konsideruar takimin e së hënës si bilanc pozitiv të bashkëpunimit.
“Nuk e ekzagjeroj fare po të them se pas çdo mbledhjeje të përbashkët, ne i afrohemi pak më shumë qëllimit të madh të dokumentit të Partneritetit Strategjik mes dy shteteve tona, të nënshkruar në Prizren më 2014”, ka thënë ai.
Rama ka përkujtuar se volumi tregtar para bashkëpunimit të afërt mes dy vendeve ka qenë 136 milionë, ndërsa tani ka arritur në 433 milionë euro.
Rama është deklaruar edhe rreth atyre që i ka konsideruar komente mbi mosmarrëveshje dhe mungesë të ecurisë mes punës së të dyja qeverive.
“Me qeverinë aktuale ne kemi shkallën më të lartë të zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara, përfshirë edhe marrëveshjet e nënshkruara në të kaluarën. Shpresoj që ky të konsiderohet fakt dhe jo arsye për të bërë spekulime të natyrës politike, sepse unë jam tërësisht i papërfshirë dhe i painteresuar të përfshihem në jetën politike të Kosovës”, ka deklaruar ai.
Sipas kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, nga 127 marrëveshje sa janë nënshkruar në të kaluarën ndërmjet dy qeverive, janë zbatuar 75 prej tyre.
Megjithatë, ai ka nënvizuar se ekziston nevoja e një harmonizimi e bashkërendimi më të mirë “të politikave dhe veprimeve mes dy vendeve tona, si në çështje rajonale e po ashtu edhe të politikës së jashtme”.
Mbledhja e parë mes dy qeverive është mbajtur në vitin 2014.

(Kohapress/REL)

Të fundit

më të lexuarat